Lëvizja "Nano për president": Kryetarët, lojë për pushtet

Lëvizja Nano ka reaguar sot në lidhje me takimin Berisha-Rama për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Në një deklaratë për shtyp Koordinatori i Lëvizjes Arian Galdini ka theksuar se politika e krizës dhe konfliktualitetit që mbizotëron e mban Shqipërinë në statusin kur Kryetarët nuk duan të zgjedhin Presidentin, sepse duan të bëjnë pazare e merren vesh sipas traditës joperëndimore, për rregulla loje prej nga ku të fitojnë mandate deputetësh e zgjidhin punët e pushtetit.
“Loja për pushtet dhe mbivlerë të intersave të ngushta politike apo vetjake e Kryetarëve të Partive është bërë një nxitëse dhe ushqyese e krizave si edhe pengesë për zhvillimin e shëndetshëm dhe marrjen e statusit kandidat për në BE të Shqipërisë. Loja për pushtet e Kryetarëve, mbizotërohet nga mekanizmat dhe mendësitë meskine prej ngaku ata synojnë të rrëzojnë njëri-tjetrin. Ata luajnë e luftojnë veç për pushtet e motivohen nga dëshira dhe ambicia që ose njëri të mbetet Kryeministër, ose të bëhet tjetri i cili drejton derisot Opozitën” thekson lëvizja.
Sipas kësaj lëvizjeje, loja e Kryetarit të PS Edi Rama, si edhe ata që kanë rënë në kurthin apo janë pjesë e kurthit të kësaj loje qëllimligë, kanë nxitur një zhurmë të paarsyetur që të krijon idenë se të gjitha fajet i paska Kandidati që vetëofrohet Fatos Nano. "Fatos Nano u vetëofrua dhe priti me qetësi olimpike që Kryetari i PS Edi Rama të kthjellohet e fillojë të mendojë për vendin më shumë sesa për lojerat e marifetet e pushtetit. Por Edi Rama nuk rreshti se bëri lojëra e marifete pushteti duke ushqyer krizën, shantazhin, ndaj palëve të tjera politike e duke shpërfillur dhe anashkaluar Fatos Nanon. Ngurrimi i paarsyetur politikisht, demokratikisht dhe moralisht i Edi Ramës për të mbështetur Fatos Nanon, ra në nivele të tilla mospërputhjeje me respektin dhe vlerësimin e merituar të sensibiliteteve njerëzore e politike, a thua se ky njeri, Fatos Nano,nuk ka qenë kurrë Kryetar i PS dhe Kryeministër i vendit disa herë” thekson më tej kjo lëvizje.
Më tej Lëvizja thekson se nëse Nano pengohet për të garuar si president ai do të konkurojë në zgjedhjet e 2013-ës. "Fatos Nano është i gatshëm dhe i vendosur që nëse do të pengohet arbitrarisht dhe pashpjegueshmërisht në mundësitë e tij për të garuar për President, atëherë do t`i vetëofrohet publikut dhe qytetarëve shqiptarë për të konkuruar me të gjithë Kryetarët e derisotëm për zgjedhjet e vitit 2013 bazuar në një alternativë të qartë vlerore, dalezotësie, paqebërjeje, jokrize, properëndimore, proeuropiane, prointegrim, konstruktive, bashkërenduese, bashkëpunuese, komunikative, mirëbesuese, gjithpërfshirëse, përbashkuese dhe prozhvillimit të shëndetshëm. Konkurenca e lirë dhe e ndershme, pjesëmarrja e publikut dhe transparenca janë në themelin dhe shpirtin e qëllimeve dhe vizionit politik të Fatos Nanos” përfundon deklaratën e saj kjo lëvizje.