E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD hedh poshtë pretendimet e Ramës: Ndalimi i skafeve nuk ka dëmtuar turizmin

Skafet, foto arkiv

Nëpërmjet një deklarate për mediat, Partia Demokratike hedh poshtë pretendimet e socialistëve, sipas të cilëve, ndalimi i skafeve ka dëmtuar turizmin dhe ekonominë e qyteteve bregdetare.

“Shqipëria dhe qytetarët e saj kanë nevojë për reforma që i afrojnë me Bashkimin Europian dhe jo trafiqe dhe skafe që i largojnë nga Europa”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Sipas PD-së, në Shqipëri skafet si flotilje e krimit të organizuar dhe trafiqeve i kanë shërbyer vetëm pasurimit të grupeve kriminale dhe mbrojtësve të tyre, pushtetarëve që i mbështesin dhe Jo qytetarëve.

Më tej, selia blu nënvizon se, pretendimi se ndalimi i skafeve ka dëmtuar turizmin në qytetet e qeverisura nga socialistët është sa absurd aq edhe qesharak. E vërteta është se pas ndalimit të skafeve numri i turistëve në këto qytete, jo vetëm që nuk është ulur po është rritur me rreth 15 herë dhe në shkallë vendi ky numër është rritur me 13 herë dhe konkretisht Shqipëria priti vitin e kaluar mbi 4 milionë turistë e vizitorë kundrejt vetëm 300 mijë që priti në vitin 2004.

Gjithashtu në njoftimin për mediat thuhet se, moratoriumi i skafeve bëri të mundur avokatin e shkëlqyer nga fqinjët tanë, madje garancinë e tyre për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë në mbarë Europën për qytetarët shqiptare. Sigurisht që për disa pushtetarë që vetë lëvizin me pasaporta diplomatike, lëvizja e lirë e qytetarëve nuk ka rëndësi madje mirë është që ajo mundësisht të anulohet, sepse përbën një sukses të qeverisë së kësaj mazhorance.

Në njoftim sshkruhet se, Partia Demokratike denoncon dhe hedh kategorisht poshtë këtë qëndrim të z.Rama dhe krerëve të tjerë të Partisë Socialiste, me të cilin për interesa të pasurimit të pushtetarëve të saj me paratë e pista të trafiqeve kriminale të kërkojnë të anulojnë lëvizjen e lirë e të rikthejnë vizat për qytetarët e thjeshtë shqiptarë, të rikthejnë sërish Otranton në varrezën e zezë të të rinjëve shqiptarë”, përfundon reagimi i selisë blu. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›