E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra/Vëmendje ndaj gjuhës shqipe, pa u frikësuar se po biem në puritanizëm

Hymje e trishtë/Para TV - Jam para një stacioni televiziv të Tiranës. Ndjek fundin e lajmeve e mandej një pjesë të koncertit në vijim të tyne. Ndjehem i lodhun e i trishtuem. Folësi i lajmeve shprehet si të ishte një i huaj që me mundim ka arrijtë me e kapë disi shqipen, por gjithësesi asht ende i pasigurtë. Fjalitë janë gjithë “qoshe”, me një renditje të gjymtyrëve pa kurrfarë logjike, thekset zhvendosen sa andej këndej pa kriter, mbrapashtesat janë krejt të pavend, fjalët e hueja, që nuk rrinë kurrkund në kontesktin e lajmit, vërshojnë e përbaltin shqipen mjerane të djaloshit të “pispillosun”, një “inglishmeni” tipik, që, prej se nuk di shqipen, e përbalt me barbarizma, si i gjithë lloji i tij hibrid. Mandej i vjen radha koncertit. E drejton një vajzë, që, po të mos fliste, do ta kishte anda me e kundrue. Po nis e flet e atëherë të mbërthen prap ai trishtimi i parë. Në “shqipen” e saj ka vetëm ndonjë nyje, ndonjë mbrapashtesë …turke e …një mjerim të pafund gjuhësor. Vërshojnë “prestigjoz” e “famoz”, “shyqyr” e “grazie”, përemna të pakufishëm në vend të vetorëve, fjali mungesore që u mungon edhe kumti ma i thjeshtë, nëndialektalizma të nxjerra nga syndyqet e gjyshes dhe O. K..
Nuk ka vend me thanë “Fale, Zot, se nuk di çka ban”.
Marr pultin e kaloj tek një stacion kosovar. Të duket sikur gazetarja e ka harrue serbishten e po përkthen me vështirësi, aq shqipe të përçudnueme flet. Sa për homonimet e toponimet nuk merr as mundimin me i përkthye pse i shqipton serbisht. E me iu përshtatë “standardit”, flet një labçe të rreshkun si të Malo Smokthinës. Shuej televizorin e rri e mendoj. Po s’ke pse mendohesh gjatë. Kjo vorfni gjuhësore, pa dyshim, ka dy shkaqe: Vorfnimi që i bani shqipes famëkeqi Kongres i Drejtshkrimit i vitit 1972, që i preu arterie e vena, i këputi mish e i shpuploi koca, e degdisi në një fosile të ngurrtësueme që s’asht as tosknisht, jo ma shqip; Një lloj i ri “inglishmenësh” të Tiranës e të Prishtinës, “zengjinë të ri”, që kanë gazeta e televizione, kanë vajza të bukura, që i veshin (o ma mirë - i xhveshin) “allafranga” e u venë një mikrofon në dorë edhe pse veçsa “nuk i le hunda me hangër bar”, si thonte im atë, ndjesë pastë, aq berr janë.
Dhe e keqja as fillon e as mbaron këtu. E keqja filloi atë ditë që erdhën në pushtet «sejmenët » e shkjaut, komunistët. E keqja vijon me po ata ndër institucione, gazeta, televizione, që “sakën” se tunden prej “istikameve bolshevike” të 1972 e nuk pranojnë të ndryshojnë një presje, sikur vendimet e marra nën vështtrimet e rrepta e trysninë ma të egër të pushtetit të kuq të ishin libri i shejtë i shqipes.
E vorfnimi i shqipes vijon pa mëshirë.
Po përse u dhunue shqipja?/Përgjigja asht e thjeshtë: Në vazhdën e tragjikes “luftë e klasava”, zbatue skajshëm si askund tjetër në Shqipni, sa çoi në tjetërsimin e njeriut, nuk duhej lanë gja pa provue: aty edhe gjymtimin e gjuhës shqipe, largimin e saj prej rrajëve pellazgo-iliro-shqipe, vofnimin e saj aq sa të mos të mund të lexoheshin e të kuptoheshin ata që na lanë trashigiminë ma të shtrejtë gjuhësore e kulturore, prej Buzukut te Fishta, shkëputjen prej kulturës europiane pjesë e së ciles jemi që në ag të historisë njerëzore, përçamjen në mes krahinave e besimeve, të gjitha këto veç me muejtë me mbajtë ma lehtë sundimin gjakatar. Si çdo komb, si çdo popull, edhe na kemi vlerat e të metat tona. Por nëse kemi tri dukuni për të cilat vërtetë mund të krenohemi, ato janë: Jemi populli i vetëm në Europën Jugore e ma gjanë që trashëgojmë një gjuhë që i ka rrajët qysh para se të shfaqeshin në histori Roma, Athina e vetë Troja; Jemi ndër popujt e paktë që nuk patëm kurrë përplasje e urrejtje në mes krahinash; Jemi ndër të paktët popuj, aty edhe popuj  të quejtun “djepi i qytetnimit”, ku nuk ka pasë kurrë as ma të voglin konflikt ndërfetar.
Po kishte ardhë “kolera e kuqe” e rrajët duheshin pre, duheshin tha, përçamja duhej të kishte të gjitha ngjyrat, aty edhe ato mes toskësh e gegësh, në mes të krishtenëve “reaksionarë” (prandaj edhe duheheshin pre rrajët me ta) e pjesës tjetër të popullit, duhesh shkatrrue gjithçka ishte ma e shëndetshme që të sundohej ma lehtë.    Asnjë arësye tjetër “shkencore” nuk mund të kishte në këtë gjymtim, pse të bahej fjalë për “njësim të shqipes” ishte antikombëtare, pse shqipja e njësueme ka qenë që në krye të kohës. Tash po, mbas shëmtimit të 1972, ajo nuk asht ma e njësishme, por vetëm një pjesë e trungut që mezi ushqehet në rrajët së shumti të preme e shtërzon e lodhun. E kjo u arrijtë tue “kallë gjindarmerinë”, i miri Konica, në fushë të mendjes, me fjalë të tjera, me dhunë të pushtetit komunist.
Si u dhunue shqipja?/E para, tue shpla trutë e njerëzve nga kujtesa historike, sikur para kolerës së kuqe nuk kishte gjallue asgja në Shqipni e lum na që na erdhi kjo farë e mbrapsht. Së dyti, shtrimi i çashtjës së gjuhës si dukuni e luftës së klasava e tue e shtri këte luftë tashma edhe në plan territorial. Së treti, tue qitë në harresë, ku me të ndaluem me ligj, ku me zhdukje të veprave e deri të vorreve të Atdhetarëve të akullt, atyne që na kishin lanë porosi  dashuninë për Shqipni, pse Atdhetaria u quejt nacionalizem e si rrjedhojë antagoniste me ideologjinë  komuniste. Pikërisht për këto arsye u harruen përpjekjet sa të fisme aq edhe shkencore të Komisisë Latrare të Shkodres 1916/17, u lanë në harresë përpjekejt që banë atdhetarë e gjuhëtarë të dorës së parë, aty edhe në kohë te fashizmit, për një shqipe “të përbashkme”. “U vendue - thuhet në njoftimet e punimeve të Komisisë -  me themelue nji orthografi sa ma tepër të përbashkme për të dy dialektet”. E u shkue deri atje sa shkodranishtja u “çpall” “gjuhë e klerit reaksionar”. Ajo, si gegnishtja mbarë, u shpall gjuhë “e deklasuar”. (Se si mund të quhet një gjuhë që flitet prej ma se katërmijë vitesh “e klerit reaksionar”, apo “e deklasuar”, veç mendjet e çorodituna mund ta rrokin). Shkruen M. Elezi: “Politika gjuhësore dhe gjithë politika ndaj Veriut synonte shfaktorizimin e Shkodrës e të krejt Veriut si qendër e mbështetje e palëkundëshme në përpjekjet e gjithë shqiptarëve me e kthye Shqipninë kah vlerat kombtare, kah Perëndimi, kah vetvetja”. U shpërfillen edhe mendimet e gjuhëtarëve të medhej si Majer e Jokli, pse ata, gjuhëtarë borgjezë, nuk kishin pasë fatin të njihnin veprat e shokut Stalin mbi gjuhësinë! Veriu u identifikue me Kishën Katolike (që i bante e i ban nder pse, si asnjë simotër e saj, ka dhanë ndihmesë të paçmueshme e të paçmueme si në ruejtjen e gjuhës e të kulturës amtare, ashtu edhe në përhapjen e kulturës europiane, jo që ka qenë nxitësja kryesore e lëvizjeve për liri), e si kundërshtare e kolerës së kuqe, u masakrue ma barbarisht se askund tjetër në botë.
E u mohuen shkollat. Na del se e para shkollë na paskish qenë themelue aty kah fundi i shekullit XIX në Korçë, kur të dhana të drejtpërdrejta e sidomos të tërthorta na mësojnë se shkollat në këto anë duhet të kenë mbi dymijë vite. “Na shkronjat i morem prej Ilirëve”, thotë Plini. Janë të dokumentueme shkolla të mesme të paktën në shekullin XVII në mbarë Veripërendimin. Në Obot kishte shtypshkronjë qysh më 1493. Çka kishte me iu dashtë shtypshkronja një populli që nuk di me shkrue e me lexue? Por jo, zotnijë, jo, na nuk duhej të kishim rrajë, a t’i kishim ato sa ma të pakta, sa ma të cekta, që të shpallnim ardhjen e Zeusit të Kuq si shpëtim e përparim për këtë Vend.
Çfarë humbi shqipja?/Puna për shkatrrimin e shqipës filloi me ballafaqimin rrënues në mes dy “kryedialekteve”, në vend që të flitej e të punohej për një gjithëpërfshimja, për mospërjashtime, për trajta që të ruenin mbarëshqipen e të banin lehtësisht të kuptueshëm si Naimin ashtu edhe Fishtën. Filloi, pra, me asgjasimin e ma shumë se gjysës së trungut deri në rrajë - me shpalljen jashtë ligji të gegnishtes. Jo se tosknishtja asht pa vlera, Zot na ruej, asht shqipja ime, por, si e kanë thanë të tjerë para meje, një dialekt asht gjithmonë ma pak e ma i vorfen sa mbarë gjuha. Në kohën kur flitej për marrjen si “pajtor” të të folmes së Elbasanit, maraku i Fishtës, Mjedës etj., ishte mos me humbë asnjë formë të randësishme të tosknishtes. Mustafa Merlika, një prej të mohuemëve të mëdhej, dje e sot, thotë se do të marrim dialektin e Elbasanit si pajtor, por tue përfshi mbarë shqipen. E shembuj se si atdhetarë e gjuhëtarë të dorës së parë, jo Manol Konomë mjeranë e lloji i tij që e shitën shpirtin shtatë herë,  kambëngulnin për një normë gjuhësore gjithëpërfshimëse, mund të sillen pa numur, prej 1916 (Komisia Latrare e Shkodres) deri te Fashizmi i zi (por do të vinte “Fashizmi i kuq” që do të shembte me themel gegnishten “reaksionare” - Zot na ruej mendt e kresë, deri ku mundet me arrijtë urrejta e verbueme!). Pra, qysh në krye duhet thanë se me famkeqin Kongres të Drejtshkrimit 1972 shqipja humbi njëherëemirë gegnishten, pasuninë e saj kulturore (prej Ciklit të Kreshnikëve te Migjeni, prej Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit te Fishta, prej të amblit Mjeda te rrëfimet e Anton Harapit), humbi një pasuni të pallogaritëshme leksikore e frazologjike, humbi një formë të menduemi e të shprehuni, humbi shpirtin e pjesës ma të madhe të popullit të vet. Se kur humbë gjuhën, humbë shpirtin. Merrni Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe e do të prekni me dorë aty flijimin i një pasunie të pallogaritshme të gegnishtes, nësa u hapeshin dyert në katër kanata fjalëve me prejardhje greke apo sllave (nuk po flas për turqizmat “kamturqisht” edhe në trajtesat e “shokëve gjuhëtarë”) . Nësa në të dy fjalorët, atë të quejtun të Drejtshkrimit, ashtu edhe në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, ndesh fjalë të hueja, ma krejtësisht të hueja, që s’kanë si hyjnë kurrsesi në fjalor të shqipes, si: banjë maria, delikt, alivanosem, e sa të tjera; apo fjalë të shtresimeve të ndryshme kohore, sidomos prej turqishtes e greqishtes, por edhe prej frëngjishtes, italishtes e gjuhëve sllave, kur egzistojnë përkatëset shqipe, madje nuk u shënojnë as prejardhjen e me cilësue se egziston kjo përkatëse shqip, si: açik, adet, alamet, e ba me shkue deri te “zh”-ja do të duheshin katërdhjetë faqe; fjalët e mirëfillta shqipe, ma krejtësisht shqip e me prejardhje shpesh prej ilirishtes e ma heret, ose nuk përfshihen asfare në fjalor, ose cilësohen “e vjetër”, “krahinore”, sa mos me thanë “gegnisht”, pra, simbas kësaj logjike të mbrapshtë, jo shqipe. Nuk m’u desht as një orë punë me gjetë (pra mos me gjetë) se në FGJSH mungojnë fjalë të përdorimit të përditshem në Sapë (Zadrimë) si: akulltar/-e, anx:ë/-a,  azull/-i, ballot:ë/-a, bam/-i, -e, bërgajn:ë/-a, birth-i (pse kemi turqishten çiban), brezhël/-a (kancer/i), brig/-u, cangull, me cokë, deh!, me u dejë, ding, me u djergë, kërcalë, me llokë, mangën/-a, miellc:ë/-a, me miklue (përkëdhelë), me përdahë, pllojcë, porrc/-i (apendisit/i), shij:ë/a, e deri tek neologjizma aq e bukur që ndeshim te proverbat e mbledhuna prej Frang Bardhit: i përmielltë. Këtu ka njëgjasend: ose fjalët gege që nuk janë në tosknisht nuk merren si shqipe, ose të quhet Fjalori i Tosknishtes. Si mund të përjashtohet nga gjuha amtare me kaq papërgjegjësi thesari i saj ma i vlefshëm!? Me ç’të drejtë shkencore e morale bahet tosknizimi i fjalëve gege (kur nuk e ka tosknishtja e detyrimisht janë përfshi në FGJSH)?! Po e përsëris, me ç’të drejtë morale, që rri mbi të gjitha të drejtat, “u shkim një ortak bore prej shpatit të malit” e bajnë “u shqim …? Që kur “q-ja” na qenkish ma e fisme se “k-ja”?
Tash këtu nuk asht e vështirë me kuptue se në punë si kjo të çon vetëm një urrejtje ideologike e mjerane për Veriun, edhe pse ata që u mblodhën në Tiranë më 2002 e thanë se nuk ka vend me ndreqë asgja prej Kongresit famkeq te 1972, Haxhiqamilët e gjuhësisë, na u ngryskan në fytyrë tanë marak me disa që dashkan me na prishë “sërishmi” shqipen, dmth, shqipja paskish qenë e prishun, erdhen qehajajët e Sulltanit të Kuq e na e rregulluen, prandaj “sakën” se e prekni. E për “trima mbas vete” kanë do politikanë të majtë që s’dinë as emnin e gjyshit të vet. Qé tash para pak muejsh, prillin e shkuem, na u mblodhen në Prishtinë po ata Haxhiqamilë e lloji i tyne i atrofizuem në mendje e në shpirt e përsëriten me të madhe se ishin gati me nxjerrë shpatat në mbrojtje të vendimeve të 1972. Pse francezët e gjermanët që i ndreqin e i përsosin papre gjuhët e tyne nuk kanë pasë fatin të udhëhiqeshin nga marksizmi e të vendosnin rregulla njëherëemirë.
Gjedhet e hueja si mbaresa -os (ajros për ajroj, armatos për armatoj, baltos për baltoj, palos në vend të paloj, vendos për vendoj), -ur, veçan në pjesore (ajrosur për ajrosë o ajrue, palosur për palosë, pasur për pasë, goditur për goditë, keqpërdorur për keqpërdorë, e kështu pa fund e pa logjikë shkencore), pse na i munguekan, kudi unë, Malëshovës së Përmetit, e atëherë le t’i falemi greqishtes që na i huajti e na bani njerëz. Nëse te gegët ndeshet ma shpesh a-ja hundore që tek toskët ma së shumti del në ë (“nja” e Bardhit në “një” toskënisht, kurse në gegënishte “nji”), raporti tek “Rregullat” asht krejtësisht i zhdrejtë: ë-ja i “përmbyt” krejt “Rregullat” tue sjellë një errësim e shqiptim jo të lirshëm (kakofoni). Tue pa dukuninë në plan hitorik, del se ë-ja asht shpesh ma me vend e ma në natyrë të shqipes se a-ja (kryesisht hundore) e gegnishtes, por pëdorimi i saj i skajshëm, sidomos te fjalë që detyrimisht në përdorime të tjera dalin me “a” nuk ka as vend e as logjikë shkencore. Nuk kuptoj përse, bie fjala, sakohë që themi “ranishtë”, duhet të themi “rërë”, në vend të “ranë”? Shembujt do të ishun të shumta, si e kanë trajtue edhe të tjerë, si bie fjala Avdyl Sula, prandaj edhe nuk po zgjatem.
Përse vijohet me pozicione kriminale ndaj gjuhës?/Na u mblodhen akdemikët në Tiranë me  11-12 nandor 2002  e kujtuen me nostalgji Kongresin e Part …, deshta me thanë të Drejtshkrimit, që na hodhi bazat e shqipes. Që turpi i mbuloftë, se bazat e shqipes i paten hedhë pellazgët e lashtë kushedi sa mijë vite ma parë. Këta dështakë, këta mjeranë të ideoligjizuem, atrofizue në mendje e në shpirt, as duen t’ia dinë për shqipen, po për karriket ku kanë ngjeshë bythët ba kallo. M’anë tjetër, ata tashma haptë del se janë krejt të helmuem. Deklarimet e tyne të fryeme e bajate për shqetësimin nga mendimet ndrysh “të donkishotëve të viteve nëntëdhjetë” s’janë tjetër veçse ai helm që shpërndau pa kursim Partia (ajo me “P” të madhe, kur Atdhe shkruhej me “a” të vogël - atdhe), që çoi në një përçamje që Shqipnia nuk e kishte njohë në të paktën katërmijë vite histori. E si e thashë, fjalë për fjalë përsëritën “vendosmërinë për të mos u tundur nga istikamet e kuqe” edhe do “harushanë” në Prishtinë prillin e shkuem. Ata nuk lanë rast pa shfrytëzue edhe nandorin e shkuem gjatë festimeve të 100-vjetorit të Alfabetit, tue na tundë gishtin fort e tue kërcënue se përpjekjet për një rishikim të normave të ’72 na qenkëshin antikombtare (?!!) e se mohimi i trashigimisë shpirtnore (që asht gjuha shqipe) e kulturore (që asht prap gjuha shqipe) e 4000 vite histori të 3/4 të Shqipnisë, ndrysh Gegnisë, nuk na qenkan antikombtare, përkundrazi, një veper e madhe e … Haxhiqamilëve të enverizmit. Asnjë motiv tjetër me përligjje shkencore nuk mund të ketë në teorinë e “pamundësisë së shartimit në mes dy dialekteve”.
Cilat do të ishin rrugëdaljet prej ankthit?/Së pari, njerëz ma të dijshëm se unë, por me vullnet të mirë e që duen shqipen e Shqipninë, të ulen e të analizojnë ma thellë çfarë vërtetë e vlefshme po birret përfundimisht e doemos duhet shpëtue. Cilat janë ato trajta të përbashkta që u flakën tej si të ishin të serbit a të çinimaçinit. Pse me gjetë çka asht ose ka qenë historikisht e përbashkët asht krejt e thjeshtë, mjaft të shqyrtohen shkrimet e vjetra, bie fjala, proverbat e Frang Bardhit, që janë të gojës së popullit e një dëshmi e shkëlqyeshme se trajtat e përbashkëta kanë qenë në krye të kohës shumë ma të shumta se ato të fillimit të shekullit XX e atëherë, pa ngurrue, me u hapë udhë atyne trajtave të shqipes me rrajë thellë në histori. E proverbat e Bardhit, po të duem ma ba atë ballafaqimin mjeran tosknisht – gegnisht, shfaqen në trajta ma së shpeshti në të mirë të tosknisht për shumëçka. E ani mirë, asht shqipja jonë, prej Çamrije ardhët ajo a prej Rugove. Së dyti, rregullat të jenë doemos “të gjithëpërbashkta”, a në daçin “gjithpërfshirëse”, “mospërjashtuese”, të rrokin mbarë shqipen, sa të jetë e mundun, tue ruejtë “njininë” që na porosit Fishta. Të bajsh të kundërten, asht një atentat jo vetëm gjuhësor, por kundër kombit vetë. Së treti, në themel të punës të kihet parimi i pasunimit të gjuhës në të gjithë format a trajtat e saj, zhvillimi i saj i papremë, përthithja e formave dhe e fjalëve nga te dy dialektet e nga të folme ma të ngushta, e jo degdisja në një gjuhë “të katundit” të shokut Kostallari. Së katërti, në fjalorë do të shënohen edhe fjalët e hueja që kanë qenë dikur të përdorimit të gjanë, ose që fatkeqësisht përdoren edhe sot në të folmen e përditëshme, por pa dhanë asnjë shpjegim tjetër a përdorim, përveçse prejardhjen dhe përkatësen shqipe. B. fj. “Eksperiencë”, it. - përvojë. Kaq, asgja ma shumë, që me i lanë me kuptue përdoruesit të fjalorit se ajo fjalë nuk duhet përdorë ma pse kemi përkatësen shqip.
Përgjegjësia e institucioneve dhe përgjegjësia morale intelektuale/Kam një dyshim: A ka institucione gjuhësore në Shqipni? A ka intelektualë në Shqipni, apo janë tjetërsue? Tash formalisht institucionet janë, Akademia, Instituti Albanologjik (së fundi), Universitete pa numur (si bunkerët), ka, më duket, edhe qeveri, ka … Apo nuk ka? Si jo ? A nuk po na ban ajo me “Kartë Identiteti” (europiane, siç) në vend të “Letër Njoftimit”? Desht Zoti e tash doli edhe Kosova “Zojë më vete”, po mbasi u çliruen prej shkjaut, çka po bajnë kosovarët me u çlirue prej vetit? A prap do të rrinë “sus” para “eunukëve të Tiranës”? Çka po bajnë ata me u çlirue njëherëemirë prej gjedheve sllave pa u ripushtue prej “interpretacionesh” perëndimore krejt mish i huej në trup të shqipes? Ka, pa pikë dyshimi, edhe intelektualë, por ata i kanë t’huej, i kanë tulatë, u kanë mpi çdo dëshirë me marrë përsipër përgjegjësi të dorës së parë me randësi kombtare. Pse, po nuk i moren përsipër intelektualët këto përgjegjësi jetike, kush do t’i marrë, deputetët që, si thotë një barseletë shkodrane, kanë krye kah dy e tre fakultete, por e kanë peng që nuk kanë krye edhe shkollën e mesme? Pse kaq të lehta ishin ato fakultetet – merre me mend sa shkolla të mesme mund të kishin krye, ndonjeni edhe tetëvjeçaren. Po nuk asht kurrë vonë, të dashtun deputet, hyjani, hyjani edhe shkollës së mesme.
Mbi detyrimin e shtetit me ligjërue sanksione/Ashtu si në mbarë botën e përparueme, do të kemi këto dukuni edhe në të ardhmen: a – Një letërsi e thurun tue u bazue në standardin gjuhësor kombtar; b - Një letërsi dialektore, që sjell larmi e pasuni të veçanta, tue pasë edhe kjo vend në shkollë e në studime; c - Gazeta, revista e sidomos stacione radiotelevizive të detyrueme me u ndejë normave standarde kombtare e sidomos të detyrueme me sanksione të rrepta me folë shqip.
Letërsia artistike do të jetë e lirë me përdorë edhe të folme krejt të ngushta. Asht punë e secilit si e ndjen e si e shpreh krijimin e vet. Kjo veçse e pasunon shqipen, që edhe në të ardhmen do të ketë nevojë me u ushqye prej të folmeve edhe ma të skajshme.
Due të ndalem tek pika e fundit, tek detyrimi me folë shqip. Nuk po flas për përvojën franceze apo të ndonjë shteti tjetër. Po flas tue u nisë nga gjendja e randë, tejet kërcënuese për të ardhmen, e një shqipeje bastardhe që përdorin sot veçan stacionet radiotelivizive, e jo vetëm ata. Pse, do profesora “famozë” të mjeksisë arrijnë deri atje sa të botojnë librin “Sëmundjet Interne”. Këta duhen ndëshkue në mënyrë shembullore. Mund të jenë edhe profesora (superprodhimi ma i frikshëm sot në Shqipni), po nuk janë qytetarë të dejë të këtij vendi, sakohë që sëmundjeve të mbrendëshme u thonë “Interne”. Shej ma të haptë paditunije s’kanë nevojë me dhanë “profesorat famozë”. Por ndërkohë ndëshkimin shembullor e meritojnë, jo tue i fishkullue me kamxhik, si do të banin dikund tjetër, por të paktën me nga një gjobë të majme po, e libri të hiqet menjëherë prej qarkullimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›