Letrat me vlerë në procesin e legalizimeve, sot shqyrtohet ligji
Komisioni parlamentar i Ligjeve nis sot diskutimin e projektligjit të ardhur nga qeveria për përdorimin e letrave me vlerë në procesin e legalizimeve. Projektligji i cili u miratua pak muaj më parë nga qeveria, pritet të miratohet në seancën e ditës së enjte nga Kuvendi. Në këtë projektligj parashikohet që qytetarët mund të paguajnë ndërtimet informale deri në 80 për qind të tyre me letra me vlerë. Por në këtë projektligj, është krijuar edhe një lehtësi tjetër. Qytetarët që kanë metra katrorë ekstra, pra që ligji i legalizimit i legalizon me 100 për qind të vlerës, mund të paguajnë gjysma e vlerës së ndërtimit me letra me vlerë. Në qoftë se një personi i takon të legalizojë banesën dhe 300 m2 në përputhje me ligjin, ai paguan deri në 80 për qind të vlerës me letra me vlerë. Kjo do të thotë që qytetarët që kanë mbi 500 metra katrorë ndërtim jashtë vijës së verdhë, dhe ata që kanë mbi 300 metra katrorë brenda vijës së verdhë, që sipas ligjit e paguajnë këtë sipërfaqe shtesë me vlerë tregu, mund të paguajnë deri në 50 për qind me letra me vlerë.
Projektligji i qeverisë parashikon se qytetarët mund të paguajnë vlerën e ndërtimit të tyre informal me letra me vlerë jo më vonë se tri muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Personat, të cilët i kanë kryer pagesat për legalizimin e ndërtimeve, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, përfitojnë lehtësitë e parashikuara në këtë ligj. Kjo do të thotë që ata që e kanë paguar tashmë shtëpinë e tyre me letra me vlerë, mund të tërheqin paratë e dhëna për ALUZINI-n për ti shkëmbyer me letra me vlerë. “Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit, personat duhet të paraqesin kërkesë, me shkrim, pranë ALUIZNI-it, brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, - thuhet në projektligj. Të ardhurat e arkëtuara nga procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje transferohen në buxhetin e shtetit, për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si fond kompensimi financiar, sipas parashikimeve të ligjit nr.9 235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar”.
ILDKP ankimon në gjykatë vendimin e prokurorisë
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, me anë të një deklarate për shtyp, informoi dje se ka ankimuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendimin e organit të prokurorisë për pushimin e procedimit penal ndaj subjektit Florian Nova, me funksion ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Hungarisë, i kallëzuar penalisht nga ky institucion për veprën penale të “refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal. “Pranimi i bërë nga organi i Prokurorisë për këtë justifikim nuk është bindës për Inspektoratin e Lartë. Për këtë arsye, ILDKP i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për prishjen e vendimit për pushimin e procedimit penal dhe urdhërimin për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme”, - thuhet në njoftimin e ILDKP-së, duke shtuar se Prokuroria përdor standarde të dyfishta. Inspektorati i Lartë ka nisur këtë procedim penal ndaj zyrtarit, pasi dyshon për burim të paligjshëm të 300 mijë eurove dhe për mosdeklarim të një apartamenti.