Lëvizja “Nano” - reagon Bardhyl Agasi/“Nën drejtimin e Edi Ramës, në dyshim fitorja e PS-së”

Ashpërsohet kundërvënia e mbështetësve të Nanos ndaj Ramës: Nëse nuk ofrohet bashkëpunimi, Lëvizja Nano do bllokojë lidershipin aktual të kryejë aksionin politik të zgjedhjeve të ardhshme
Ashpërsohet gjithmonë e më shumë kundërvënia e mbështetësve të ish-kreut të PS-së, Fatos Nano ndaj lidershipit aktual të kësaj partie, Edi Ramës. Duke treguar qartazi tashmë pozicionin e tij politik në “Lëvizjen Nano”, një nga emrat më të njohur të bazës socialiste në Durrës, Bardhyl Agasi, rikthen në qendër të vëmendjen zhvillimet më të fundit politike.
Ndërsa pohon se askush nuk mundet t’i mohojë apo deformojë historinë dhe vlerat më të mira ndër vite të PS dhe se askush nuk mundet ta nxjerrë Fatos Nanon jashtë kësaj force politike, “Lëvizja Nano”, shihet nga ish- deputeti i PS-së Bardhyl Agasi si një lëvizje që do t’i shërbejë forcimit të PS-së, e cila rrezikon të humbasë në zgjedhjet e ardhshme për shkak të gabimeve të njëpasnjëshme të ardhura nën drejtimin e lidershipit aktual.
“Partia në këtë gjendje është në një dyshim të madh për fitoren e saj, pasi ka gabime të njëpasnjëshme. E rëndësishme është të theksohet se kjo lëvizje është brenda radhëve të PS. Nuk mund të thuhet që ka ikur Fatos Nano nga partia, sepse dhe me statutin e partisë, ish-kryeministri, ish-kryetari, ish-presidenti janë të përhershëm anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Duam apo s’duam Nano është i pranishëm në PS. Ai do të jetë aty dhe do të dëgjohet fjala e tij”, thotë Agasi.
Ai shton se alternativa e Nanos nuk duhet parë si konflikt, por si garë brenda PS. “Çdo parti ka garë, ka konkurrencë dhe kjo garë nuk do të jetë me shpata, por do të jetë se kush do të kryejë më tepër bindje në radhët e anëtarësisë së partisë dhe për fat të mirë, kryetari zgjedhjet me votat e anëtarësisë”, thotë Agasi.
Ish-deputeti i PS-së komenton dhe procesin e zgjedhjes së presidentit. Ai shton se PS luajti në mënyrë të gabuar.
“Lufta politike është dhe garë politike. Të jesh në opozitë nuk do të thotë të biesh në pozitat e pasivitetit me idenë se të mungojnë votat. PS jo vetëm Nanon duhet ta mbështeste, por edhe sikur të hiqte dorë nga Nano, kishte një listë me emra të pafund të njerëzve të saj”, thotë Agasi.
Lidhur me funksionimin e së majtës, Agasi shprehet se lidershipi i PS-së nuk duhet të gabojë me aleatët.
“Duhet të kuptojmë që PS duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë me aleatët e saj të vërtetë. Duke mos dëgjuar zërin e aleatëve është shumë vështirë të sigurohet fitorja në zgjedhje”, thotë Agasi.
Për më tepër ish deputeti i PS-ës Bardhyl Agasi ka bërë me dije se nëse nuk do të këtë reflektim e sinqeritet nga lidershipi aktual i PS, për të shtrirë dorën e bashkëpunimit me njëri-tjetrin, duke i lënë ata jashtë lojës politike, lëvizja e re do të penalizojë ecurinë e Partisë Socialiste nën drejtim e Ramës.
Ndërsa ka lënë të hapur dhe garën mes Ramës dhe Nanos për kreun e partisë socialiste.
Qëndrimit të Agasit i janë bashkuar dhe dhjetëra-qindra anëtarë të partisë socialiste në Durrës por edhe në komunat e bashkitë e qytetit, brenda rretheve të PS-së të cilët kanë shprehur haptazi mbështetjen e tyre nga lëvizjes më të re politike.