E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asfaltohen 10 km e parë të autostradës Levan –Vlorë

07/07/2010 Mbyllen problemet. Olldashi: Punimet do të përfundojnë brenda verës 2011

Punimet në autostradën Levan-Vlorë kanë rinisur për të përfunduar brenda një viti. Për këtë qëllim në terren ka qenë dhe ministri i Transporteve, i cili ka kërkuar respektimin e cilësisë si dhe realizimin e plotë të projektit.

Ndërsa në të gjithë segmentin po punohet intensivisht dhe progresi është më se i dukshëm. Punimet në këtë autostradë kanë pasur një fillim jo të mirë si rezultat i mungesës së organizimit dhe mobilizimit të firmës kontraktuale “Alpin-Bau” dhe të problematikave të saj të brendshme me nënkontraktorët. Për të monitoruar punimet, si dhe për të kërkuar një zbatim korrekt të projektit ministri Olldashi zhvilloi inspektim të këtij segmenti. Ndërsa gjatë monitorimit ai u shpreh “Jemi në kulmin e punimeve në sektorin e rrugëve, inspektimi i tanishëm në segmentin Levan –Vlorë është mjaft pozitiv. Është një projekt me të cilin ne kemi pasur probleme jo të vogla, probleme të cilat përfundimisht duket se janë zgjidhur, dhe progresi i punëve tregon që ka një ndryshim rrënjësor të situatës”.

Ndërkohë në monitorim të situatës Olldashi u shoqërua dhe prej menaxherit të firmës kontraktuale “Alpine –Bau” ku theksoi kapërcimin e problemeve të shfaqura dhe rritjen e intensitetit të punimeve. “Ne kishim disa probleme, të cilat tashmë i kemi zgjidhur dhe po punojmë intensivisht në realizimin e këtij projekti dhe mbas disa muajsh progresi do të jetë edhe më i dukshëm në të gjithë segmentin”, tha ai.

Kompania ka bërë një ndryshim të detyruar të të gjithë stafit drejtues dhe të nënkontraktorëve dhe ka filluar mobilizimin e plotë të punimeve sidomos në pjesët kritike të këtij segmenti siç është ura e Ferrasit dhe ajo e Vjosës, të cilat duhet të përfundojnë brenda këtij viti. Autostrada Levan –Vlorë ka një gjatësi prej 25 km, gjerësi prej 31.5 km dhe përbëhet nga 4-korsi. Një tjetër element që i shtohet punimeve cilësore është dhe parashikimi për një shpejtësi qarkullimi më të lartë nga sa lejohet deri më tani në Shqipëri. Sipas parashikimeve të vendosura në projekt, shpejtësia e lëvizjes së mjeteve do të jetë 120-130km/orë. Ndërsa pritet që punimet të përfundojnë në verën e vitin 2011. Ndërkohë që ky segment është në vijimësi të projekteve për krijimin e rrugëve moderne dhe të standardeve evropiane. Kjo si për rrugët nacionale ashtu dhe për projektet e nisura në rrugët rurale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›