E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: ëndrra e botës islame, këtu është realitet

Ajo që sot për sot shihet si shpresë për jetën e Egjiptit dhe pjesës tjetër të botës islame është realitet në Shqipëri. Fjalimi i Presidentit amerikan, Barak Obama, në Kajro të Egjiptit, është komentuar edhe nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John Withers, në një takim me të rinj në Durrës, duke përçuar mesazhet e një bashkëjetese harmonike mes besimeve fetare dhe të qenit mbi të gjitha të një bote të qytetëruar që udhëhiqet nga parimet e tolerancës dhe dinjitetit human.

Një mikroambient social rinor, i mbushur me përfaqësues të besimit mysliman dhe atyre të besimeve të tjera, në sallën e aktiviteteve të Qendrës Kulturore të Durrësit, ka hequr paralele në pothuajse të njëjtat orare me takimin që Presidenti Obama zhvillonte në Universitetin e Kajros, duke thyer distancat e vendosura mes SHBA-së dhe botës islame gjatë tetë viteve të fundit.

"Presidenti Obama ka aftësi shumë të mira komunikimi dhe fjalimi i tij padyshim do të jetë i shkëlqyer, por ai fjalim do të kishte qenë akoma dhe më i arrirë nëse Obama do të kishte ardhur në Shqipëri, këtu në Durrës, para shkuarjes në Egjipt. Ato që ai i sheh si shpresë në jetën e Egjiptit dhe më tutje, janë realitet këtu", deklaroi ambasadori, pasi ndoqi mbylljen e një projekti të financuar nga ambasada amerikane në Tiranë, nëpërmjet Institutit për Zhvillim dhe Kërkim (IDRA), për nxitjen e edukimit qytetar, tolerancës dhe sjelljeve të moderuara, si tipare dalluese të shoqërisë.

Në aktivitet morën pjesë edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Selim Muça, përfaqësues të Komunitetit Ortodoks në vend, kryetari i Bashkisë së Durrësit, drejtues të arsimit, si dhe nxënës e mësues të shkollës së mesme jopublike "Mustafa Varoshi" dhe shkollës së mesme publike "Gjergj Kastrioti". Ambasada amerikane në Tiranë, prej disa vitesh, ka ofruar grante për promovimin e tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar dhe për të mbështetur mësimin e çështjeve qytetare dhe tolerancës fetare në shkollat e mesme, kryesisht për shkollat e drejtuara nga organizata me bazë besimin fetar.

Me gjithë traditën tolerante në çështje fetare, shoqëria është ekspozuar ndaj një numri ndikimesh të jashtme. Prej katër vitesh përfituese dhe zbatuese e këtyre projekteve është dhe medreseja e vajzave "Mustafa Varoshi" në qytetin e Durrësit, e cila këtë vit e ka ndarë projektin e saj me një nga gjimnazet më të njohura publike në qytet, atë "Gjergj Kastrioti".

Duke ndjekur prezantimet e dy problemeve të evidentuara nga dy shkollat, nxjerrjen e përgjegjësive dhe dhënien e alternativave për zgjidhje, ambasadori amerikan Withers falënderoi nxënëset për mënyrën e thellë të njohjes, prezantimit dhe marrjes së përgjegjësive konkrete ndaj problemeve, duke u thënë se ato u kthyen në "mësuese të tij": "Për sa kohë që të kemi të rinj si ju që njohin, analizojnë dhe përcaktojnë e marrin përgjegjësi, e ardhmja e Shqipërisë është në duar të sigurta".

Medreseja e vajzave të Durrësit e kishte fokusuar punën e saj në kuadër të projektit për edukim fetar e qytetar në sistemin shëndetësor shqiptar dhe fenomenet e mitëmarrjes dhe mitëdhënies, ndërsa gjimnazi "Gjergj Kastrioti", në situatën e kanalizimeve dhe përmbytjeve të qytetit të Durrësit në sezon reshjesh.

Sipas organizatorëve, projektet të cilat mbështesin mirëkuptimin ndërfetar dhe përforcojnë edukimin qytetar në shkollat fetare, ndihmojnë për të siguruar ruajtjen e traditës.

Withers u largua nga Durrësi me një kujtim të bukur, që u fiksua dhe në celuloid e iu dhurua për ta pasur në shenjë të vlerësimit dhe këtij projekti që përcjell mesazhet e paqes dhe të një rinie që sheh përtej bindjeve fetare, përtej besimit dhe përpiqet për një shoqëri më të mirë.

Financimi

Projekte për edukimin

qytetar dhe tolerancën

Ambasada amerikane në Tiranë, nëpërmjet Institutit për Zhvillim dhe Kërkim (IDRA) financon projekte për nxitjen e edukimit qytetar, tolerancës dhe sjelljeve të moderuara, si tipare dalluese të shoqërisë. Prej katër vitesh, përfituese dhe zbatuese e këtyre projekteve është dhe medreseja e vajzave "Mustafa Varoshi" në qytetin e Durrësit, e cila këtë vit e ka ndarë projektin e saj me një nga gjimnazet më të njohura publike në qytet, atë "Gjergj Kastrioti".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›