E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letoni, Basha urohet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO

Në takimin e vendeve të Adriatikut dhe Baltikut, Shqipëria dhe Kroacia morën urime për anëtarësimin në NATO në samitin e 3 prillit. Në këtë takim merrte pjesë ministri i Jashtëm shqiptarë. Zyrtarët mbështetën integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. 

LETONI- Ministrat e Jashtëm nga vendet Baltike dhe vendet e Adriatikut, të mbledhur në Rige të Letonisë, kanë uruar Shqipërinë dhe Kroacinë për anëtarësimin e tyre në NATO, ku pikërisht në takimin e 3 prillit në Strasburg do të bëhet dhe zyrtarizimi i pranimit të këtyre vendeve si anëtarë me të drejta të plota.
Ministrat e Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Estonisë, Kroacisë, Maqedonisë, Letoninsë dhe Lituanisë si dhe përfaqësues të Malit të Zi dhe të SHBA-ve morën pjesë në takimin Adriatiko-Baltik të Atlantikut. Të gjithë shprehën mbështetjen për vendet e Ballkanit Perëndimor që të vazhdojnë rrugën e integrimit në NATO. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulëzim Basha vlerësoi lart bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. "Ne presim ditën kur Kosova dhe Serbia do të na bashkohen", tha Basha duke iu referuar anëtarësimit në NATO.
“Ka prova të qarta se kjo politikë e dyerve të hapura është sukses. Një sukses që ka përmirësuar zonën e sigurisë, por edhe të demokracisë, lirisë, respektit të të drejtave të njeriut në Ballkanin Juglindor,- ka thënë Basha gjatë konferencës për shtyp pas këtij takimi.
Në deklaratën e përbashkët pas takimit u konfirmuan vlerat e bashkëpunimit politik, ekonomik të mbrojtjes mes këtyre vendeve të përfaqësuara në takim. Për herë të parë në këtë takim morën pjesë dhe dy anëtarë nga Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi. Gjithashtu shefat e diplomacive të këtyre vendeve shprehën miratimin dhe vlerësimin për zgjedhjet e zhvilluara në fundjavë në Maqedoni.

(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›