E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi i rruzareve nga Shkodra në Vatikan

Një muaj punë vlen sa dy pula për disa familje shqiptare të ngujuara nga Kanuni

Andrea Milluzzo

Kodi i lashtë i nderit në Shqipërinë e Veriut, detyron edhe gratë të rrinë mbyllur në shtëpi me meshkujt që janë ngujuar për shkak të frikës nga vrasësi. Dhe dikush përfitoi për t’iu lidhur “kontrata” pune me paga të ulëta e për të ngritur një biznes për prodhimin e rruzareve, që përfundojnë më pas në rrugët rreth e rrotull Vatikanit dhe shiten shumë më shtrenjtë se paga e mjerueshme e punës artizanale. Nuk ka asnjë vepër penale në këtë mes, vetëm shumë turp për shfrytëzimin e këtyre qenieve të rëna në mjerim për të krijuar objekte devocioni.

Në Veri të Shqipërisë, në Shkodër – një qytet me rreth njëqind mijë banorë, ku shiu në këtë kohë është pothuajse gjithmonë padron i qytetit, e ku një qendër historike në ngjyra të shndritshme vetëm çorienton vëmendjen nga shtëpitë e vogla gri dhe rrugët e paasfaltuara - vepron edhe sot kodi i nderit, Kanuni. Ky sistem rregullash, ligjesh dhe sjelljesh me origjinë të lashtë (historianët e çojnë këtë kod deri në kohët e Perandorisë Bizantine, por gjurmët e tij gjendën vite më vonë), që është transmetuar gojë më gojë për të mbërritur deri në shekullin e njëzetë, parashikon edhe hakmarrjen.

Kjo do të thotë se në zonat më veriore të Shqipërisë, ku shoqëria është më e prapambetur se pjesa tjetër e vendit, nëse një familje hyn në gjak, duke vrarë nga një familje tjetër, kësaj të fundit i njihet e drejta për të marrë hak, e nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, mbulohen me turp. Familja që ka rënë në gjak nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të ndryshojë vendbanimin, ose të mbyllet brenda katër mureve të shtëpisë së re, me shpresën e faljes se kurrë nuk do të ndiqet nga gjakësi. Me siguri ju duket si praktikë e një epoke të shkuar, por vetëm para pak muajve një djalë u vra para syve të disa dëshmitarëve të heshtur në një bar në qendër të qytetit. Në Shkodër janë rreth 90 familje që po vuajnë nga Kanuni.

Humbur mes rrugëve të ngushta të qytetit, stadiumit të vjetër dhe shumë shtëpive rrethuar me hekura, jeton familja Papleka; dy bashkëshortët bashkë me djalin dhe vajzën e tyre, janë mbledhur në dhomën e ndenjës. Sapo ka mbërritur dhuratë nga dikush një kompjuter i vjetër. Në dhomë tymi i cigareve të panumërta zhytet mes perdeve dhe mureve ku qëndrojnë të varura portrete të gjyshërve dhe xhaxhallarëve që nuk jetojnë më. Teksa ka hequr këpucët dhe është ulur në divan, Paplekajt tregojnë sesi ndryshoi jeta e tyre në harkun e 5 vjetëve, kur në shtëpinë e tyre hyri Kanuni, për shkak të një vrasjeje që kishte bërë një kushëriri i tyre i largët. Kjo i detyroi që të lënë shtëpinë dhe tokën në fshatin e origjinës e të fshihen mes rrugëve të ngushta në një shtëpi të vogël në Shkodër. Që nuk ka qenë aspak e lehtë kjo, e kupton nga portreti i burrit të shtëpisë, tërësisht i mortifikuar nga qëndrimi i tij si i burgosur brenda atyre pak metrave katrorë të shtëpisë së tij, i cili nuk do as të prezantohet me emër. Me shikimin e përulur dhe në kërkim të vazhdueshëm të nikotinës (cigareve) ai shtyn ditët e tij. Ndërkohë që i biri shkon kundër dëshirës së tij në shkollë, gruaja përpiqet të mbajnë ekonominë e familjes që mezi mbijeton. Në karrigen e thurur është ulur mamaja, në një jastëk në tokë vajza, e cila mban në dorë një qese me rruzare, tela dhe dy pinca; mjetet e nevojshme për të bërë një rruzare. ǒështë e vërteta jo një rruzare, por plot 144 të tilla duhet të përfundojnë brenda 4 ditëve. “Mundohem t’ua bëj të lehtë. Por vetëm 30 minutat e para ama”, - mundohet të bëjë shaka gruaja, e cila edhe ajo ngurron që të na thotë emrin. Ngec mekanikisht fijen mes këmbëve, mbledh rruzaret që kanë rënë në tokë dhe me natyrshmërinë e dikujt që bën një gjest të zakonshëm vendos syzet dhe i futet punës së përditshme. Nuk e di liturgjinë e rruzareve sepse nuk është e besimit katolik. Rruzaret që mban mes duarve janë thjesht një punë që i sigurojnë familjes aq të ardhura sa për të blerë mish pule për këtë javë. Më parë punonte në një fabrikë këpucësh, por për shkak të një alergjie u detyrua të largohej nga puna. Pas kësaj punoi si rrobaqepëse në një fabrikë tekstilesh deri ditën që fabrika u mbyll dhe punëtoret mbetën mes katër rrugëve. Atëherë kunata i propozoi këtë mënyrë të re fitimi dhe prej 2 vjetësh, katër mëngjese ia dedikon pikërisht thurjes së rruzareve. “Në fillim mendoja se nuk do të ishte e vështirë, por pasi mbaroja punë ndjeja dhimbje në këmbë, më dhembte koka dhe më digjnin sytë. Kur mbaroj punë, nuk arrij të shoh as burrin tim”, - thotë ajo duke qeshur. E bashkëshorti, pavarësisht keqardhjes nuk rri dot pa iu kundërvënë ironisë së fatit: “Unë jam një parazit. Më parë kisha shtëpi, bagëti. Tani nuk mund të bëj asgjë”.

Ana është 35 vjeç por, nëse të kërkon që t’ia gjesh moshën, vështirë se do të dilte dikush që t’i jepte aq pak numra. Më flokë të gjatë e të zezë pisk si rrobat e saj, ajo është e detyruar që të mbajë zi që nga vrasja e burrit e derisa të vdesë. Fotot e bashkëshortit të vrarë janë kudo në dhomën e ndenjës të rrethuara me simbolika fetare dhe një rruzare rrethon njërën prej tyre. Ana dhe pesë fëmijët e saj janë viktima të Kanunit: vejusha dhe jetimët ndajnë një apartament ku soba zëvendëson aparaturat e shtrenjta për ngrohje dhe ku makaronat me veresi janë i vetmi ushqim që ata mund t’ia lejojnë vetes. Një parket fals prej linoleumi qëndron aty si për t’i kujtuar se qiraja e shtëpisë duhet paguar dhe që një borxh prej 100 mijë lekësh (të vjetra) duhet shlyer. Duart gati-gati pa thonj të dukshëm, gjuri si i një balerine dhe gishtat e verdhë prej cigares që e ndez çdo gjysmë orë, janë tri të dhënat bazë për të kuptuar se çfarë pune bën Ana...edhe ajo bën rruzare, nga ora 9:00 e mëngjesit deri në 15:00 pasdite. Pastaj merr një sy gjumë para se të ngrihet e të fillojë punët e shtëpisë, t’u gatuajë diçka fëmijëve, e ndihmuar dhe nga vajza më e madhe. Mendimet që i vijnë në kokë janë shumë, ambiciet jo dhe aq: “Unë jam e kënaqur me punën që bëj. Do doja vetëm që të më paguanin pak më shumë. Një herë tentova t’i kërkoja ngritje rroge pronarit, por mu përgjigjën se mund ta lë punën kur të dua”. Një kërkesë “babëzie” ajo e Anës, e cila kërkoi që të paguhej 20 lekë në vend të 18 lekëve që merr për çdo rruzare, që nëse do ka kthenim në euro i bie 7 cent ndoshta dhe më pak, seç merr ajo tani. Kjo është ajo që fitojnë këta njerëz duke bërë rruzare 7 deri në 8 cent për copë, me një total prek 17 mijë lekësh në muaj, ose thjesht fare i bie 2 kg mish pule në treg. Pa llogaritur këtu që vetëm pincat për të bërë rruzaret kushtojnë 11 mijë lekë, por të paktën Anës pincat ia ka sjellë i vëllai që jeton në Firence. Për Anën, kjo mund të jetë një mënyrë jetese e pranueshme, duke parë se jeta në Shkodër i ofron ca benefite më shumë, si i vëllai që jeton në emigrim ashtu edhe shoqata Italiane “Giovanni XXIII, që e ndihmojnë atë dhe familjen e saj.

Por dikush ka menduar se këto gra që janë të detyruara të qëndrojnë të mbyllura në shtëpi, mund të shfrytëzohen si krah pune për të ngritur një biznes artizanal, ku me kosto të ulët mund të sigurojnë fitime të mëdha.

Fabrika e rruzareve, në krizë nga konkurrenca e padrejtë

Lauretana është në Cusercoli, 70 kilometra larg Riminit, kur që nga koha e pasluftës ishin gratë e kësaj zone që jetonin duke bërë rruzare. Por sot, për fatin e tyre të keq, kjo lloj pune artizanale bëhet që nga Kina, Shqipëria, Ekuadori dhe Rumania. Dhe nuk është gjithmonë e lehtë për të vënë nën kontroll ndërmjetësit. “Zoti Beçuçi është një shitës, dhe pa të, ky qytet ndoshta do të ishte zhytur në krizë pas luftës, ashtu siç ndodhi me të gjithë fqinjët tanë. Duhet t’i bëjnë një monument, por në fakt as në varrezat e qytetit nuk e lejuan që të prehej”. Cusercoli, një provincë e vogël që përshkohet nga një lumë i vogël dhe ka si veçori shtëpitë prej guri, barin klasik në mes të qytetit dhe një fabrikë në Lauretana, krenaria e këtij vendi të vogël që prodhon rruzare. Mbërritëm në këtu nga Rimini, ku shitësit e këtij qyteti nga drejtuan në Lauretana, si fabrika nga ku furnizonin dyqanet e tyre me artikuj. Në fakt, kjo fabrikë e vogël që sot numëron rreth 14 punëtorë, ka një histori të denjë për t’u nderuar. “Shumë gra të kësaj province bënin rruzare për të sjellë ca para më shumë në shtëpitë e tyre, - të rrëfejnë vendalinjtë; - atëherë kur pas luftës nuk gjeje dot punë ose gjejë shumë rrallë, zoti Beçuçi, u propozoi këtë punë dhe kështu shumë familje arritën t’i mbijetonin varfërisë”. Kjo, megjithatë është një histori nga e kaluara, sot ky vend është zhytur në krizë. “Po Kina ofron krahë pune më të lirë, pas saj vjen Shqipëria. Ne punojmë me 35-40 cent për një rruzare. Por kanë filluar të prodhojnë edhe në Ekuador, Rumani dhe Çeki…”. Kjo fabrikë ka lidhur marrëveshje me Romën dhe Vatikanin për prodhimet e tyre, madje nga këtu vijnë dhe rruzaret e Papës. Por nga Toma dhe Vatikani vjen njoftimi se me konkurrencën kineze fabrika duhet të ndryshojë marshin e biznesit për të kërkuar ngritjen e filialeve jashtë vendit. “Ne kemi arritur të shesim deri në Zelandën e Re”, - thonë pronarët e sotëm të fabrikës, të cilët tashmë janë në krizë nga konkurrenca e padrejtë e krahut të lirë të punës që gjendet sidomos në Kinë dhe Shqipëri. Përgatiti: Aida Tuci

Repubblica

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›