E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji i ri, dëshmia jepet me emër të rremë



Në Kuvend ka mbërritur projektligji i qeverisë “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë” dhe pritet që komisionet parlamentare të marrin në shqyrtim këtë nismë të re ligjore. Ndryshe nga ligji i mëparshëm, ky projektligj përcakton një mbrojtje më të madhe për dëshmitarët që pranojnë të dëshmojnë kundër kriminelëve të kapur nga policia. Projektligji përcakton se shteti shqiptar ofron të gjithë ndihmën e nevojshme ndaj të penduarve. Sipas këtij projektligji, ngrihet një drejtori e veçantë e cila shqyrton çdo rast në fshehtësi me përfaqësues nga Prokuroria dhe Policia e Shtetit. Në rast se dëshmitari pranon të dëshmojë dhe ka frikë për jetën e tij, drejtoria e posaçme merr masa për ruajtjen e jetës së tij, duke e futur në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve. Sipas projektligjit, ky program tashmë plotëson kërkesat e dëshmitarëve të drejtësisë. Ata futen në një program, i cili ndryshon identitetin e tyre. Jo vetëm kaq, por ky projektligj lejon që dëshmia e të penduarit të jepet me një emër të rremë, pa e kuptuar i akuzuari se nga kush po jepet ajo. Kjo përbën një risi në Shqipëri, e huazuar nga programi i mbrojtjes së dëshmitarëve që aplikon SHBA-ja. Në masat e posaçme të mbrojtjes së dëshmitarëve, parashikohen të gjitha hallkat e domosdoshme që t’i garantohet jeta të penduarit. “Dhënia e dëshmisë nën një identitet tjetër dhe administrimi i tyre me mjete të veçanta për deformimin e zërit, pamjes së vërtetë të tij dhe forma të tjera të caktuara sipas ligjit”, - thuhet në një nga nenet e këtij projektligji. Nga ana tjetër, programi do t’i mundësojë banim dhe pagesë ekonomike të penduarit. Pagesa e tij ekonomike do të jetë e barabartë me punësimin që ai kishte më përpara. Nga ana tjetër, ai do të mund të kërkojë shërbime të tjera që nga këshillat e deri tek kualifikimi i tij profesional dhe të gjitha këto të paguara nga shteti. Njëkohësisht. projektligji përcakton se një komision i posaçëm shqyrton çdo kërkesë të ardhur nga dëshmitarët. Në rast se kërkesa e tyre lidhet me ndihmë financiare, atëherë komisioni vendos nëse kërkesa e dëshmitarit është e drejtë. Kjo nismë ligjore është hartuar me ndihmën e ekspertëve të huaj, që asistojnë në reformën në drejtësi. Mbrojtja maksimale që u ofrohet të penduarve të krimit është marrë nga eksperiencat më të mira perëndimore.

Risitë e ligjit

Shtohen veprat penale nga të cilat mund të përfitojnë të penduarit dhe bashkëpunëtorët e drejtësisë, ndërsa minimumi i dënimit të parashikuar për një vepër penale nga e cila mund të përfitohet mbrojtje apo përfshirje në program është ulur në katër vite. Ndërkaq, në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve, projektligji i ri parashikon marrjen në mbrojtje të bashkëpunëtorëve të drejtësisë në denoncimin e krimit të korrupsionit. Ndërsa është parashikuar edhe mbrojtja e të afërmeve të personit që ka marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Në të gjithë rastet, kur personi vendos të merret në mbrojtje duhet të nënshkruajë më parë një marrëveshje, ndërsa në asnjë rast të dhëna mbi programin nuk do të duhet të publikohen prej tij, në të kundërt, ai do të ketë përgjegjësi ligjore. Të gjitha të dhënat e programit ligji i cilëson si informacione të klasifikuara, të cilat nuk mund të bëhen të ditura. Të drejtën për të propozuar pranimin e një ose të disa personave në programin e mbrojtjes e ka Prokurori i Përgjithshëm.

Masat e posaçme të mbrojtjes

Ndryshimi i identitetit

Ndryshimi i vendbanimit

Dhënia e dokumenteve të rreme

Mbrojtja e përkohshme e identitetit e të dhënave dhe dokumenteve të personit të mbrojtur

Dhënia e dëshmisë nën një identitet tjetër dhe administrimi i tyre me mjete të veçanta për deformimin e zërit, pamjes së vërtetë të tij dhe forma të tjera të caktuara sipas ligjit

Masa të veçanta mbrojtjeje, fizike dhe teknike, në vendin ku qëndron personi i mbrojtur, si dhe gjatë lëvizjeve të tij, përfshirë edhe ato për përmbushjen e detyrimeve ndaj organeve të drejtësisë

Masat ndihmëse

Rehabilitimi social

Dhënia e ndihmës financiare në kohën ndërmjet dy punësimeve

Rikualifikimi profesional

Dhënia e këshillave dhe ndihmës së specializuar ligjore

Masa të tjera që mund të çmohen të nevojshme për raste të veçanta

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›