E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonja Ina Rama, ku banon dhe ku punon?

Dëgjuam për Zamir Shtyllën se kryeprokurorja e caktoi prokuror të thjeshtë në Elbasan. Disa mendojnë se kjo lëvizje ishte rezultat i ndërgjegjësimit të zotit Shtylla lidhur me pozitën e tij në kushtet e ligjit që po hyn në fuqi dhe të kontekstit konfliktual ku ndodhet prokuroria me ligjin dhe publikun. Ka zëra që e paraqesin këtë emërim si ndëshkim të kryeprokurores, e cila në këtë rast nuk ka mandat bamirësie, por tërheqje vëmendjeje dhe ndëshkim pse ky (Shtylla) dha dorëheqjen. Ka të tjerë që duan të thonë se kryeprokurorja, e mashtruar dhe e gënjyer nga eprorëdashës të saj, po përpiqet të fitojë kohë dhe të mbajë në lojë Arjan Ndojën, zotin Shtylla dhe të tjerë. Cilido që të jetë versioni i saktë, një gjë është e qartë, që për veten e saj, kryeprokurorja nuk ka menduar asgjë. Ajo vazhdon të rrijë në krye të prokurorisë, edhe pse ka kryer po të njëjtat krime në kohët e sotme, që dikur i kryenin kolegët e saj, etj, etj, e që tani ajo po i transferon në Elbasan.
    Pra, për kryeprokuroren, sot e gjithë ditën qëndron pyetja: ku banon dhe ku punon? Ndërsa ne kur e akuzuam për banesën, ajo tha se “unë s’merrem me shpifje”, nuk ishte dhe nuk është akoma në gjendje t’i kthejë publikut një përgjigje që të kundërshtojë dokumentacionin tonë dhe të dalë faqe njerëzve që e dinë historinë e vërtetë.
    Kjo tregon se për çudi, zonja kryeprokurore përshkohet ose nga një naivitet i papranueshëm, ose nga një siguri e verbër se betejën midis ligjit dhe antiligjit, midis shpërdorimit të detyrës dhe shërbimit të detyrës, do e fitojë e keqja. Zaten ajo përpiqet e bën tifo për fitoren e së keqes. Prandaj, ajo vazhdon të mbajë postin e saj dhe ta shpërdorojë atë në çdo ditë që kalon, me punë të cilat janë të zëshme, por janë edhe të pazëshme. Por gjithsesi, ato punë nuk janë jashtë kameras së ligjit dhe kritereve, të cilat publiku i konsideron si kuota të larta për ta gëzuar postin.
    Pyetja “a punon prokurorja akoma në zyrën që e shpërdoroi që në ditët e para?” lind edhe për faktin se kjo nuk i quaka fare dorëheqjet si procese që meritojnë jo vetëm vëmendje, por edhe analiza, dhe që pasqyrojnë në të vërtetë gjendjen e rëndë të një stafi. Dhe kjo kujton se me zëvendësime, harrime a ndëshkime, apo duke shpallur delfinë të rinj, ia del mbanë që të plotësojë dëshirën e misionin e saj. Jo! Ora numërohet mbrapsht për kryeprokuroren, numërohet mbrapsht vazhdimisht, nën peshën e pyetjes tonë: “Ku banon dhe ku punon, zonja Ina Rama?”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›