Letra/Numërimi i çdo vote
Procesi i numërimit dhe nxjerrjes së rezultateve u duk se do të përfundonte shpejt. Në fakt kjo po konsumon një kohë dhe thembra e Akilit të këtij procesi janë fletët për kryetar bashkie që aksidentalisht,gabimisht ndodhen në kutitë për kryetar Minibashkie apo për anëtar këshillash. Përfaqësuesit demokratë në KQZ kërkojnë që këta vota të llogariten, t’u bashkangjiten votave të tjera ndërsa anëtarët socialist insistojnë, këmbëngulin që këta vota të konsiderohen të pavlefshme. Futja në valle e deputetëve të cilët fillimisht demonstruan një presion psikologjik ndaj anëtarëve të KQZ dhe ditën e djeshme tubimi i qytetarëve para KQZ e rriti ndjeshëm temperaturën politike në vend. Kjo për shkak të një deklarate plotësisht të pamenduar mirë nga Erion Braçe, i cili u bëri thirrje të hapur simpatizantëve të Partisë Socialiste që sipas tij të mbronin votën e lirë. Është shumë e pafalshme që njerëz me mandate politik gatisin çorba të tilla shumë bajate kur çdo shqiptar me mend në kokë e di se përpunimi, analizimi i të dhënave mbi zgjedhjet dhe mbi të nxjerrja e rezultatit është ekskluzivitet vetëm i KQZ, e cila ngarkohet posaçërisht nga ligji për këtë punë. Kodi zgjedhor në asnjë pikë që bën fjalë për pavlefshmërinë nuk e cilëson si të pavlefshme hedhjen e fletëve në kutitë e gabuara prandaj e mira do të ishte që edhe partia socialiste të ofronte konsensusin e saj ngaqë do të ishte një zgjidhje më racionale për të gjithë. Çdo vendim që duhet të ndërmarrë KQZ duhet të mbështetet në parime substanciale, themelore siç është e drejta e numërimit të çdo vote. Pse mos të merret e vlefshme edhe vota e këtyre qytetarëve të respektuar. Pse të fshihet me një të rënë lapsi vullneti i të gjithë këtyre njerëzve kur përgjegjësia direkte u takon komisionerëve të cilët nuk kanë mundur të orientojnë ashtu siç duhet votuesit. Precedenti i 2007 në një komunë të Shkodrës ku fillimisht u shpall fitorja e kandidatit të Partisë Demokratike me 5 vota më shumë pastaj kur kanë numëruar kutitë e Këshillit të Komunës kanë gjetur 8 vota për kryetar Komune që i përkisnin garuesit socialist, duke e përmbysur rezultatin, tregon edhe një herë ligjshmërinë e numërimit të këtyre votave. Pse mos të lexohet vota e këtyre njerëzve kur ka 2 vjet që Partia Socialiste kërkon me insistim, transparencë dhe vetëm transparencë. Kjo po më duket një qëndrim me 2 standarde një tregues i moskoherencës së lidershipit të PS në qëndrimet politike. Pse gjithë ky tmerr për të numëruar këto fletë ku dihet se ka votues si për Ramën, ashtu edhe për Bashën, domethënë nuk janë vota të ndara me thikë për asnjërin nga pretendentët për kryetar bashkie. Askush nuk mund ta detyrojë PS që ta pranojë verdiktin e këtyre njerëzve të thjeshtë, por ama çdo pakënaqësi, çdo dyshim duhet që ta shprehë brenda institucioneve nëpërmjet përfaqësuesve të saj legjitimë. Duhet të respektohen rregullat themelore demokratike dhe jo pështjellimi, agravimi i situatës duke futur në lojë faktorë, aktorë që më shumë nxiten emocionalisht dhe që nuk i shërbejnë aspak një zgjidhje sa më të mirë të situatës. Tentimi për të imponuar vendimmarrje me anë të presionit psikologjik nuk i shkon aspak për shtat zhvillimeve progresiste të cilat po ndodhin në Shqipëri. Edhe një herë PS po gabon, po krijon një realitet të fryrë, surrealist, a thua se po bëhet nami dhe këta janë viktimat më fatkeqe të këtij procesi. Pra natyrshëm që i lihet në dorë shumë subjektivizmit, paqartësisë institucionale, vetëm e vetëm për të nxitur acarim nervash, konfrontim e destabilitet. Shumë politikanë të cilët duan të bëhen protagonistë apo të jenë në qendër të vëmendjes duke mos qenë të aftë për të prodhuar alternativa serioze duan ta kompensojnë këtë duke ofruar produkte konfliktuale, pra për mirë apo për keq duan të jenë në qendër të vëmendjes. Pikërisht nga ky fenomen vuan edhe Erjon Braçe, të cilin asnjëherë nuk e kam parë të ngrejë zërin e votuesve të zonës së tij, përkundrazi është marrë me gërrmërr-e të panumërta politike, vetëm e vetëm për të fituar simpatinë brenda kupolës rozë. Ata që përpiqen të nxitin destabilitet, duhet të kenë parasysh se po bëjnë paudhësinë më të madhe të jetës së tyre, një paudhësi që shqiptarët nuk mund ta tolerojnë. Standardet e zgjedhjeve më shumë se interesat personale të njërit apo tjetrit u interesojnë qytetarëve shqiptarë. Meqenëse deri tani këto standarde morën një vlerësim të paimagjinueshëm do të ishte mëkat, luks i tepërt që për kapriçiot e çastit të shkatërrojmë të ardhmen europiane të shqiptarëve.
...