E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëvizja e lirë, shqiptarët udhëtojnë pa vizave por me bileta më të shtrenjta



Ervin KOÇI

Kompanitë shqiptare të udhëtimeve nuk kanë hequr dorë nga veset e vjetra me gjithë premtimet se do të ndryshonin. Sapo dy ditët e fundit nisi fluksi i shqiptarëve për të lëvizur jashtë shtetit pa viza, erdhi menjëherë shtrenjtimi i biletave të udhëtimit nga kompanitë ajrore. Këto të fundit ishin të parat që nuk pritën, por që në ditët e para i shtrenjtuan çmimet jo pak por deri në 100 euro për biletë drejt vendeve të hapësirës “Shengen”. Fakti nuk është pranuar fillimisht prej operatorëve turistik dhe agjencive të udhëtimit, por më pas ato kanë nxituar ta justifikojnë këtë me ndryshimet e çmimeve nga partnerët e huaj, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Lajmin e shtrenjtimin e kanë konfirmuar dje vetë qytetarët që janë paraqitur për të prenotuar ose ata që kishin prenotuar një muaj më parë dhe që kanë ardhur për të marrë biletat. Kur janë gjendur përpara sporteleve të agjencive shumë qytetarë kanë mësuar se çmimet kanë pësuar rritje me 50 deri në 100 euro më shumë për biletë.

Zakoni i vjetër
Ndryshe nga herët e tjera, vetëm disa javë përpara liberalizimit të vizave përfaqësues të agjencive të udhëtimeve dhe atyre turistike deklaruan publikisht se “nuk do të rrisnin çmimet pas datës 15 dhjetor”. Por si shumë premtime të bëra dhe të pambajtura në Shqipëri, edhe operatorët turistik nuk e harruan zakonin e vjetër. Gjithmonë në prag të festave kompanitë ajrore rrisin çmimin e biletave por në një përqindje më të ulët se sa këtë vit. Madje ka nga ato kompani që presin të bëjnë një tjetër rritje në ditët e mëtejshme, saqë kur paraqiten qytetarët për të blerë biletën, agjencitë e udhëtimit nuk dinë t’u japin çmimin pasi kompania ende nuk e ka vendosur.

Rriten rezervimet
Në agjencitë e udhëtimit thonë se që pas datës 15 dhjetor ka një rritje të rezervimit të biletave. Një pjesë e qytetarëve bëjnë rezervime on-line, ose emigrantët ua kanë rezervuar nga vendi ku ata jetojnë të afërmve të tyre në Shqipëri, por një fluks me i madh pritet pas datës 20 dhjetor. “Ka pasur një fluks prenotimesh dhe rritje të kërkesave për bileta krahasuar me vitet e tjera. Kërkesa për udhëtime është më e madhe se vjet”, u shpreh administratori i një agjencie udhëtimesh në Tiranë. Për shkak të informcionit të munguar mbi dokumentet që u duhet të kenë për të lëvizur në zonën Shengen, qytetarët trokasin herë pas here nëpër dyert e agjencive për të mësuar rreth tyre nga frika se mos do të kthehen siç ndodhi një ditë më parë me disa prej tyre.

Nevoja për valutë
Dëshira e shqiptarëve për lëvizjen e lirë ka rritur edhe kërkesën për valutë këto ditë fundviti, sidomos për monedhën e përbashkët evropiane. Në pikat “Exchange” (të këmbimit valutor) të kryeqytetit, ditët e fundit janë drejtuar jo pak qytetarë shqiptarë për të blerë euro, në këmbim të lekëve shqiptarë. Një aktivitet i tillë lidhet më ditën e shumëpritur të 15 dhjetorit, që shënon hyrjen në fuqi të lëvizjes së lirë. Ndërkohë ekspertë të fushës së financave vlerësojnë se efekti i rritjes së monedhës evropiane do të jetë sezonal, duke parashikuar që maksimumi i vlerës së euros mund të shkojë deri në 142 lekë.

BOX////////////////////////////
Ministria e Brendshme: Rregullat për të lëvizur pa viza

Lëvizja e shtetasve shqiptare që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së me pasaportë biometrike, ka vijuar normalisht edhe gjatë ditës së djeshme. Procesi i lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë ka vijuar pa probleme dhe me ritëm normal në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar, ku nga orët e para të mëngjesit të datës 15 dhjetor deri në këto momente kanë udhëtuar me pasaportë biometrike drejt vendeve “Shengen” 1295 shtetas shqiptarë. Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, ku ka pasur moskuptime, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë për Kufirin dhe Migracionin, Pëllumb Nako, zhvilloi një takim pune me përfaqësuesit e Policisë Greke, me qëllim koordinimin e veprimeve në mënyrë që procesi të jetë sa më normal. Aktualisht procesi i lëvizjes së qytetarëve shqiptarë në këtë pikë kalimi vazhdon normalisht. Nga orët e para të mëngjesit të datës 16 në pikat e kalimit kufitar kanë kaluar me pasaportë biometrike 631 shtetas shqiptarë. Ndërkohë gjatë 24 orëve të ditës së djeshme në drejtim të vendeve të zonës “Shengen” kanë kaluar me pasaportë biometrike 664 shtetas shqiptarë. Nga pika e kalimit kufitar të Rinasit gjatë ditës së djeshme kaluan me pasaportë biometrike 314 shtetas. Nga fillimi i lëvizjes së lirë pa viza, nga Rinasi kanë udhëtuar me pasaportë biometrike drejt vendeve “Shengen” 494 qytetarë shqiptarë. Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës gjatë ditës së djeshme kanë lëvizur me pasaportë biometrike 171 shtetas shqiptarë. Nga fillimi i lëvizjes së lirë pa viza, nga kjo pikë kanë udhëtuar me pasaportë biometrike 363 qytetarë shqiptarë. Në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës gjatë ditës së djeshme lëvizën me pasaportë biometrike 100 shtetas shqiptarë dhe në pikën e kalimit kufitar Tre Urat kanë kaluar 16 shtetas. Nga fillimi i lëvizjes së lirë pa viza, nga këto pika kalimi kufitar kanë udhëtuar me pasaportë biometrike 201 qytetarë shqiptarë. Nga pika e kalimit kufitar Porti Durrës, nga dita e djeshme kur filloi ky proces, me pasaportë biometrike kanë kaluar 130 shtetas. Përmes pikës së kalimit kufitar të Drejtorisë Rajonale të Kufirit e Migracionit Vlorë, nga dita e djeshme kur filloi ky proces, me pasaportë biometrike kanë kaluar 107 shtetas shqiptarë. Lëvizja e lirë, pa viza, e qytetarëve Shqiptarë po vazhdon normalisht, me ritëm normal, në të gjitha vendet e zonës “Shengen”. Nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit janë marrë të gjitha masat për një lëvizje normale dhe pa probleme të shtetasve Shqiptarë. Në kuadër të këtyre masave në të gjitha pikat e kalimit kufitar është dërguar dhe shpërndarë një “kujtesë” mbi rregullat e qëndrimit në vendet “Shengen” për të gjithë ato shtetas shqiptarë që do të lëvizin pa viza.

Shkurt////////////////////////////////
Kakavija bëhet “Ambasada” Greke

Dy ditë nga hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave vazhdon të ketë mungesë informacioni për qytetarët shqiptarë, të cilët kanë tentuar të dalin jashtë vendit por që në fillim janë kthyer për mungese të plotësimit të kushteve të kërkuara apo edhe ashpërsimit të kushteve nga policia greke. Në pikën kufitare të Kakavijës, gjatë dy ditëve të para, më shumë janë kthyer sesa kanë kaluar. Vetëm gjatë paradites së djeshme u refuzuan mbi 110 shtetas shqiptarë. Në mungesë të një liste zyrtare të kërkesave, policia greke në Kakavijë ka kërkuar madje edhe një dëshmi penaliteti të personit pritës në Greqi, edhe ky i legalizuar në zyrat konsullore. Kjo gjë nuk rezulton të kërkohet në pikat e tjera kufitare, si për shembull në Kapshticë, ku lëvizjet kanë qenë normale. Ndërsa Kakavija është shndërruar në një “Ambasadë” të re Greke, autoritetet shqiptare po kërkojnë shpjegime si dhe përcaktimin e një liste dokumentesh zyrtare dhe unike për të gjitha pikat e kalimit kufitar. Ndërkohë mungesa e informimit nga ana e qytetarëve shqiptarë vazhdon të përligjë shumë kthime. Vetëm në datën 16, pra një ditë pas hyrjes në fuqi të vendimit, autoritetet nisën përmes medias se shkruar një fushatë informimi. Zyrtarët e policisë kufitare tregojnë se çfarë dokumentesh duhen. Por numri më i madh i të kthyerve është në Kakavijë dhe kjo ka bërë që të vihet në lëvizje Ministria e Brendshme.

Durrës, rritet numri i udhëtarëve

Lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë nga porti i Durrësit drejt vendeve të BE-së po ecën pa probleme dhe pa fluksin e pritshëm para liberalizimit të vizave. Nga ana tjetër hyrja në fuqi e vendimit për lëvizjen e lirë ka ngjallur entuziazëm edhe tek emigrantët që po kthehen në atdhe për të kaluar festat e fundvitit. Sipas burimeve nga policia kufitare me tragetet e një nate më parë kanë udhëtuar drejt Italisë rreth 100 pasagjerë pa viza, ndërsa nga i njëjti burim bëhet e ditur se pala italiane nuk ka refuzuar asnjërin prej tyre. Në lidhje me fluksin e lëvizjeve të qytetarëve pa viza, përfaqësues të kompanive të udhëtimit shprehen se fluksi po rritet dita ditës, ndërsa për ditën e dielë është regjistruar për momentin edhe numri më i madh i rezervimeve. “Prenotimet për ditën e djeshme janë rreth 60 vetë. Pritet rritje e numrit të biletave për nesër, pasnesër dhe e diela është dita më e fortë pasi janë prenotuar rreth 500 pasagjerë për në Bari dhe rreth 250 për Ankona, çka ka kaluar parashikimet tona”,- thotë Bernard Resto, përfaqësues i një kompanie udhëtimesh. Lëvizjet në hyrje dhe dalje nga porti i Durrësit pritet të rriten ndjeshëm në fillim të javës që vjen. Nga ana tjetër duket se shumë qytetarë që janë të interesuar për të udhëtuar jashtë vendit nuk janë informuar si duhet në lidhje me lëvizjen e lirë, pasi këtë informacion e kërkojnë shpesh në momentin e fundit kur pajisen me biletë udhëtimi.

17 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›