E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Opozita të heqë dorë nga bllokimi”

25-10-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inauguron shkollë 9-vjeçare nr. 1 në Krujë, diskuton me nxënësit për ëndrrën evropiane

Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e rikonstruksionit shkollës 9-vjeçare nr. 1 në Krujë. Kjo shkollë, e cila i shtohet një serie objektesh të reja arsimore në të gjithë vendin, përbën një investim prej rreth 60 milion lekësh, me kapacitet prej 800 nxënës. Shkolla ka 24 klasa, 3 laboratorë (kimi, fizikë dhe biologji), 2 kabinete informatike, bibliotekën, muzeun e shkollës dhe një sallë multifunksionale për veprimtari ekstrakurrikulare, si dhe palestër të mbyllur. Gjatë 3 viteve 2009-2012, në Krujë janë ndërtuar dhe rindërtuar 5 objekte shkollore me vlerë të përgjithshme rreth 262 milion lekë. Kryeministri Berisha, i cili u prit nga nxënës, mësues e familjarë të mbledhur me këtë rast, pasi i uroi ata për shkollën e re, u shpreh se ky mjedis i pajisur më së miri me të gjitha kushtet e një shkolle moderne evropiane do të jetë nxitës për rezultate sa më të larta në garën e bukur dhe fisnike të dijes.
Kryeministri Berisha tha se, për këtë mazhorancë arsimi, shkollimi në kushte të mira, në kushte të njëjta me bashkëmoshatarët evropian përbënë përparësinë e të gjitha përparësive.
Gjithashtu Kryeministri garantoi nxënësit dhe mësuesit se gjatë mandatit që vjen çdo shkollë e këtij vendi do të jetë e ndërtuar rishtas ose e rindërtuar.
Kryeministri Berisha i bëri sërish thirrje opozitës të votojë 3 ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit kandidat.
Kryeministri foli edhe rreth kritikave të opozitës mbi inaugurimin e shkollave nga ai. “Kohët e fundit opozita kritikon kryeministrin pse inauguron shkolla të reja dhe pse në fjalimet e tij diskuton me nxënësit, mësuesit, prindërit dhe familjarët e nxënësve për ëndrrën më të bukur të tyre, ëndrrën Europiane. Unë dua ti garantoj ata se kritikat e tyre nuk me pengojnë mua dhe nuk do të më pengojnë kurrë në politikat e qarta tona për arsimin. Në rast se ndokush mërzitet se ne inaugurojmë shkolla të reja, në rast se ndokush mërzitet se ne kemi ndërtuar mbi 71 për qind të të gjitha shkollave të vendit, apo rindërtuar ato, i them se do mërzitet edhe me shumë se do ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë në Shqipëri dhe se arsimi për ne, mbetet objektivi ynë më madhor. Ne duam që fëmijët shqiptarë të shkollohen në shkollat më moderne. Në rast se ata mërziten, sepse së bashku diskutojmë për ëndrrën tonë Evropiane, për projektin tonë të madh gabojnë rëndë, do të diskutojmë dhe debatin, dialogun për këtë ëndërr do ta vazhdojmë së bashku, derisa ta bëjmë realitet të plotë, derisa në rrugën tonë të heqim çdo pengesë”, theksoi kreu i qeverisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›