E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muharrem Stojku, kreu i ri i KESH-it, Prifti: Rritja e energjisë, jo për familjarët



Këshilli i ri Mbikëqyrës i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare emëroi si drejtor të Përgjithshëm, Muharrem Stojkun, i cili mbante detyrën e drejtorit të prodhimit në KESH. Prezantimi i tij u bë dje në Ministrinë e Ekonomisë, në prani të ministrit Dritan Prifti dhe anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës. Emërimi i Stojkut erdhi pas dorëheqjes së Gjergji Bojaxhiut një ditë më parë, i cili dha si arsye fundin e misionit të tij në krye të korporatës, pasi sipas tij, objektivat ishin arritur. Por dorëheqja e Bojaxhiut erdhi pas shkarkimit të të gjithë Këshillit Mbikëqyrës të KESH-it nga ministri Prifti pas publikimit të raportit të kontrollit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili evidentonte shkelje në KESH. Në të njëjtin raport, KLSH rekomandonte që drejtori i Prodhimit, Muharrem Stojku, të merrte një paralajmërim për përjashtim nga puna, për shkak se kishte thyer procedurën në kontratat e punës individuale me kohë të pjesshme.

Dje në konferencën për shtyp, ministri Prifti tha se nuk e priste dorëheqjen e Bojaxhiut, por shtoi se ish-kreu i KESH-it i kishte arritur objektivat. “Nuk kam pasur asnjë përplasje me Bojaxhiun, dorëheqja mendoj se ishte një vendim i tij personal”, - tha ministri Prifti.

I pyetur nga mediat në lidhje me rritjen e mundshme të energjisë elektrike, ministri Prifti tha se kjo rritje nuk do të prekë konsumatorët familjarë. Ai tha më tej se ka shumë hallka, të cilat do të respektohen deri në rritjen e energjisë. “Nga momenti i aplikimit deri në momentin e vendimit ka shumë hallka, të cilat mund të funksionojnë dhe do të funksionojnë. për të mos qenë situata kaq problematike siç duket në pamje të parë. E para, Enti Rregullator ka detyrim ligjor që të studiojë me përgjegjësi këtë aplikim, të bëjë llogaritjet teknike, financiare, ekonomike me përgjegjësi të lartë, për të pare sa realiste është kërkesa që vjen nga OSSH-ja”, - tha Prifti. Ministri tha më tej se shpreson që enti të bëjë detyrën e tij, e cila është ruajtja e konsumatorëve nga rritjet e paarsyetuara të energjisë elektrike. “Unë jam i prirur të besoj që Enti Rregullator e ka shumë të qartë detyrën e vet që është numër 1, mbrojtja e konsumatorit shqiptar dhe jo dhënia e favorizimeve për ndonjë kompani apo dhe ndonjë tjetër”, - shtoi Dritan Prifti. Në datën 2 tetor, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes aplikoi pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për vitin 2010. Pas dorëzimit, kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, u shpreh se ERE do të shqyrtojë brenda një periudhe 12-ditore kërkesën e paraqitur nëse ajo është konform rregullave dhe do t’i kërkojë OSSH të paraqesë brenda 10 ditëve treguesit për energjinë elektrike, si dhe t'i publikojë tarifat në tre prej gazetave më të njohura në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›