Papa ipeshkvijve të Kamerunit: t’u predikohet me ngut Ungjilli të gjithëve.

Dita e dytë e shtegtimit të Papës në Afrikë: pas turmës vigane, që e priti dje në Aeroportin ndërkombëtar të Jaundesë, sot paradite Papa u takua me presidentin e Republikës, Pol Bijà e më pas, me ipeshkvijtë e Kamerunit, çast shumë i pritur për t’u thelluar në temat e mëdha të vendit afrikan e të mbarë Kontinentit. Pasdite, në Bazilikën e Zojës së Bekuar, Mbretëreshë e Apostujve, kremtimi i lutjeve mbrëmësore me ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët, seminaristët, diakonët, lëvizjet kishtare dhe përfaqësuesit e konfesioneve të tjera të krishtera të Kamerunit. Në fjalimin e mbajtur gjatë takimit me ipeshkvijtë, Ati i Shenjtë i ftoi prelatët ta rizbulojnë predikimin e Ungjillit e ta përhapin në të gjitha fushat e jetës. Kumtimi i Ungjillit është detyrë e ipeshkvit i cili, ashtu si Shën Pali, mund të thotë: “Të shpall Ungjillin nuk është arsye krenije për mua, është detyrë që duhet ta kryej; i mjeri unë në se nuk e predikoj Ungjillin”. E ipeshkvi - kujtoi Papa - është personifikim i katekistit. Është ai që e përforcon dhe e pastron popullin e tij në fe. E këtë detyrë Kisha e mori nga vetë Krishti, pikërisht sepse ka ende shumë njerëz, të cilët e presin mesazhin e dashurisë e të shpresës, që do t’u krijojë mundësinë të njohin lirinë dhe lavdinë e bijve të Hyjit. Duke kujtuar Koncilin II të Vatikanit, Benedikti XVI nënvizoi natyrën misionare të Kishës, që ka si detyrë të dorës së parë predikimin e Ungjillit deri në skajet më të largëta të tokës. E për ta realizuar ungjillëzimin – u tha Papa ipeshkvijve kamerunezë – barinjtë duhet të jenë të bashkuar, t’i kërkojnë së bashku përgjigjet për përballimin e sfidave të shumta e edhe të japin udhëzime të njëzëshme për t’i ndihmuar besimtarët në jetën e tyre kishtare e shoqërore. Solidariteti apostolik dhe bashkimi duhet të jenë në qendër të vëmendjes në jetën e përditshme të të gjitha Kishave vendase, të katekistëve e sidomos të meshtarëve, me një kontroll të posaçëm lidhur me besnikërinë ndaj zotimeve të marra me shugurimin, në përkim me thirrjen e tyre. Secili duhet ta jetojë thellësisht atë që predikon, para se t’u japë mësime të tjerëve. E Benedikti XVI porositi t’u kushtohet vëmendje e posaçme të rinjve, që duan të ecin në rrugën e meshtarisë: “Në dioqezat tuaja shumë të rinj paraqiten si kandidatë për meshtari. Mundemi vetëm ta falënderojmë Zotin. Pa harruar se është themelore të peshohet seriozisht kërkesa e tyre. Për këtë qëllim, ju inkurajoj që, pavarësisht nga vështirësitë organizative në nivel baritor, të kujdeseni në radhë të parë për zgjedhjen dhe formimin e edukatorëve dhe të drejtuesve shpirtëror. Ata duhet t’i njohin personalisht e thellësisht kandidatët për meshtari e të jenë në gjendje t’u sigurojnë një formim të shëndoshë njerëzor, shpirtëror e baritor, për t’i bërë kështu, njerëz të pjekur e të drejtpeshuar, të përgatitur mirë për jetën meshtarake. Ndihma juaj e përhershme vëllazërore do t’i ndihmojë edukatorët ta kryejnë detyrën e tyre me dashuri për Kishën e për mësimin e saj”. Më pas Papa i porositi ipeshkvijtë e Kamerunit të ndjekin me përkushtim të veçantë punën baritore me familjet, vlerat themelore të të cilave, si martesa e dashuria e pazgjidhshme dhe e qëndrueshme, po vihen në rrezik nga modernizmi e shekullarizimi. Më pas, një thirrje tjetër për të qenë gjithnjë pranë të rinjve, të cilëve sot u duhet të përballojnë një mori rreziqesh: “Zhvillimi i sekteve dhe i lëvizjeve esoterike si dhe ndikimi i fesë supersticioze, por edhe relativizmi, na ftojnë ngutësisht t’i japim një hov të ri formimit të të rinjve e të të rriturve, posaçërisht në botën universitare e intelektuale. Në këtë perspektivë, dëshiroj të inkurajoj e të lavdëroj përpjekjet e Institutit katolik të Jaundesë dhe të gjitha institucionet kishtare, misioni i të cilave është t’i bëjnë të kapshme e të kuptueshme për të gjithë Fjalën e Zotit e mësimin e Kishës”. Papa iu drejtua edhe shekullarëve, duke i nxitur të impenjohen gjithnjë më shumë në jetën e Kishës e të shoqërisë. Nismat e shumta – theksoi Benedikti XVI – janë vepër e Shpirtit Shenjt e ndihmojnë për kumtimin e ri të Ungjillit. Pastaj – një falënderim për shoqatat e grave, të cilat impenjohen shumë në mbrojtjen e dinjitetit të gruas.Së fundi, Benedikti XVI e vuri fort theksin mbi varfërinë. Ipeshkvi – tha Ati i Shenjtë – është mbrojtësi kryesor i të drejtave të të varfërve e duhet ta jetojë vazhdimisht dashurinë e krishterë, që gjen shprehjen e vet konkrete në veprat e bamirësisë. Në këtë mënyrë Kisha bëhet familje e vërtetë, e bazuar mbi dashurinë vëllazërore dhe ndihmon për pajtimin e bashkëpunimin ndërmjet etnive, për të mirën e të gjithëve".
Një vështrim mbi figurën e Shën Jozefit, për të përcaktuar karakteristikat e meshtarit e të rregulltarit të sotëm. Kështu u shtjellua reflektimi i Papës Benedikti XVI pasditen e djeshme, gjatë së cilës Ati i Shenjtë kremtoi Lutjen Mbrëmësore sëbashku me ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët, seminaristët e përfaqësuesit e besimeve të tjera të krishtera në Bazilikën e Shën Marisë, Mbretëreshë e Apostujve në kryeqytetin e Kamerunit, Jaundè. Shën Jozefi, fati i Shën Marisë virgjër, kremtohet nesër nga Kisha katolike e është edhe dita e emrit e vetë Papës. Atësia e tij, pranimi i detyrës së atit për Jezu Krishtin, pa qenë edhe ati i tij biologjik, e bën shën Jozefin njeriun që meriton të ndiqet nga të gjithë meshtarët. Për Krishtin, ai njohu persekutimin, braktisjen e varfërinë. Shpërblimi i tij qe vetëm ai i qëndrimit me Krishtin, kënaqësia se i shërbeu Hyjit. Këtë lloj atësie, u tha Papa meshtarëve, ju duhet ta jetoni në misionin tuaj të përditshëm:
“Nuk duhet të jemi shërbëtorë të rëndomtë, por “besnikë e të urtë”. Të dy këta mbiemra nuk janë të rastit: ata sugjerojnë se inteligjenca pa besnikërinë e besnikëria pa urtinë janë cilësi të pamjaftueshme. Njëra pa tjetrën nuk na lejon të marrim përsipër plotësisht përgjegjësinë, që na beson Zoti”.
Ashtu si shën Jozefi, që i shërbeu me besnikëri Krishtit, duke e drejtuar madje atë në jetë, pavarësisht se me druajtjen e njeriut para Zotit, edhe meshtari, në bazën e misionit të vet ka Jezusin. Por ku më mirë se në Eukaristi, mund ta takojmë Hyjin e mishëruar, pyeti Papa: “Meshtarì në shërbim do të thotë lidhje e thellë me Krishtin, që na është dhuruar në Eukaristi. Qoftë kremtimi i Eukaristisë vërtet qendra e jetës suaj meshtarake, që të bëhet kështu edhe qendra e misionit tuaj meshtarak… Në kremtimin e këtij Sakramenti, në emrin dhe në personin e Hyjit, nuk është prifti në plan të parë: ai është shërbëtor, mjet i përvuajtur që çon te Krishti, pasi vetë Krishti ofrohet flijë për shpëtimin e botës”.
Ati i Shenjtë i ftoi meshtarët t’u qëndrojnë besnikë premtimeve të bëra para Hyjit, të bashkëpunojnë me ipeshkvijtë, të jenë të përvuajtur, sepse shpesh njeriu që duket sikur nuk ka vlerë, mund të qëndrojë më lart se ata për sytë e Hyjit. Mos kini frikë nga vështirësitë e rrugës, u tha Papa Racinger: “Të rinjve që përgatiten të bashkohen me ju, si edhe atyre që akoma kanë pikëpyetje, dua t’iu them sonte sa gëzim provohet kur e dhuron vetveten krejtësisht për t’i shërbyer Zotit e Kishës. Kini guxim t’i thoni një “po” bujare Krishtit!” Kthejini sytë nga shën Jozefi, vazhdoi Benedikti XVI, duke përshkruar historinë e atësisë së shenjtit, që pranoi në shtëpi shën Marinë shtatzënë, duke iu bindur vullnesës së Hyjit. Shën Jozefi na mëson se për të dashur, nuk është e nevojshme edhe ta zotërosh tjetrin. Sipas shembullit të tij, kushdo mund të shërojë plagët e tij shpirtërore, edhe në marrëdhëniet familjare, duke hyrë e duke iu bindur planit të Zotit.
Koment i Atë Lombardit për shtegtimin e Papës në Afrikë/Për takimin e parë të Papës me Afrikën, që nga arritja e tij e djeshme në Kamerun, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federiko Lombardi dha këtë koment: “Më duket një takim i mrekullueshëm, posaçërisht pritja që na u bë në qytet: lëvizja dhjetra kilometra e gjatë, nga aeroporti deri në nunciaturë, u shoqërua me një entuziazëm të madh, me një mikpritje të ngrohtë… Edhe ipeshkvijtë e nunciaturës me të cilët isha, në sa udhëtonim, më thoshin se as ata vetë nuk e prisnin një mikpritje të kësaj natyre. Kishte vërtetë shumë njerëz, në mënyrë të posaçme në qendër të qytetit, të cilët e shprehnin dashurinë dhe gëzimin e tyre në mënyrë tipikisht afrikane: këngë, gjeste, buzëqeshje, lëvizje karakteristike të valleve të kontinentit. … Mund të them se Papa u prit si s’ka ku të vejë më mirë e, natyrisht, ai e ndjeu sa ishte i mirëpritur. E edhe fjalimi që mbajti në aeroport, m’u duk menjëherë shumë domethënës, shumë i rëndësishëm. Duhet menduar se gjatë vizitës në Kamerun do të kemi sidomos çaste kishtare; kështu që ky fjalim i drejtohej Kombit - në përgjithësi – duke e ftuar për paqe, për pajtim e duke e lavdëruar për aspektet pozitive të kulturës së paqes e të bashkëjetesës ndërmjet etnive të ndryshme të Kamerunit, por i drejtohej edhe mbarë botës, të cilën Papa e ftoi ta ndihmojë Afrikën të ecë e sigurtë në rrugën e paqes, të drejtësisë e të pajtimit, që është edhe tema e Sinodit afrikan. Interesant edhe theksimi, shumë i fortë, për mjekimin falas të të sëmurëve nga Sida. Ja pra, fjalimi i Papës hyri menjëherë në zemër të problemeve të Afrikës, ndonëse përmbledhtas. Edhe pritja që iu bë sot nga presidenti e nga autoritetet e tjera, m’u duk shumë pozitive. Mund të themi se fillimi i vizitës këtu, në Kamerun, ishte jashtëzakonisht i qetë, jashtëzakonisht i frytshëm, gjë që na bën ta shikojmë plot shpresë atë që na pret e që dëshirohet nga ky shtegtim në Afrikë.
Deklaratë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë për fjalët e Papës mbi parandalimin e Sidas/Përsa i përket jehonës së shkaktuar nga disa fjalë të Papës mbi problemin e Sidës, Salla e Shtypit e Vatikanit saktëson se Ati i Shenjtë përsëriti qëndrimin e Kishës Katolike dhe linjat thelbësore të impenjimit të Benediktit XVI në luftën kundër shuplakës së tmerrshme të Sidës; së pari, me anë të edukimit të përgjegjësisë së personave në përdorimin e seksualitetit e me anë të ripohimit të rolit thelbësor të martesës e familjes; së dyti: me anë të punës kërkimore shkencore dhe me zbatimin e kurave efikase kundër Sidës, që duhet të vihen në dispozicion të një numri gjithnjë e më të madh të sëmurësh, përmes shumë nismave dhe institucioneve shëndetësore; së treti: përmes ndihmës njerëzore e shpirtërore për të sëmurët me Sidë, si për të gjithë ata që vuajnë, gjithnjë në zemrën e Kishës. Këto janë drejtimet në të cilat Kisha përqëndron impenjimin e saj, duke pohuar se shpërndarja më e gjerë e prezervativëve nuk është në të vërtetë rruga më e mirë, më afatgjatë dhe më efikase në luftën kundër Sidës e në mbrojtjen e jetës njerëzore.
...