E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushë-Kruja, e para bashki që merr kredi tregtare

Zyra e Ismet Mavriqit, kryebashkiak i Fushë-Krujës, është paksa ndryshe nga zyrat e kryebashkiakëve të tjerë. Mbi tavolinën e tij të punës varet fotografia ku Marviqi ka dalë duke përqafuar Presidentin George Bush, ndërsa i jepte titullin "Qytetar Nderi". Krahas fotos, një patkua kali synon të largojë syrin e keq. Përballë, asgjë më pak se Napoleon Bonaparti të sheh ngultas në një kopje të tablosë së famshme të Jacques-Louis David. Në të majtë ka Skënderbeun mbi kalë, ndërsa në një raft në të djathtë, një skulpturë klasike paraqet një romak që më ngjan me vetë Jul Cezarin.

"Ju jeni nga të paktët kryebashkiakë në të gjithë botën që keni shtrënguar duart me Presidentin Bush", - u shpreh zëvendësministri i Financave, Florion Mima.

Mavriqi nënshkroi dje një kontratë kredie për llogari të Bashkisë së Fushë-Krujës me një bankë private, gjë që ndodh për herë të parë në Shqipëri. Vitin e kaluar, me asistencën e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Ndihmë Ndërkombëtare, USAID, qeveria miratoi një ligj që i lejon pushtetit vendor të emetojë borxh publik. Me ndihmën e USAID, Bashkia e Fushë-Krujës arriti të paraqesë një bilanc të besueshëm dhe një plan biznesi fizibël te bankat, ku siguroi një kredi prej 100 milionë lekësh. Kredia, e cila ka një interes prej bono thesari 6-mujore plus 3.08 për qind, do të shlyhet në tetë vitet e ardhshme. E kolateralizuar me shpenzimet që Bashkia e Fushë-Krujës përdor për investime, kredia do të përdoret për të ndërtuar një unazë të jashtme në veri të qytetit, rrugë që do të lidhë rrugën e vjetër të veriut me superstradën Tiranë-Lezhë. Unaza e re do të heqë trafikun e mjeteve të rënda nga qendra e qytetit, përfshirë edhe mjetet e fabrikës së çimentos e atë të tullave, që gjë do të krijojë një qendër qyteti më të banueshme, më pak të rrezikshme e më pak të ndotur. Në rast se Bashkia e Fushë-Krujës për ndonjë arsye nuk arrin të shlyejë kredinë, atëherë Ministria e Financave do ta shlyejë për të.

Decentralizimi

"Huaja e parë tregtare për një njësi vendore përfaqëson një gur themeli për procesin e decentralizimit në Shqipëri", - u shpreh drejtoresha e misionit të USAID, Roberta Mahoney.

"Ky ishte një projekt shumë fizibël dhe ne jemi të lumtur që po e financojmë", - tha drejtori i BKT, Pekhan Isipek.

USAID prej vitesh përpiqet të ndihmojë në decentralizimin e pushtetit në Shqipëri, ku pothuajse i gjithë pushteti i takon qeverisë qendrore. Vetëm 5 për qind e taksave që paguajnë shqiptarët menaxhohen nga pushteti vendor. Për pasojë, bashkitë dhe komunat detyrohen t‘i drejtohen qeverisë qendrore për të kërkuar financime edhe për projekte me përmasa të papërfillshme. Deri më sot, nuk është diskutuar në asnjë rast që bashkitë dhe komunat të menaxhojnë një pjesë më të madhe të taksave, por me ligjin e ri për huamarrjen e pushtetit vendor, bashkitë dhe komunat do të kenë të drejtë të dorëzojnë atë që i mbetet nga të ardhurat pas shlyerjes së pagave si peng në banka për të kërkuar kredi. Teorikisht, kreditë mund të përdoren si levë financiare duke sjellë më shumë biznes, por në rast se projektet e financuara me kredi rezultojnë të gabuara, bashkitë rrezikojnë të kalojnë shumë vite pa asnjë lek për investime. Rreziku i moskthimit në rastin e Fushë-Krujës është i vogël, për shkak se fabrika më e madhe e çimentos në vend gjendet aty dhe një fabrikë e dytë është duke u ndërtuar. Por shumë bashki të tjera në vend nuk kanë një fabrikë të përmasave të tilla dhe vështirë se mund të kenë të ardhura për të justifikuar marrjen e kredive.

Projekti i Fushë-Krujës

Ndryshe nga shumë qyteza të Shqipërisë, Fushë-Kruja i gëzohet fabrikës së çimentos, e cila paguan 22 milionë lekë taksa vendore në vit. Të ardhurat e bashkisë janë 162 milionë lekë, gjysma e të cilave furnizohen nga granti i kushtëzuar i pushtetit qendror. Investimet janë 22-23 milionë lekë në vit, ose aq sa janë edhe taksat e paguara nga fabrika. Këto para do të përdoren gjatë viteve të ardhshme për të paguar kredinë e marrë në bankë. Kredia do të përdoret për ndërtimin e një segmenti rrugor. Unaza e re do të kalojë pranë një fushe të përzgjedhur për ndërtimin e industrisë së lehtë, gjë që nëse del me sukses, do të afrojë në qytet më shumë biznese. Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Transporteve, tek Unaza e re e Fushë-Krujës "do të kalojnë 10 mijë makina në ditë, ose 430 makina në orë, nga të cilat mbi 5700 makina do të jenë të tonazhit të rëndë". Vlerësimi duket ca i fryrë.

Interesat

Fushë-Kruja, kredi më të lirë se qeveria

Bashkia e një qyteze me 12 mijë banorë arriti të sigurojë një kredi shumë më të lirë sesa qeveria qendrore. Fushë-Kruja organizoi një tender për të marrë 100 milionë lekë kredi dhe e siguroi atë përkundrejt interesit Bono Thesari 6-mujore plus 3 për qind, gjë që me kushtet aktuale të tregut, do të thotë se do të paguajë rreth 10.5 për qind interes. Kredia është në lekë dhe nuk e mbart rrezikun e kursit të këmbimit. Qeveria qendrore mori muajin e kaluar 250 milionë euro kredi me normë interesi Euribor plus 9.65 për qind, që me kushtet aktuale të tregut do të thotë se do të paguhet mbi 11.5 për qind. Kredia mund të shtrenjtohet edhe më shumë sipas një klauzole në kontratë. Ndryshe nga Bashkia e Fushë-Krujës, qeveria e mori kredinë me prokurim të drejtpërdrejtë, gjë që dha edhe interesa më të larta. Gjithsesi, edhe në rastin e kredisë për Fushë-Krujën, ka një element që i shqetëson disi specialistët, pasi bonot e thesarit janë në vetvete kredi dhe një institucion publik nuk ka pse të marrë kredi më të shtrenjtë sesa bonot e thesarit, për sa kohë shlyerja e kredisë garantohet nga buxheti i shtetit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›