Letrat Kadaresë drejtuar Hoxhës

Nexhmije Hoxha zgjodhi një mënyrë interesante të mbrojtjes në këtë proces, meqenëse ajo synon të provojë një raport jodetyrues mes saj dhe shkrimtarit.
Në fakt, sipas asaj që paraprakisht ka deklaruar Nexhmije Hoxha, dorëzimi i dorëshkrimit ishte një dhuratë, edhe pse, sipas Kadaresë, nga ana tjetër, dorëshkrimi ishte marrë me detyrim.
Në vazhdim, Express sjellë tekstet integrale të tri letrave, të botuara në gazetën ‘Shekulli’. Kjo gazetë tiranase, madje, ka paralajmëruar se këto nuk janë letrat e vetme, dhe se gjatë ditëve të ardhshme do të botojë edhe disa letra tjera të ngjashme.
Letra 1
Shoqja Nexhmije,
Duke ju falënderuar edhe një herë për ndihmën që më keni dhënë për romanin, nuk e di në qoftë se do të keni gjetur ndërkaq edhe ndonjë material tjetër, për të cilin do t’ju isha shumë mirënjohës.
Unë dhe Elena kemi shumë dëshirë t’ju bëjmë një vizitë në qoftë se ju do të kishit kohë të lirë, ndonjë ditë.
Të fala,
Ismail Kadare
21 mars 1971
Letra 2
Shoqja Nexhmije,
Kurdoherë që të dëshironi, dhe të keni kohë të lirë, jam i gatshëm t’ju bisedoj për disa probleme dhe përshtypje nga vendet skandinave (siç më thatë në Kongres).
Të fala,
Ismail Kadare
Nëntor 1971
Letra 3
Shoqja Nexhmije,
Ju kërkoj ndjesë që po ju shqetësoj dhe, më besoni, nuk e kam pasur të lehtë t’ju shkruaj këtë letër, aq më tepër tani që jeni me pushime, por më shtyn një arsye e fortë.
Jam përpjekur ta zgjidh vetë problemin, por pa asnjë rezultat.
Është fjala përsëri për apartamentin e ri, i cili që prej tre vjetësh vazhdon të jetë për mua një burim telashesh e mërzitjeje. Pikërisht tani, që godina po mbaron, më thirrën në Komitetin Ekzekutiv dhe më njoftuan se ata nuk kanë ndërmend të mbajnë fjalën për apartamentin. Më lanë të kuptoj se ndoshta mund të më jepnin një apartament tjetër të zakonshëm në atë godinë, por kurrsesi apartamentin e premtuar me dhomë pune. Sipas tyre unë kam faj, se e kam ditur dhe që e kam parë (vizituar) atë apartament gjatë ndërtimit, kështu që, si ndëshkim (nënkuptohet) nuk do të ma japin.
Ju e dini, shoqja Nexhmije, se edhe një herë tjetër keni ndërhyrë, është e njëjta histori, e cila më ka detyruar të vij te ju. Unë nuk e kuptoj përse disa njerëz me kaq këmbëngulje vazhdojnë të më mërzisin vite me radhë për këtë apartament. Nuk e teproj po të them se, për mua është një gjë shumë dëshpëruese që, pasi kam pritur shumë vite në kondita të vështira strehimi, me shpresë se më në fund do të kem një dhomë për të punuar, tani më njoftojnë refuzimin e saj. Gjendjen time të vështirë e shton fakti se unë, me qëllim që kur të hyja në shtëpinë e re, të mos humbisja muaj të tërë me rregullimin e dhomës së punës, qysh prej kohësh kam porositur (bërë) pajisjet e nevojshme (si bibliotekë etj.) sipas dimensioneve të apartamentit të premtuar. Por në rast ndërrimi të apartamentit, ato do të më dalin jashtë përdorimit, meqenëse është i vetmi apartament në atë godinë me një dhomë pune, me dimensione më të mëdha se dhomat e zakonshme.
Edhe në qoftë se vizita e godinës në ndërtim konsiderohet një gabim (në fund të fundit, unë kam shkuar për arsyet që tregova më lart), nuk ma merrte kurrsesi mendja se për këtë gabim duhet të meritoja një kundërveprim të tillë. Të them të drejtën, më shumë se arsye, kjo më duket vetëm pretekst sa për t'ia dhënë apartamentin dikujt tjetër, (aq më tepër kur dihet që për atë godinë ka shumë kërkesa dhe ndërhyrje).
Ju kërkoj edhe një herë ndjesë që detyrohem për të dytën herë të kërkoj ndihmën tuaj për këtë gjë. E ndjej veten, në një farë mënyre, fatkeq që në vend që t’ju drejtohesha për probleme më të rëndësishme, detyrohem t’ju shkruaj prapë për çështje strehimi. Por, besoj se ju do të më kuptoni drejt, që kjo është vërtetë diçka e rëndësishme për punën dhe jetën time.
Me respekt,
Ismail Kadare
Tiranë, më 26 korrik 1973