E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër e dyshimtë në zyrën e Presidentit gjerman

Punonjës të zyrës së Presidentit në Gjermani kanë zbuluar një letër, që dyshohej se mund të kishte lëndë shpërthyese. Policia e shpërtheu letrën e dyshuar në parkun e kështjellës Bellevue.

Letra i adresohej direkt Presidentit gjerman Joachim Gauck. Përmbajtja mund të kishte qenë tejet e rrezikshme por kontrollet funksionuan si duhet. Për presidentin Gauck nuk pati asnjë rrezik. Presidenti nuk ndodhej në selinë e tij në Berlin. Edhe për punonjësit e zyrës presidenciale nuk ka pasur për asnjë çast rrezik, bënë të ditur autoritetet.

Nëse letra përmbante vërtet lëndë shpërthyese apo ndonjë tjetër substancë të rrezikshme, sipas të dhënave të Zyrës Federale të Kriminalistikës, e cila po kryen hetimet për rastin, është ende e paqartë. Hetimet janë në vazhdim e sipër, tha një zëdhënëse e kësaj zyre në Wiesbaden.

Lënda që dyshohet se përmbante letra, HMTD, ka veti tejet shpërthyese

Shumë medie gjermane njoftojnë megjithatë se pluhuri që përmbante letra ishte një lëndë shumë shpërthyese e prodhuar me elemente bazë të thjeshtë, e njohur me shkurtimin HMDT. Shpërthimi i kontrolluar u bë nga një njësi speciale e policisë. Letra e dyshuar ishte gjetur fillimisht gjatë kontrolleve të postës dhe nuk ishte hapur.

Në zyrën e Kancelares në nëntor 2010 ishte zbuluar dhe më pas asgjesuar një paketë me lëndë shpërthyese, e nisur nga Greqia. Paketa bombë i ishte drejtuar atëherë personalisht Kancelares Angela Merkel./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›