E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pinari më punësoi të numëroja arkat e fishekëve"

Partia Socialiste, Homazhe në Gërdec

Dokle: Ata që e sajuan Gërdecin, vazhdojnë politikën

TIRANE- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deputetë të Tiranës dhe Durrësit, si dhe përfaqësues të tjerë socialistë vizituan dje kraterin e Gërdecit në kujtim të 2 vjetorit të tragjedisë.


Përfaqësuesit e lartë socialistë vendosën kurora me lule, ndërsa kryen homazhe pranë kraterit në kujtim të 26 jetëve të humbura në këtë tragjedi që nuk kurseu fëmijë e gra. Deputeti Namik Dokle, në emër të Partisë Socialiste akuzoi qeverinë, duke u shprehur se krateri i Gërdecit është krateri i dhimbjes për jetën e njerëzve, është krateri i akuzës për ata që ngritën fabrikën e vdekjes.


"Është një akuzë për ata politikanë që e sajuan dhe vazhdojnë karrierën politike, pa iu hyrë gjemb në këmbë."- tha Dokle Më tej ai vijoi: Ne, deputetët e Tiranës edhe të Durrësit, bashkë më Kryetarin e Partisë dhe përfaqësues të tjerë socialistë, erdhëm këtu që të vëmë kurorat e përkujtimit, në kraterin ku vdiqën 26 burra, gra, djem edhe vajza.


Dokle e cilësoi Gërdecin si krater të humbjes, pasi aty u prenë ëndrrat e fëmijëve dhe nënave për një jetë më të mirë u prenë shpresat e nënave për jetën e fëmijëve të tyre. "Kjo dhimbje nuk mund të harrohet as nga ne, dhe as nga të gjithë shqiptarët",- tha Dokle.


GËRDEC

Ish- magazinieri i MEICO-s në Gërdec, Seran Maçi, pohoi se Rrahman Selmanllarin e kishte mik shtëpie, por në fabrikë nuk e kishte parë asnjëherë


TIRANË- Në kohën kur në ish-punishten e demontimit në fshatin Gërdec familjarët e 26 viktimave bënin homazhe në vendin e shpërthimit të 15 marsit 2008 pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, vazhdoi seanca 39 gjyqësore në ngarkim të 28 të pandehurve të akuzuar direkt dhe indirekt si përgjegjës të kësaj tragjedie.


Gjatë ditës së djeshme para Gjykatës u paraqitën katër dëshmitarët të thirrur nga prokuroria, për të dhënë deklarimet e tyre mbi ngjarjen. Dje dëshmoi edhe Serian Maçi, njëkohësisht krushku Rrahman Selmanllari, i njohur si një prej drejtuesve të fabrikës së Gërdecit, dhe si miku i djalit të kryeministrit Berisha.


Maçi, sipas prokurorisë, është njëri nga personat e hetuar si pjesë e "grupit hije" që kontrollonin punishten e Gërdecit. Pas tij, rrëfeu ish-komandanti i Batalioni të Raketave në Maminas që njëkohësisht mbante detyrën edhe të komandantit të ish-repartit të tankeve në Gërdec, Hasim Selmani, si dhe dy nënoficerët roje Paulin Lleshaj dhe Agron Braka që ruanin repartin para se të kalonte në administrim të MEICO-së.


Me kërkesë të prokurorisë Maçi "rrëfeu" për një orë, ditët e punës së tij pranë fabrikës së "ferrit" në Gërdec me detyrën e magazinierit të ndërmarrjes MEICO.


Sipas vetë Maçit, ai ishte punësuar nga Ylli Pinari në fabrikën e Gërdecit dhe kishte filluar detyrën si magazinier më 18 qershor deri më 31 tetor 2007. I pyetur nga prokuroria për njohjen e tij me mikun e djalit të kryeministrit, Rrahman Selmanllari, Maçi u shpreh: Rrahman Selmanllarin e njoh se e kam mik shtëpie, është kunati i vëllait tim. Por nuk e kam njohur atë në Gërdec dhe unë kurrë nuk e kam parë aty për sa kohë kam punuar,- tha Maçi.


Ai shtoi se njohja e tyre është që nga koha e lidhjes së miqësisë. Për herë të parë në seancën e djeshme ishte i pranishëm edhe ish-Komandanti i Forcës së Bashkuar i pandehuri Shpëtim Spahiu, i cili kishte preferuar të vinte vetë për tu ballafaquar me ushtarakët e Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes që pritet të dëshmojnë.


Dëshmia


"Prej shumë vitesh kam punuar si manovrator i ujësjellësit, por në 2006 më liruan dhe pas kësaj kohe, mbeta pa punë.


Nga mesi i 2007 mora vesh se kërkonin punëtorë në një fabrikë që ishte hapur në Gërdec. Shkova atje dhe tek dera pashë plot njerëz mes tyre edhe Ylli Pinarin që e njoha pasi isha takuar një herë më parë. Më pyeti se ç'doja aty dhe i thashë se po kërkoja punë.


Më tha: A e bën punën e magazinierit, nëse mendon se e bën, bëj një kërkesë të ndërmarrja MEICO dhe do të fillosh punë. Të nesërmen e bëra kërkesën dhe pas ca ditësh më kërkuan të filloja punë", tha Maçi.


Sipas tij me 18 qershor 2007 kishte nisur punë deri më 31 tetor 2007, kur u mbyll projekti. Ai pohoi se fillimisht e kishte instruktuar Sokol Ngjeçi se ç duhet të bënte dhe më pas ka nisur vetë si magazinier i pranimit të arkave me municione që sillte Ushtria të shoqëruara nga Policia Ushtarake. "Këto arka i merrja në dorëzim nga magazinierët e reparteve nga vinin dhe ia dorëzoja me fatura përfaqësuesve të "Albademili"-it, por në fatura shënoja emrin e kompanisë amerikane SAC.


Një herë në dhjetë ditë, dorëzoja faturat dhe bilancet pranë MEICO- s. Vinte rrallë Mihal Delijorgji pasi përgjegjësi i fabrikës ishte Dritan Minxholli. Aty me mua kanë punuar Nazmi Isufi, Haxhi Mara, një farë Bernardi, Xhimi (Muhamet Hoxha, baxhanaku kryeministrit) e Klodian Qefalia, të cilët nuk i kam paguar unë"- tha Maçi.


Sipas tij, nga 31 tetori 2007 nuk ka punuar më aty, por, shkoja herë pas here të kërkoja punë dhe hyja brenda me lejen e Dritan Minxhollit. Ditën e shpërthimit isha 30 metra larg zjarrit, ku sapo bëhesha gati të ikja pashë zjarrin dhe më pas një shpërthim që u pasua nga shpërthimi i madh.


Unë ika me vrap dhe lashë veturën që u shkatërrua"-tha Maçi para Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet. Në këtë mënrë ai mohoi se punonte për llogari të personave të tretë apo "Albademilit", por për MEICO-. Në dëshminë e tij, ai ndryshoi qëndrim në lidhje me qënien e tij në Gërdec ditën e ngjarjes, ndryshe nga sa kishte deklaruar në prokurori se atë ditë nuk kishte qenë atje.


****************

Ish- KOMANDANTI

Ish- komandanti i batalionit të raketave tregoi se në dhjetor të vitit 2006, reparti ishte inspektuar nga Shtabi i Përgjithshëm

Delijorgji nisi punimet me urdhër verbal, pa kontratë


TIRANË- Ish-Komandanti i Batalioni të Raketave në Maminas që njëkohësisht ishte komandanti i ish-repartit të tankeve në Gërdec, kolonel Hasim Selmani "rrëfej" para togave të zeza se Mihal Delijorgji ka filluar punën për ngritjen e fabrikës së demontimit dhe shkatërrimin e ndërtesave të ish-repartit me 28 prill 2007 pa një kontratë qiraje apo urdhër me shkrim.


Gjithashtu, Selmani konfirmoi se me urdhër verbal nga eprori i tij Mehmet Merko i cili kishte kontaktuar me komandantin Astrit Jaupi, që ky i fundit pas kontaktit me Komandantin e Forcës së Bashkuar të pandehurin Shpëtim Spahiu kishte urdhëruar lejimin e Delijorgjit dhe një personi tjetër në repart. "Ka qenë ditë e shtunë e fund prillit 2007, kur kam marrë një telefonatë nga nënoficeri roje Paulin Lleshaj që kryente shërbimin në ish-repartin e tankeve në Gërdec.


Ai më ka raportuar në telefon se kishin shkuar te reparti dy civilë, ku njëri prej tyre ishte prezantuar si administratori i kompanisë "Albademil" Mihal Delijorgji, dhe kishte kërkuar që të lejohej të hynte brenda për të parë ambientin dhe vendosur disa piketime për ngritjen e fabrikës së demontimit.


Në atë moment kam folur në telefon vetë me Delijorgjin i cili më tha se kishte urdhrin e ministrit të Mbrojtjes për të hyrë në ambientet e Gërdecit për të parë vendin.


Kam lajmëruar eprorin tim Muhamet Merko e kam njoftuar për rastin dhe jam nisur për në Gërdec. Pas disa minutash kam shkuar në repart e kam takuar Delijorgjin dhe më tha që do ngrinin aty një fabrikë demontimi.


Në atë kohë më ka lajmëruar eprori im Merko që kishte folur me Komandantin e Batalionit Astrit Jaupaj dhe ky i fundit me gjeneral Shpëtim Spahiun i cili kishte urdhëruar verbalist të lejohet hyrja e tyre dhe urdhri me shkrim do vinte të hënën.


Pas këtij urdhri i kam lejuar brenda, ku Delijorgji bashkë me një person tjetër kanë bërë këqyrjen e vendit, matjen dhe më pas janë larguar. Në kontratën e qerasë figuronte se kompania "Albademil" kishte marrë 220 metër katrorë ndërsa realisht ata filluan punimet në një rrethim prej 620 metra katror.


Aty prishen objektet e repartit dhe sheshuan vendin, duke shtruar me beton dhe bënë rrethimin. Edhe pse kemi kërkuar disa herë urdhrin me shkrim atë nuk e kam parë pasi më 15 maj unë jam larguar nga ajo detyrë dhe nuk e di çfarë është bërë"-tha koloneli Selmani duke shtuar se përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm në fund të 2006 kishin shkuar aty për inspektim dhe në fillim të 2007 kanë kryer inventarizimin e repartit.

Lleshaj
Delijorgji erdhi në prill të vinte piketat


Nënoficeri Paulin Lleshaj që ditën e 28 prillit 2007 kur Mihal Delijorgji ishte paraqitur në Gërdec ishte me shërbimin e rojës, i tregoi Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet me cilësinë e dëshmitarit të akuzës, se më kanë urdhëruar me telefon që Mihal Delijorgji të hynte në repart për matjen dhe piketimin e vendit ku do ngrinte një fabrikë.


Gjatë dëshmisë së tij, Lleshaj i tregoi togave të zeza se mëngjesin e 28 prillit 2007 pranë hyrjes së repartit kishte shkuar një makinë e tipit "Fuoristradë" nga e cila ka zbritur Mihal Delijorgji. "Ky person me kërkoi të hyja brenda në repart.


Kam kontaktuar me eprorin, i cili pasi kishte folur me eprorët e tij më kanë urdhëruar ta lejoj brenda. Aty erdhi edhe eprori im Hasim Selmani që bashkë me Delijorgjin hynë brenda, shikuan vendin, bëri ca piketimi personi që e shoqëronte Delijorgjin dhe më pas ikën.


Të gjitha këto i kam mbajtur shënim në raportin e dorëzimit të punës tek nënoficeri Agron Braka. Të nesërmen kishin shkuar punëtorët dhe kishin filluar prishjen e disa godinave dhe rrafshimin e zonës"-tha nënoficeri Lleshaj.



Braka
Punëtorët, një ditë pas Delijorgjit


Edhe nënoficeri Agron Braka, i cili ditën e fillimit të punimeve ishte në detyrë, i konfirmoi treshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Ridvan Hado, se punëtorët kanë filluar punimet me urdhër verbal të eprorëve.


"Më 29 prill 2007, ditë e diel, kam marrë turin e shërbimit në ora 8:00 nga nënoficeri Paulin Lleshaj që më tregoi se të shtunën kishin ardhur dy persona, mes tyre njëri me emrin Mihal Delijorgji dhe do fillonin punë për ngritjen e një fabrike të demontimit në Gërdec.


Ata ishin lejuar nga eprorët të fillojnë punimet pa një urdhër me shkrim, por, vetëm verbalist. Për këtë mësova edhe në raportin e dorëzimit të punës nga nënoficeri Lleshaj i cili i kishte përshkruar me detaje në raport dorëzimit të shërbimit",-tha Braka para togave të zeza.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›