Kryengritja e të moderuarve

Sulmi si pasojë e të cilit u vranë ambasadori amerikan dhe tre shtetas tjerë të SHBA-së ka irrituar libianët, të cilët tani janë ngritur kundër personave të armatosur, përfshirë këtu edhe ekstremistët islamikë, të cilët po bëjnë kërdi nëpër qytetet e tyre. Më shumë se 30 mijë persona u tubuan në sheshin kryesor në Bengazi, duke kërkuar çarmatosjen e njësive, në momentin kur opinioni publik po tenton të bëjë atë, që qeveria e dobët qendrore e Libisë nuk po është e aftë ta bëjë.
Që nga përfundimi i revolucionit në Libi, në tetor të vitit të kaluar-njësitë e armatosura, si ato laike, ashtu edhe ato islamike-të cilat ndihmuan në përmbysjen e diktatorit, Muammar Gaddafi, kanë vepruar të papenguara. Ato janë përleshur me brigadat rivale, duke përdorur armatim të rëndë, të cilin e kanë marrë nga bazat ushtarake. Por qeveria e përkohshme, tejet e dobët dhe e paorganizuar, nuk ja ka arritur që të bindë këto brigada që të bashkohen, për të formuar një ushtri dhe forcë kombëtare policore. Kështu, qytetarët në Bengazi vendosën që të veprojnë vetë.
Në momentin kur qeveritë e SHBA-së dhe të Libisë po tentojnë të zbulojnë se a janë pikërisht këto njësi përgjegjëse për sulmin kundër konsullatës amerikane në Bengazi, qytetarët vendosin të marrin ligjin në duart e tyre. Qytetarët të premten sulmuan një bazë të militantëve islamikë, të cilët besohet se janë përgjegjës për sulmin kundër konsullatës amerikane më 11 shtator, si pasojë e të cilit sulm u vranë disa persona, përfshirë këtu edhe ambasadorin e SHBA-së në Libi. Protesta filloi në mënyrë paqësore, me ç’rast rreth 30 mijë banorë të Bengazit dolën në rrugë, duke klithur sloganet “Jo terrorit, jo Al Qaidës” dhe “Jo milicive, jo brigadave”. Por në orët e mbrëmjes situata doli jashtë kontrollit, me qytetarët që filluan të sulmojnë bazat e militantëve në qytet.
Marshi i të premtes u organizua në kuadër të një fushate qytetare, për të dënuar sulmin si pasojë e të cilit u vra ambasadori amerikan Chris Stevens dhe tre shtetas tjerë amerikanë.
“E premtja për të shpëtuar Bengazin”, ishte slogani i cili u emetua në mediet lokale. “Ne dëshirojmë të shpëtojmë Bengazin nga dhuna dhe të heqim qafësh njësitë e ndryshme”, deklaroi organizatori i protestës, Muhammad Bujan.
Protestuesit filluan tubimin e tyre në qendër të qytetit, e më pas marshuan drejtë sheshit Al Kish, ku po zhvillohej një tubim i mbështetësve të njësive islamike.
Përkundër faktit se ka mohuar përgjegjësinë për sulmin kundër konsullatës amerikane në Bengazi, shumë njerëz e konsiderojnë brigadën Ansar Al Shahra si ideator të këtij sulmi. Rreth 3 mijë mbështetës të tubuar të Ansarit klithnin sloganin “Nuk ka Zot më të madh se Allahu” dhe mbanin mbishkrimet, në të cilat kërkohej që deputetët e parlamentit të Libisë dhe zyrtarë të qeverisë, të cilët kanë nënshtetësinë e SHBA-së, të heqin dorë nga kjo nënshtetësi.
Rreth orës 21:00, një grup prej 80 meshkujsh, të hidhëruar për shkak të vrasjes së Stevenit, ju drejtuan bazës së militantëve në lagjen Sidi Hussein dhe sulmuan ndërtesën, në momentin kur militantët filluan të arratisen. Të trimëruar, ata më pas sulmuan pjesëtarët e brigadës Ukbi Bin Nafi, e cila është e lidhur me Ansar Al Sharian.
“Dëshirojmë që ata të dinë se Libia i takon popullit, e jo njerëzve të armatosur”, tha protestuesi Ahmad Obaidi. Me rritjen e numrit të njerëzve në turmë, turma filloi të lëvizë drejtë shtabit qendror të Ansar Al Sharias në Efoyhat. Por kur arritën aty, pjesëtarët e brigadës refuzuan që të dorëzohen dhe shkrepën armët e tyre në ajër, në përpjekje për të shpërndarë turmën. Megjithatë, protestuesit nuk u larguan dhe pas rreth 10 minutave, militantët u dorëzuan, ndërsa demonstruesit hynë në bazë dhe filluan ta shkatërrojnë atë.
Pas rënies të të gjitha bazave të militantëve, forcat e policisë hynë në këto baza me armatim të rëndë. Pas hyrjes së forcave të policisë, banorët e Bengazit filluan të kremtojmë.
“Ne duhet ti heqim qafësh këto banda terroriste”, deklaroi protestuesi Attija Al Hasi.
“Shteti na takon neve, e jo atyre”, shtoi ai.
Rreth orës tre të mëngjesit reagoi edhe qeveria, duke kërkuar nga protestuesit që të kthehen nëpër shtëpitë e tyre dhe që mos të lejojnë që protesta e tyre të shndërrohet në diç tjetër.
Por fenomeni i njësive dhe i islamistëve ekziston edhe në qytetet tjera të Libisë. Megjithatë, në këto qytete qytetarët do ta kenë vështirë të ndjekin shembullin e Bengazit. Qyteti i Misratas, në të cilin veprojnë disa brigada, është një shtet në vete, ku nuk lejohet hyrja e të huajve. Edhe në qytetin Zintan veprojnë disa brigada të fuqishme. Në që të dy këto qytete brigadat adhurohen për shkak të rolit që kanë luajtur gjatë revolucionit. Për aq kohë sa këto brigada gëzojnë mbështetjen e qytetarëve, skenat si ato në Bengazi me gjasë nuk do të përsëriten në qytetet tjera të Libisë. (Time)