Berisha, leksion në Gjermani për vitet 89-90 dhe erën e ndryshimit në Shqipëri
Kryeministri Sali Berisha e ka mbajtur leksionin para një audience shumë të përzgjedhur politikanësh, publicistësh e biznesmenësh, të thirrur nga drejtuesit kryesorë të fondacionit prestigjioz “Konrad Adenauer”
Kryetari i Fondacionit Majkëll Thilen: “Sali Berisha, disidenti i parë i Shqipërisë, reformator dhe përkrahës i hapjes së vendit”
“Ju keni hapur vendin tuaj ndaj botës për investime të mëdha ekonomike. Keni zgjeruar marrëdhëniet e mira ekonomike me vendet e Ballkanit. Keni çuar përpara luftën kundër korrupsionit. Keni vënë në jetë reforma të rëndësishme në drejtësi”. Me këtë fjalë, Sekretari i Përgjithshëm i Fondacionit Konrad Adenauer, Micheal Thielen ka vlerësuar dje reformat e qeverisë Berisha. Kryeministri Sali Berisha po zhvillon një vizitë pune në Gjermani, me ftesë të Fondacionit Konrad Adenauer, për të marrë pjesë në konferencën me temë “Vitet 1989-1990: era e ndryshimit në Shqipëri”. Si i ftuar special nga Fondacioni Konrad Adenauer, për të marrë pjesë në konferencën me temë “Vitet 1989-1990: era e ndryshimit në Shqipëri”, kryeministri Berisha ka shpalosur përpara personaliteteve më të larta të Gjermanisë eksperiencën e shtetit shqiptar në rrëzimin e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, rindërtimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë të cilat tashmë do të kurorëzohen me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Fondacionit Konrad Adenauer, njihet si fondacion i afërt me Partinë Kristiandemokrate, CDU, të kancelares Angela Merkel. Vizita në Fondacionin Konrad Adenauer, konsiderohet si shenjë miqësie mes CDU-së dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Kreu i qeverisë mbajti mbrëmë një kumtesë përpara një audience të gjerë politikanësh, intelektualësh, akademikësh dhe personaliteteve nga fusha e biznesit gjerman e më gjerë.
Sali Berisha
Në fjalën e tij, fillimisht kryeministri Berisha është ndalur pikërisht në vitin 1989, vit i cili shënon në historinë e Gjermanisë por edhe të botës rënien e murit të Berlinit duke e konsideruar këtë ngjarje si historinë më të madhe të njerëzimit për shekullin e 20-të, pas Luftës së Dytë Botërore. Kryeministri ka theksuar se rënia e murit të Berlinit shënoi hapjen e portës së mbyllur të lirisë për mbi 400 milion qytetarë evropianë dhe të Azisë Qendrore, fitimin e dinjitetit njerëzor të munguar. “Rënia e Murit të Berlinit, mur që shtrihej nga detërat e Veriut, në Kanalin e Korfuzit, shënoi fundin e rrethimit të lirisë në Evropë dhe botë si edhe fundin e shpejtë të sistemit më tragjik, më çnjerëzor që kohërat kanë njohur”, u shpreh Berisha. Gjithashtu kreu i ekzekutivit shqiptar ka nënvizuar se rënia e Murit të Berlinit ishte rezultat i një seri faktorëve, ndër të cilët si përcaktues ka veçuar krijimin e NATO-s dhe konsolidimit të saj si aleancë që frenoi me sukses të madh ekspansionin sovjetik në Evropë. Në këtë kontekst kryeministri Berisha ka theksuar se pa themelimin dhe konsolidimin e Aleancës se Atlantikut te Veriut, paranoja ekspansioniste e Kremlinit te kuq dhe satelitëve të tij, nuk do të kishte të ndalur. Fatin e Çekosllovakisë, pushtimi i se cilës erdhi vetëm e vetëm se ajo tentoi të hapej dhe të lidhej me Perëndimin, Kremlini do të donte t’ua rezervonte edhe shumë vendeve të tjera në perëndim, në veri dhe në jug të kontinentit.
Kryeministri ka vlerësuar se NATO ka qenë faktori më madhor, që frenoi me sukses të plotë sovjetizimin e Evropës nga Kremlini dhe bëri të mundur, që perdja e hekurt, Muri i Berlinit, të shndërrohej në fund, në një mur apo perde kashte. Duke u kthyer në ngjarjet e Shqipërisë gjatë asaj kohe kryeministri ka theksuar se për shqiptarët që përjetonin izolimin më të thellë në tërë historinë e tyre, “Papa Gjon Pali i dytë do të mbetet përgjithmonë miku i madh dhe i shquar i tyre, që nuk i harroi ata edhe kur të tjerë i kishin harruar, apo kur ishin zhytur në vet’harresën më të thellë të historisë tyre”, u shpreh Berisha.
Në memorien e kombit shqiptar kryeministri ka theksuar se do të mbeten gjithmonë të paharruara thirrjet dhe mesazhet që ai ju drejtoi shqiptarëve nga Brindisi, në vitet 1980 dhe 1982, në mbrojtje të lirive të tyre. Kryeministri ka vënë në dukje gjithashtu se pas përmbysjes se diktaturës Shqipëria do të ishte vendi i parë në Ballkan që ai do të vizitonte më 23 prill 1993. “Ndjehem krenar dhe i bekuar se unë dhe bashkëqytetarët e mij, patëm mundësinë të dëshmonin me pritjen tonë dashurinë dhe mirënjohjen me të madhe” është shprehur kryeministri. Gjithashtu ai ka kujtuar se pas themelimit të opozitës shqiptare, Helmut Kol do të ishte kryeministri i parë i një vendi të madh të Evropës që do ta takonte si lider i opozitës shqiptare në pranverën e vitit ‘91 dhe më pas, pas fitores së demokracisë, ai ishte burri i shtetit që ka takuar më shpesh si President i Shqipërisë, dhe që ndihmoi më shumë se kushdo tjetër Shqipërinë në ndërtimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
Kryeministri Berisha ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për “burrin më të madh të tokës gjermane” pas Bismarkut, mikun e madh të kombit shqiptar Kancelarin Helmut Kohl. Gjithashtu kryeministri Berisha e ka konsideruar pjesëmarrjen e tij në këtë konferencë si një rast i veçantë për të shprehur mirënjohjen e tij më të thellë mikut të madh të kombit shqiptar dhe të tij personal Presidentit Bush për shërbimin e madh që i bëri lirisë botërore me qëndrimin e tij vizionar ndaj shembjes së Murit të Berlinit dhe ndihmën e madhe që i dha Shqipërisë në përmbysjen e diktaturës komuniste. “Kam pasur fatin ta takoj në Shtëpinë e Bardhe, ta pres dy herë në Shqipëri, pas largimit nga detyra, të dëshmojë mirënjohjen dhe ndjenjat më miqësore për kontributin e tij në lirinë e shqiptarëve, Evropës dhe Botës. Ndër të gjitha vendet e Evropës ish-komuniste, në Shqipëri sundonte forma më e egër, më totalitare e regjimit komunist. 22 marsi 1992 shënon fillimin e ndërtimit te sistemit demokratik dhe ekonomisë se tregut ne Shqipëri” është shprehur kryeministri.
Duke vijuar më tej në fjalën e tij kryeministri ka vënë në dukje se më 22 mars Shqipëria ishte në një kolaps të plotë ekonomik. Në këtë kontekst kryeministri tha se qeveria e dalë nga zgjedhjet procedoi me reforma të thella e të gjithanshme, te cilat bene te mundur hedhjen e themeleve te rendit demokratik te bazuar ne ekonominë e tregut.
Duke u referuar ngjarjeve të Shqipërisë gjatë asaj kohe kryeministri ka theksuar se se ndër të gjitha vendet e Evropës ish-komuniste, në Shqipëri sundonte forma më e egër, më totalitare e regjimit komunist. Duke e cilësuar figurën e diktatorit Enver Hoxha si Hitlerin e pasluftës kryeministri theksoi se për 45 vjet në Shqipëri u vendos forma më ekstreme e monizmit apo totalitarizmi më total. “Dora e hekurt e sistemit diktatorial në Shqipëri ndaloi me kushtetutë dhe ligj, liritë dhe drejtat themelore të njeriut, asgjësoi pronën private, iu shtetëzoi qytetarëve shqiptarë çdo gjë tokën, pasuritë gjer dhe trojet e shtëpive, dhe vendosi sistemin e hiper-kolektivizmit apo të shndërrimit të njeriut në skllav të vërtetë të shtetit socialist”, citoi më tej Berisha. Në mënyrë të veçantë kryeministri theksoi aktin e paprecedent në historinë shekullore të vendit, barbarinë kulturore të paparë ndonjëherë duke rrënuar të gjitha kishat, xhamitë, teqetë e vendit, ndër më të bukurat dhe më të vjetrat e rajonit. Duke vijuar më tej kryeministri Berisha ka theksuar se regjimi i Enver Hoxhës ekzekutoi me gjyq dhe pa gjyq qytetarët shqiptarë mbi dy herë më shumë se sa të gjithë klikat komuniste të Polonisë, Çekosllovakisë, Bullgarisë, Rumanisë, Ish Jugosllavisë dhe Hungarisë (përveç kohës së revolucionit). Duke u kthyer në kohë kryeministri theksoi se në pranverën dhe verën e vitit ’90, pasi regjimi hoqi nga Kodi Penal largimin nga vendi si tradhti e lartë, qindra të rinj u ekzekutuan në kufijtë e saj, në tentativë për tu larguar nga vendi dhe në disa raste trupat e tyre të vdekur u shëtitën në rrugët e qyteteve si Shkodra Saranda etj. Ndërsa nënvizoi se gjendja asaj kohe në Shqipëri ishte jashtë çdo imagjinate njerëzore, kryeministri theksoi se tek çdo shqiptar flladi i lirisë, pas rënies së Murit të Berlinit, nisi të ndjehet. Kryeministri nënvizoi gjithashtu dhe revoltën e madhe studentore të vitit 1990, e cila sipas tij ishte një manifestim i kurajës së qytetarëve dhe intelektualëve, të cilët kundër regjimit kërkonin fitoren e lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor.
Takimi me Micheal Thielen
Sekretari i Përgjithshëm Micheal Thielen, përshëndeti në konferencën e Fondacionit Konrad Adenauer, prezencën e Kryeministrit shqiptar Sali Berisha si bashkëthemeluesin e Partisë Demokratike. “Ju keni qenë në krye të partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, ju keni qenë disidenti i parë i Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe ju keni çuar përpara reformat e vendit tuaj dhe keni përkrahur hapjen e Shqipërisë me botën e jashtme”, u shpreh ai. Më tej Sekretari i Përgjithshëm Micheal Thielen ka theksuar se pas disa vitesh në opozitë me fitoren e Partisë Demokratike në 2005 zoti Berisha mori postin e Kryeministrit të Shqipërisë duke i dhënë që atëherë shumë impulse vendit e duke e çuar Shqipërinë përpara në rrugën e integrimit euroatlantik. “Reformat tuaja bënë që Shqipëria të merrte ftesën për anëtarësimin në NATO vitin që kaloi. Ju keni hapur vendin tuaj ndaj botës për investime të mëdha ekonomike. Keni zgjeruar marrëdhëniet e mira ekonomike me vendet e Ballkanit. Zoti Kryeministër që nga marrja e këtij posti ju keni çuar përpara luftën kundër korrupsionit. Qeveria juaj ka vënë në jetë reforma të rëndësishme në drejtësi ndaj dhe jemi të gjithë të të njëjtit mendim se pavarësia e drejtësisë duhet ruajtur dhe forcuar si dhe duhet të respektohen parimet e shtetit ligjor”, u shpreh më tej Thielen. Sekretari i Përgjithshëm Micheal Thielen vuri theksin në këtë përshëndetje edhe te ligji prej të cilit personat zyrtar, ata që kanë poste të rëndësishme, kontrollohen përsa i përket lidhjeve të tyre me ish-sistemin totalitar. “Ky ligj është diskutuar në mënyrë kontroverse në vendin tuaj si edhe në botën e jashtme. Ne i urojmë Shqipërisë që ky diskutim të arrijë në një rezultat që t’i japë një impuls të fuqishëm pajtimit shoqëror në këtë vend”. Në fund të përshëndetjes së tij Thielen ka pohuar se viti 2009 është një vit i rëndësishëm për Shqipërinë. “Në Qershor do të keni zgjedhjet parlamentare. Vendi juaj do të pranohet këtë vit si anëtar me të drejta të plota në NATO dhe kjo na gazon shumë pas kësaj qeveria juaj po përpiqet të fitojë statusin e vendit kandidat të BE-së. Të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë ratifikuar MSA-në me vendin tuaj dhe kjo është një shenjë e besimit të palëkundur në faktin se kursi i reformave të vendit tuaj është me sukses të plotë. Kjo është e nevojshme për të çuar përpara perspektivën e përbashkët evropiane të Shqipërisë”.
Në përfundim Sekretari i Përgjithshëm i Fondacionit Konrad Adenauer falënderoi Kryeministrin Berisha për fjalimin impresionues dhe profesional, që i bëri të gjalla ato ngjarje historike. Ndërsa, sot kryeministri Berisha është ftuar të marrë pjesë në Samitin krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, pjesëtarë të grupit të Partive Popullore Evropiane (EPP), në Bruksel. Në vijim, Berisha është ftuar në një takim të zgjeruar me përfaqësues të firmave më të mëdha gjermane, në Essen, në Gjermani, ku do të pritet nga Bodo Hombah, Anëtar i Kryesisë së Komisionit të Lindjes të Ekonomisë gjermane dhe Kryetar i Grupit mediatik ËAZ. Gjatë këtij takimi kryeministri Berisha do të prezantojë reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare në fushën ekonomike, në sajë të të cilave është krijuar një klime tepër e favorshme për biznesin vendas dhe të huaj në Shqipëri, si dhe do të flasë për ‘Potencialet e Investimit në Shqipëri për Ndërmarrjet Gjermane’.Në takim pritet të marrin pjesë edhe shumë të ftuar e figura politike të së djeshmes e së sotmes që kanë kontribuar në kauzën e sipër përmendur. Kjo pjesëmarrje e kryeministrit shqiptar në Gjermani, pason vizitën e cilësuar shumë të suksesshme e historike të tij në Gjermani e takimet me kancelaren federale, Angela Merkel në vjeshtë të vitit që shkoi.
...