Letra nga qorrjataku
Qyteti
Angelus është Çmimi i Letërsisë së Evropës Qendrore që jepet në Wroclaw, qendra e jugut polak. Çmimi mban emrin e të ashtuquajturit Angelus Silesius poet religjioz vendas i shtatëqindës. Qysh në mesjetë qyteti është njohur me dy emra Breslau për gjermanët dhe Wroclaw për polakët që pasqyron fytyrën bilinguale të tokës kufitare polako-gjermane. Në rrjedhë të historisë i ka përkitur sa Polonisë e Bohemisë, aq edhe Austrisë e Prusisë, duke marrë diçka nga Praga e Krakovi, nga Berlini e Vjena, me fetë katolike e protestante, me një komunitet influent hebre. I shpëtoi shkatërrimeve të luftës së dytë botërore deri në tre muajt e rrethimit kur luftonin ushtritë gjermane e sovjetike që e kthyen një nga qytetet më të shkatërruara të Evropës.
Fasadat baroke në pjesën e Qytetit të Vjetër janë të ruajtura mirë, me katedralen gotike në qendër. Këto ditë dhjetori janë instaluar kabina druri ku ekspozohen e shiten produkte të bëra me dorë, nga porcelani vendas te pema e Krishtlindjes.
Ky është qyteti evropian i kulturës i vitit 2016 që për ta fituar këtë drejtë ka konkurruar me vlerat e Varshavës, Gdanskut, Katovicës. Në vitin 2000 këtë mundësi për promocion, turizëm dhe zhvillim e kishte Krakovi.
Shumë të rinj ka në rrugë dhe çifte të reja që shtyjnë karroca fëmijësh, megjithëse ajri është i ftohtë dhe djegës për sytë si pluhur rëre. Qyteti rrëshqet në një film pa zë.
Veprat publike të artit janë kudo, shtatore dhe miniatura skulpturale që tregon për tolerancë ndaj artit bashkëkohor shpesh i vështirë për tu pranuar edhe nga polakët. Guri ka qenë një element integral i peizazhit të këtij qyteti ku ndodhet një nga Akademitë më të rëndësishme të Artit dhe Dizajnit. Studentët përbëjnë 10 për qind të komunitetit të Wroclaw-s gjashtëqind mijë banorësh.
Në Opera po shfaqet Falstaff me kostume. Në Teatr Polski jepet Çmimi Angelus. Është viti i gjashtë dhe rëndësia e Angelus-it shihet si e një matësi për prozën që vjen në gjuhën polake nga 21 vende të Evropës. Kur u themelua më 2005, Shqipëria nuk përfshihej në hartën e çmimit vjetor ku shënohen: Austria, Bjellorusia, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Estonia, Lituania, Letonia, Maqedonia, Moldavia, Gjermania, Polonia, Rusia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Ukraina dhe Hungaria.
Qëllimi i Angelus-it ishte vlerësimi i shkrimtarëve nga Evropa Qendrore veprat e të cilëve trajtojnë tema që lidhen me të tashmen, që thellojnë njohjen e botës së kulturave të ndryshme dhe nxisin reflektimin për përvojat diktatoriale. Nisur nga kjo e fundit u justifikua përfshirja e Shqipërisë me këmbënguljen e një grupi shqiptaro-polak ku rol ka veçanërisht përkthyesja e letërsisë shqipe në gjuhën polake Dorota Horodyska e cila drejton shoqatën e miqve të të dy vendeve.
Angelus mbështetet financiarisht edhe nga Ministria polake e Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare. Vlera financiare është rreth 37 mijë euro për autorin fitues dhe 5 mijë euro për përkthyesin.
Pink Maria dhe letërsia konceptuale
Finalja e Angelus 2011 u mbajt më 3 dhjetor në skenën kryesore të Teatr Polski. Është teatër 100 vjet i vjetër, i rikonstruktuar me kushte moderne. Salla kryesore ka rreth 500 vende, dy galeri. Skena është e lartë dhe e thellë. Banda muzikore qëndron pas kolonave të larta që imitojnë serinë e shtatë librave finalistë ku evidenton titulli, emri i autorit, i vendit nga vjen dhe emri i përkthyesit. Janë shtëpitë botuese polake ato që sugjerojnë veprat për Angelus-in. Juria me 10 anëtarë e kryesuar nga disidentja ruse Natalia Gorbaniewska (1930), gjykon mesatarisht çdo vit 50 vepra. Nga botimet e vitit 2010 mbërritën në fund: Swietlana Aleksijewicz nga Bjellorusia, Natalka Babina edhe kjo nga Bjellorusia, Jenny Erpenbeck nga Gjermania, Maria Matios nga Ukraina, gazetari polak Wojciech Tochman me reportazhet nga Ruanda, Drago Janar nga Sllovenia i botuar nga Pogranicze. Kjo shtëpi boton dhe Ismail Kadarenë konkurrent në Angelus me lepy ferman (Qorrfermani). Pogranicze dhe Czarne janë dy shtëpitë botuese dominuese në këto finale. E para ka botuar edhe Fatos Lubonjën, Ylljet Aliçkën, përkthime të Horodyska-s. Më 2006 hyri në finale me Pallatin e ëndrrave të Kadaresë. Ndërsa Czarne është shtëpia botuese e shkrimtarit Andrzej Stasiuk që ka udhëtuar dhe përshkruar Shqipërinë (Rrugës për në Babadag). Ka botuar Lëkura e qenit e Fatos Kongolit dhe dy libra të Ornela Vorpsit Vendi nuk vdiset kurrë dhe Dorën që se kafshon…
Czarne i jep rëndësi reportazhit. Dy libra të tillë merrnin pjesë në finalen Angelus. Njëri u shpall fitues: Fytyra jofemërore e luftës Swietlana Aleksijewicz-it. Dukej se dilema për të zgjedhur midis reportazhit dhe fiction-it e kishte ndarë jurinë e Angelus-it. U pa në fjalët e profesor Andrzej Zawada-s, anëtar i jurisë që dha në skenë argumentet.
Mbrëmja para çmimit ishte një seri performancash me pjesë të zgjedhura nga veprat finaliste. Pavarësisht tendencës së regjisorit për ta mallëngjyer publikun duke zgjedhur nga të shtatë veprat rrëfime për dhunën ndaj femrës apo botën femërore, aktoret nga 20-70 vjeç, ishin të shkëlqyera. Sapo kishim lënë në Teatrin Kombëtar në Tiranë një surrogato banale të filmit të Formanit mbi jetën e Moxartit.
Nga Kadare ilustrohej Qorrfermani me monologun e Marisë ose Mejremes, nusja e re e Qyprillinjve tek eksploron sepeten me të linjta dhe shijon bukurinë e trupit ndërsa imagjinon kthimin nga qorroficja e mashkullit të saj. Aktorja lëviz nën një kolonë zanore jazz-i live dhe zhvesh të linjtat ngjyrë trëndafili. Kadare është sa brenda jashtë kontekstit të prozës së tij politike mbi frikën.
Qorrfermani është botuar në gjuhën polake si triptik ku bëjnë pjesë Breznitë e Hankonatëve dhe Komisioni i festës. Kështu që, ndërsa Maria digjet nga dëshira, mendon se çlidhje ka ky kuadër me ato tablotë e Shano Hankonit që jep me qira një krah shtëpie këtu, një pullaz atje, apo atmosferën e kabunive dhe bakllavave për festën e rikthimit të Shqipërisë si vend i bekuar në gji të perandorisë otomane.
Andrzej Zawada (1948), historian i letërsisë, kritik, eseist profesor i shkencave të komunikimit në Universitetin e Wraclaw-it e shprehu hapur se ai është për letërsinë autentike, origjinale dhe jo për reportazhin sado që ky zhanër e ka hedhur dukshëm një këmbë në letërsi. Vendimi ishte marrë pro autores bjelloruse Aleksijewicz-it kështu që prof. Zawada nuk e fshehu më që vota e tij dhe e disa anëtarëve të jurisë kishte shkuar për shkrimtarin shqiptar. E vlerësoj Kadarenë për gjithçka, për tematikën e cila për ne është sa ekzotike aq dhe universale. E kuptoj Qorrfermanin falë mënyrës si është shkruar. Kadare është një shkrimtar i cili për çdo temë kërkon një kuptim të ri. Për mua kjo është letërsia konceptuale, e futur në traditën e rrethit kulturor të letërsisë ballkanike, mesdhetare. Gjuha, metafora, alegoria, dhe njëkohësisht klima psikologjike, emocionale dhe shumë dramatike, bën që librat e tij të jenë të pakrahasueshëm me asgjë. Për të gjitha këto arsye që ju thashë, kemi luftuar me anëtarët e tjerë të jurisë. Kadare ka qenë shumë afër çmimit. Ishte vendimi i kryetares së jurisë që e shpalli fituese autoren bjelloruse. Pra, vendosi aritmetika.
Në thelb, Angelus zgjedh librin artistik, por është e dyta herë që fiton reportazhi, një zhanër me traditë të fortë në letrat polake këto 50 vjet. Çmimi Ndërkombëtar për reportazhin mban emrin e gazetarit polak Riçard Kapushinski.
Duke qenë në kontakt të përditshëm me të rinjt
