E Diel, 1 Nëntor 2026

Letërsia shqipe, takim në Athinë

07/07/2010 Një takim poetik mbi letërsinë bashkëkohore shqipe. Ka qenë ky aktiviteti i organizuar më 22 qershor në qendrën më të madhe kulturore “Public” në Athinë, i ftuar special i të të cilit ishte poeti Ermir Nika.

Në këtë takim, i cili u moderua nga znj. Floriana Paskali, atashe kulturore në ambasadën shqiptare në shtetin grek, u mbajtën leksione nga shkrimtarët Romeo Çollaku dhe Ermir Nika mbi periudhat letrare nëpër të cilat ka depërtuar historia e letërsisë shqipe. Njëkohësisht për publikun e pranishëm në këtë takim u recituan poezi në gjuhën greke nga poetët, Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Gentian Çoçoli, Çelo Hoxha dhe Ermir Nika. Gjatë kohës që interpretuesit lexonin poezitë e zgjedhura nga autorët shqiptarë, artisti Eno Kalo luante në kitarë krijimtari të zgjedhur nga repertori i kompozitorëve botërorë. Vlen të theksohet se në këtë institucion me rëndësi në jetën kulturore të Greqisë, ishte hera e parë që organizohej një takim i tillë për poezinë shqipe.

Po ashtu, në datën 23 qershor, në “Athens Centre”, për herë të parë u organizua një mbrëmje e veçantë kushtuar kulturës shqiptare. Në këtë takim ishin përzgjedhur vargjet e poetit Ermir Nika, të cilat u interpretuan në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. Në këtë takim, i cili për herë të parë arrinte në nivele të tilla, për publikun grek dhe atë amerikan, poeti Ermir Nika mbajti një referat mbi poezinë dhe krijimtarinë e tij në tërësi. Interpretimi i poezive pati reagime emocionante nga salla dhe duartrokitje, që përligjnin gjendjen që përcillnin poezitë e Nikës për publikun e huaj. Më tej, sipas programit, u bë një prezantim në monitor i biografisë krijuese të Gjergj Fishtës dhe leximit të vargjeve të zgjedhura të veprës më të rëndësishme të tij, “Lahuta e Malcisë” në gjuhën angleze, nën përkthimin e albanologut të shquar Robert Elsie. Një surprizë ishte çasti kur moderatori i kësaj mbrëmjeje letrare, piktori Leonard Voci, bëri të mundur për publikun amerikan dhe grek të dëgjohej edhe një pjesë e zgjedhur nga “Lahuta e Malcisë”, nën interpretimin dhe zërin origjinal të vetë At Gjergj Fishtës. Në pjesën e tretë të kësaj ceremonie dedikuar kulturës shqiptare, u realizua edhe një ekspozitë me piktura nga krijimtaria e piktorit Leonard Voci. Publiku i pranishëm shprehu konsiderata pozitive për vlerat që bart kultura shqipe, “ky oaz pak i njohur i kulturës dhe qytetërimit botëror”. Të dyja evenimentet u përshkruan gjerësisht nga media e shkruar greke, sidomos nga gazetat kulturore dhe informative në gjuhën shqipe që botohen në Greqi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›