E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëv i beson fallxhorit: Gjermania merr trofeun

KIEV - Gjermania jo vetëm do të mundë Italinë, por do të fitojë edhe Europianin. Supremacia teknike e gjermanëve tashmë ka edhe një aelat më shumë: dorën e Joakim Lëv. Tekniku i Gjermanisë ka lexuar dorën te një fallxhor, i cili i ka thënë se "karriera e tij është duke arritur kulmin". Një sinjal që i ka dhënë entuziazëm mediave, ndërkohë që në Berlin kanë nisur që tani të përgatisin festën për të hënën. Në fakt, supersticioziteti nuk është edhe aq pjesë e kulturës gjermane. Sipas "Bild", tashmë nuk është sekret se përgatitjet për festën e fitores së Europianit kanë nisur, madje aspak në fshehtësi. "Të jesh supersticioz është injorancë, por të mos jesh ndjell ters", thoshte Eduardo De Filipo. Tashmë kësaj i besojnë edhe gjermanët. Ka patur nga ata që i kërkojnë trajnerit Joakim Lëv të veshë sërish këmishën me ngjyrë të bardhë, ndërsa ndonjë tjetër beson te Klose, që në 41 herët në të cilët ka shënuar gol, kombëtarja gjermane ka fituar gjithnjë. Fallxhori Verner Gisling, 50-vjeçar, kur ka lexuar dorën e Lëv, është pushtuar nga entuziazmi. "Imazhi i dorës, - ka thënë ai për Bild, - tregon se Joakim Lëv është në rrugë të mbarë për të arritur kulmin e karrierës. Linja e tij e dorës tregon se do të fitojë titullin dhe nëse kjo nuk do të ndodhë, nuk do të jetë absolutisht faji i tij". Për gjermanët, tashmë ka 12 arsye përse kombëtarja e tyre do të fitojë ndaj Italisë sot në mbrëmje. 11 janë futbollistët që zbresin në fushë dhe një është dora e trajnerit Joakim Lëv. Vetë tekniku gjerman është i bindur se skuadra e tij do të arrijë të fitojë ndaj Italisë në sfidën gjysmëfinale që do të zhvillohet në Varshavë. "Duhet të ndalim Pirlon, pasi ai dikton lojën në fushë. Italinë e respektojmë, por nuk e kemi frikë", u shpreh ai para gazetarëve. "Sa i përket historisë, 6 vjet më parë ishte një Itali ndryshe, - vijon trajneri gjerman. - Një vit më parë barazuam 1-1 në miqësore, ndërkohë që ka ndryshuar edhe mentaliteti italian i futbollit. Ajo humbje e vitit 2006 ka qenë zhgënjimi im më i madh, sidomos për mënyrën sesi erdhi", shprehet Joakim Lëv. Në krah të trajnerit gjerman ka qenë edhe Bastian Shvajnstajger, që e ka kaluar dëmtimin dhe do të jetë në fushë kundër Italisë. "Nuk kam më probleme me kaviljen, - thotë mesfushori i Bajernit. - Italia? Nuk jemi stërvitur as për gjuajtjet e penalltive", u shpreh Bastian Shvajnstajger i sigurt. 

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›