Topalli: Kemi të drejtë të shqyrtojmë dhe meritat e të përzgjedhurve nga Topi
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka forcën dhe vlerën e ligjit kushtetues në praktikën juridike. Ky vendim i ndërmarrë pas kërkesës së presidentit të kohës, më 18 janar 2005, për të qartësuar rolin dhe të drejtat e tij dhe të Kuvendit në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, thekson: “qëllimi i hartuesve të Kushtetutës ka qenë që emërimi i gjyqtarëve të mos mbetej vetëm në kompetencën e një organi… Pjesëmarrja e Kuvendit të Shqipërisë në këtë proces ka për qëllim balancimin e kompetencës së Presidentit të Republikës në emërimin e gjyqtarëve, dhe kjo vjen në harmoni edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve. Interpretimi, sipas të cilit emërimi i përket, në mënyrë ekskluzive, një organi politik me natyrë individuale (kryetarit të shtetit), thotë vendimi i Gjykatësë Kushtetuese, nuk do të ishte në pajtim me standardin përkatës në këtë fushë”.
Gjykata përcakton se procesi i emërimit i gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese duhet të jetë proces koordinimi, bashkëpunimi dhe konsensusi dhe jo veprimi të njëanshëm, që krijon probleme të panevojshme. Lidhur me këtë , ky vendim thotë: “Sistemi i emërimit i pranuar nga Kushtetuta e Shqipërisë ka në esencë kooperimin institucional të Presidentit të Republikës dhe të Kuvendit të Shqipërisë”, “pëlqimi që kërkojnë dispozitat e mësipërme, nënkupton një lloj konsensusi midis këtyre organeve kushtetuese që përfshihen në procesin e emërimit të gjyqtarëve të gjykatave më të larta”, “ky sistem emërimi, i adoptuar nga Kushtetuta, i vë subjektet që përfshihen në të, para kërkesës së respektimit të parimit të luajalitetit kushtetues, i cili shpreh, në thelb respektin e ndërsjelltë nga secili subjekt ndaj kompetencave të tjetrit, si dhe nënkupton krijimin e një raporti bashkëpunimi midis tyre”. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i njeh Kuvendit jo të drejtën e shqyrtimit formal, por të drejtën e shqyrtimit në themel e për meritë, duke i dhënë atij një epërsi të qartë në trajtimin e këtij problemi”, - vijoi Ruseti.
Ajo tha se nuk duhet të shqyrtohet vetëm rregullshmëria ligjore, por dhe meritat e përzgjedhjes. “Tingëllojnë qesharake dhe absurde pretendimet se Kuvendi po merr kompetenca të tjera, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton: “Kuvendi ka pasur dhe ka një rol substancial… Sipas neneve 125/1 dhe 136/1, Kushtetuta parashikon dhënien e një pëlqimi të vërtetë nga Kuvendi i Shqipërisë. Kjo nënkupton që përfshirja e Kuvendit të Shqipërisë në këtë proces ka të bëjë jo vetëm me shqyrtimin e rregullshmërisë juridike, por edhe të meritës së zgjedhjes së bërë nga ana e Presidentit të Republikës”.