Kuvendi, shtohen kërkesat për heqje imuniteti të deputetëve
Zyra e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, është e "mbushur" me shkresa për heqje imuniteti nga Kryeprokurorja e Republikës, Ina Rama. Në asnjë sesion parlamentar nuk ka ndodhur që brenda pak javëve, Prokuroria e Përgjithshme të depozitojë në Kuvend disa kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetëve. Brenda pak ditëve, Prokurorja e Përgjithshme ka depozituar në Kuvend dy kërkesa për heqjen e imunitetit të deputetëve të PR-së: Fatmir Mediu dhe Hajrulla Paturri, ndërkohë që mësohet se një shkresë e tillë për heqjen të imunitetit për deputetin Basha në Kuvend ka mbërritur edhe nga Gjykata e Lartë, e cila kërkon hetimin e këtij deputeti për akuzën e shpifjes. Sipas rregullores së Kuvendit, këto kërkesa kalojnë për shqyrtim në Këshillin e Imunitetit dhe të mandateve, i cili i parashikuar për t‘u mbledhur dje pasdite, për të shqyrtuar kërkesën për Mediun, është shtyrë dhe do të mblidhet sot në orën 11:00. Shkak i shtyrjes së kësaj mbledhjeje, është bërë seanca e djeshme parlamentare, e cila ka zgjatur më shumë sesa parashikohej, për vetë faktin se në orën 12:00, ajo është ndërprerë, pasi deputetët e Kuvendit kanë bërë homazhe për oficerin e Policisë së Shtetit, Gjergj Mehmeti, i cili u vra në mënyrë barbare në muajin mars të vitit ‘97, nga anëtarët e bandës të Qafë-Gjashtës. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve, pritet të jetë i pranishëm edhe deputeti i PR-së, Fatmir Mediu, i cili në bazë të rregullores ka të drejtë të mbrohet duke dhënë argumentet e tij kundër kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të kërkuar nga institucioni i akuzës. Gjithashtu, ky komision pritet të marrë në shqyrtim edhe një kërkesë tjetër të Prokurorisë së Përgjithshme, për deputetin e PR-së, Hajrulla Paturri, i cili akuzohet për ushtrim dhune ndaj një arbitri gjatë një ndeshjeje futbolli. Vetë deputeti i PR-së nuk e ka pranuar një akuzë të tillë, por ka shprehur gatishmërinë e tij për të dorëzuar imunitetin. Këshilli i imunitetit mblidhet për të tretën herë për të diskutuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për deputetin Mediu, mbledhja e parë është bërë me fillim të muajit maj dhe pak ditë më pas me 13 maj u zhvillua një mbledhje e dytë, pas depozitimit në Kuvend nga organi i akuzës një dosje voluminoze për rreth 700 faqesh, e cila sipas akuzës vërtetonte shkeljet që kishte bërë deputeti Mediu gjatë kohës kur ishte në postin e ministrit të Mbrojtjes. Megjithëse kërkesa e prokurorisë në Kuvend është depozituar që më 30 prill, mungesa e deputetit Mediu i cili për gati një javë ishte në SHBA dhe më pas vizitat e punës së Kryetares Topalli jashtë vendit bëri që mbledhja e këshillit të shtyhej për gati një muaj. Praktikë kjo e cila nuk është ndjekur me deputetët e tjerë kur është kërkuar heqja e imunitetit nga organi i akuzës. Në bazë të nenit 118 të rregullores së Kuvendit, në këtë mbledhje Mediu do të japë dëshminë e tij nëse është dakord ose jo me akuzat e ngritura nga prokuroria dhe gjithashtu me lënien ose jo të imunitetit të tij. Më pas Këshilli e kalon këtë raport në Kuvend, i cili me votë të fshehtë voton për heqjen ose jo të imunitetit të deputetit të PR-së. Vetë deputeti i PR-së, nuk i ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij duke e akuzuar kryeprokuroren se ka qenë e ndikuar politikisht. Funksionarë të lartë të PR-së, nëpërmjet deklaratave për shtyp, kanë theksuar se hetimi ndaj një deputeti dhe konkretisht ndaj ish-ministrit, është i tepërt, pasi janë instanca të tjera të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat kanë përgjegjësi për këtë ngjarje. Deputeti Mediu do të hetohet për tragjedinë e Gërdecit ku pas një shpërthimi të tmerrshëm humbën jetën 26 persona, mbeten të plagosur qindra të tjerë dhe u shkatërruan me mijëra shtëpi.
Rastet
Republikanët, "viktimat" e Ina Ramës
Nga katastrofa e Gërdecit, te dhuna në stadiumet shqiptare. "Viktima" e hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, është kthyer Partia Republikane, aleatja kryesore e Partisë Demokratike në qeveri, e cila regjistron rastin e dytë të kërkesave për heqjen e imunitetit të deputetëve të saj. Ndërsa, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me katastrofën e Gërdecit, deputeti tjetër republikan, Hajrullah Paturri, akuzohet për dhunë fizike ndaj një gjyqtari të një ndeshjeje futbolli, gjatë një incidenti që ndodhi në stadiumin e qytetit të Krujës.
Rastet
Republikanët, "viktimat" e Ina Ramës
Nga katastrofa e Gërdecit, te dhuna në stadiumet shqiptare. "Viktima" e hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, është kthyer Partia Republikane, aleatja kryesore e Partisë Demokratike në qeveri, e cila regjistron rastin e dytë të kërkesave për heqjen e imunitetit të deputetëve të saj. Ndërsa, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me katastrofën e Gërdecit, deputeti tjetër republikan, Hajrullah Paturri, akuzohet për dhunë fizike ndaj një gjyqtari të një ndeshjeje futbolli, gjatë një incidenti që ndodhi në stadiumin e qytetit të Krujës.