Letra/ E majta e pandryshuar shqiptare

Fushatat zgjedhore rëndom paraqesin momentin paraelektoral, kur partitë politike paraqesin platformat dhe programet qeverisëse me të cilat potencialishtë do të qeverisnin nëse fitojnë në zgjedhje. Gjithashtu, në këtë moment paraelektoral, partitë (sidomos ato opozitare) ofrojnë një imazh politik/programor të ndryshëm nga cikli i zgjedhjeve të kaluara (në këtë rast të humbura), dhe synojnë që fushatën e tyre të bindjes së elektoratit ta mbështesin në dhënien e alternativave ndryshe nga ato të qeverisë/partisë në pushtet. Poashtu, alternativa opozitare duhet të jetë e ndryshme nga alternativa që ajo ka ofruar në zgjedhjet e humbura paraprake, e në rastin e të majtës shqiptare, kjo alternativ duhet të jetë e ndërtuar mbi dështimet e qeverisjes aktuale dhe zgjidhjeve që kjo do të ofronte kundrejt këtyre mosrealizimeve a keqrealizimeve.
Siç duket, kjo e majtë opozitare është tërësisht e pandryshuar nga ajo e majtë që humbi zgjedhjet e kaluara, për faktin se edhe kjo fushatë e saj kundër të djathtës, atëherë (2005) në opozitë e sot në pushtet, është e mbështetur në bëmat ose mosbëmat e PD-së në vitin ’97. Pa u marrë me këto akuza, ky “argument” është i konsumuar dhe i dështuar dhe pikërisht me këtë argument e majta shqiptare i humbi zgjedhjet dhe mund t’i humbë përsëri. E majta duke e ndërtuar parullën e vet të “ndryshimit” mbi akuzat e përsëritura nga fushata e 2005-ës, rrezikon të jetë tejet jokoherente, joatraktive dhe shterpë në aspektin politik/programor kundrejt rrethanave të ndryshuara në të cilat ndodhet Shqipëria. Duke e ndërtuar fushatën mbi akuza të së kaluarës, e majta tregon se argumentet e saj kundër qeverisë aktuale në mandatin 2005-2009 janë të pakta dhe të pamjaftueshme për t’ia marrë asaj mandatin për të qeverisur. Nga këndvështrimi i votuesit shqiptar, e majta duket e njejtë dhe e pandryshuar nga ajo e majtë që humbi në vitin 2005, kundrejtë të djathtës që ndryshoi Shqipërinë përmes ndryshimit të shkollës/modelit të qeverisjes. Prandaj kjo edhe do të jetë përparësia e mazhorancës aktuale në këto zgjedhje: mos-pasja e alternativës serioze nga e majta ndaj shkollës qeverisëse të djathtë, që dha këto ndryshime që i shohim.
Strategjia e të majtës që çdo fatkeqësi, aksident dhe krizë t’ia mveshë si përgjegjësi qeverisë dhe mazhorancës (PD), e bën përsëri joserioze, të padenjë dhe të vjetër (si e majta e 2005), për të konkuruar bindshmëm në këto zgjedhje. Tendenca e saj që zgjedhjet t’i fitojë duke e manifestuar Gërdecin, rrezikon që atë ta nxjerrë skandaloze si kur e vajtonte Trebickën. Padyshim që Gërdeci ishte një aksident i tmerrshëm, që mund të ndodhte në çdo kohë, kur në pushtet të ketë qenë e majta apo e djathta, dhe për këtë do të ketë drejtësi. Por, duhet rikujtuar që fajtori kryesor për këtë është Enver Hoxha, diktatori i çmendur që nuk u mjaftua me tmerret që ia shkaktoi shqiptarëve, por u la atyre një mal me barut për t’i dëmtuar edhe atëherë kur nuk do të ishte vetë gjallë. Gërdeci është një prej krimeve të tmerrshme të komunizmit të cilat e majta shqiptare nuk po pranon t’i dënoj.
Përfundimisht, duhet thënë që e majta shqiptare mbetet e pandryshuar, simuluese/stimuluese krizash dhe joatraktive kundrejt të djathtës që po realizon tri objektiva të mëdha: antarësimin e Shqipërisë në NATO, afrimin e saj shumë më pranë BE-së dhe ndërtimin e rrugës së shqiptarëve. Ky është ndryshimi real, ndryshimi i këtij ndryshimi do të thotë kthim te stagnimi që u ndryshua më 2005
...