E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngritja e komisionit hetimor do të bëhet më 23 dhjetor



Kuvendi miratoi dje shtyrjen e vendimit për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Kërkesa për shtyrjen e vendimit u bë nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ndërsa socialistët u shprehën skeptikë për ngritjen e komisionit. Megjithatë, shumica e deputetëve socialistë votuan pro shtyrjes së vendimit, i cili mori 126 vota pro dhe vetëm 3 kundër. Kundër shtyrjes së vendimit votuan deputetët Fino, Tahiri dhe Peza. Ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, tha se shtyrja e ngritjes së Komisionit për në seancën e datës 23 dhjetor tregon se maxhoranca nuk ka vullnet politik për ta ngritur këtë komision dhe për të bërë transparencën e zgjedhjeve. Por kjo u kundërshtua nga kreu i Grupit të PD-së, Patozi, i cili tha se maxhoranca kërkon më shumë se cilido që të ngrihet ky komision, në mënyrë që t’i jepet fund qëndrimit të deritanishëm të opozitës. Ndërkaq, deri në datën 21 dhjetor, Komisioni Parlamentar i Ligjeve do të shqyrtojë nga ana juridike hartimin e kërkesës së PS-së për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.
Opozita
“Të hetohen zgjedhjet e qershorit, por jo si hetimi në rastin e Shkodrës. Ne kemi humbur shumë kohë për këtë çështje. Unë e di që dhjetëditëshet e fundit të korrikut dhe të dhjetorit, siç keni lënë ju datën 23, janë thjesht sa për ta zvarritur datën e ngritjes së komisionit. Do të presim datën 23, por s’ka arsye për këtë zvarritje për komisionin hetimor”, - ka deklaruar kreu i Grupit Socialist, Gramoz Ruçi. Duke deklaruar se e sheh me skepticizëm ngritjen e komisionit hetimor, Ruçi u shpreh se nuk ka asnjë pengesë procedurale për ngritjen e tij, por vetëm mungesë vullneti. “Nuk ka pengesa procedurale për ngritjen e komisionit hetimor, ka vetëm mungesë vullneti. Unë e shoh me skepticizëm”, - theksoi Ruçi.
“S’ka arsye që ngritja e komisionit të shtyhet për një javë, mund të ngrihet që sot. Por ne do të presim, pasi zvarritjet tuaja kanë trembur këdo, shqiptarët dhe europianët. Ju jo vetëm nuk dëgjoni opozitën, por nuk keni pranuar as rezolutën e BE-së”, - është shprehur pas tij deputeti Namik Dokle.
Maxhoranca
Partia Demokratike, duke iu përgjigjur kërkesës së Partisë Socialiste, ka deklaruar se është e gatshme që javën e ardhshme, më 23 dhjetor, të votojë ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Deklarata është bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i cili ka theksuar se vetë maxhoranca është e interesuar për ngritjen e komisionit, për t’i hequr PS-së “alibinë” e saj për humbjen e zgjedhjeve. “Ne dhe vetëm ne duam që kjo kërkesë të miratohet dhe që komisioni të ngrihet. Jo sepse kemi ndërruar mendje për zgjedhjet e 28 qershorit, por duam që ai të ngrihet sepse duam t’ju çarmatosim, t’ju çaktivizojmë, që të mos endeni si një rrezik publik në rrugët e Shqipërisë dhe të botës. T’ju heqim alibinë për zgjedhjet që humbët dhe ato që do të humbni gjithashtu”, - ka pohuar Patozi, i cili ka nënvizuar se aktiviteti i komisionit duhet të jetë brenda kornizave kushtetuese. “Unë mendoj ta bëjmë javën e ardhshme shqyrtimin e kësaj kërkese, në mënyrë që komisioni të ngrihet dhe zgjedhjet të hetohen. Javën e ardhshme të miratojmë komisionin parlamentar për hetim brenda kornizave kushtetuese”, - është shprehur Patozi.

Akuzat e Dik Martit, Ruçi e Topalli: Raporti, atentat ndaj stabilitetit në rajon

Politikanët shqiptarë kanë dënuar dje raportin e hartuar nga raportuesi i KE-së, Dik Marti. Në emër të opozitës shqiptare, kreu i Grupit Kuvendor socialist, Gramoz Ruçi, dënoi akuzat e raportuesit të KE-së, Dik Marti, ndaj kryeministrit të Kosovës dhe UÇK-së për lidhje me trafikun e drogës, armëve dhe organeve. Nga foltorja e Kuvendit, Ruçi kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të shprehet me një rezolutë, e cila të dënojë ashpër akuzat që i bëhen shtetit tonë dhe Kosovës. Ndërkaq, Ruçi e quajti raportin e Martit si një atentat që i bëhet stabilitetit në rajon. “Akuzat në raport dëmtojnë shtetin tonë, nuk janë thjesht akuza ndaj Thaçit. Ky raport rrezikon stabilitetin në rajon”,- u shpreh Ruçi.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Topalli, ripërsëriti gjatë seancës së djeshme në Kuvend qëndrimin e saj lidhur me raportin e raportuesit Dik Marti, duke e akuzuar atë për shpërdorimin e detyrës. “E përsëris, është raporti më politik, shpërdorim total i detyrës së një anëtari të Asamblesë së Këshillit të Europës. Nuk ka asnjë provë, flitet për disa përshkrime. Raporti ka qëllim antishqiptar, është kundër popullit tonë, kundër paqes në rajon”, - është shprehur Topalli.

Beqja e Meta, debate në seancë për përmbytjet në Shkodër

Deputeti socialist, Ilir Beqja, ka debatuar dje në seancë me ministrin e Ekonomisë, Ilir Meta, për përmbytjet në qytetin e Shkodrës. Gjatë fjalës së tij Beqja ka akuzuar qeverinë për mosparandalim të situatës së përmbytjeve. Sipas tij, qeveria e Berishës merr votat e shkodranëve dhe i përmbyt çdo vit. Beqja tha se duhet të ishin marrë masat në mënyrë që të mos përmbytej Shkodra për të pestën herë. Sipas tij, qeveria duhet të kishte ndërtuar argjinaturat e lumenjve dhe duhet të kishte thelluar muaj më parë shtratin e lumit Buna. Menjëherë pas Beqjes ka reaguar ministri i Ekonomisë dhe i Energjetikës, Ilir Meta, i cili ka deklaruar se situata e përmbytjeve është menaxhuar me profesionalizëm, ndërsa ka akuzuar kreun e opozitës se ai priste viktima në këtë situatë. “Është për të ardhur keq që kryetari i opozitës, Edi Rama, dëshpërohet përse nuk ka viktima dhe përse kjo situatë është menaxhuar me profesionalizmin më të lartë si vend i NATO-s”, - tha Meta. Ministri Meta ka drejtuar kritika ndaj Ramës se ai nuk u interesua siç duhet për situatën, ashtu siç bënë, në fakt, edhe disa deputetë socialistë, të cilët, megjithëse opozitarë, u interesuan për mbarëvajtjen e saj. “Nëse kjo situatë nuk do të menaxhohej siç duhet, ne do të kishim humbje në njerëz, siç pati Bosnja apo Polonia”, - tha ai. Ai shtoi se përmbytjet u shkaktuan për shkak se liqeni i Shkodrës arriti këtë vit kuotat më të larta që nga viti 1963, për shkak të reshjeve intensive që kanë rënë gjatë muajve të fundit. Meta tha se menaxhimi i kaskadës ka qenë profesional dhe se nuk e ka fajin fare shitblerja e energjisë elektrike që bën KESH-i.

Pier Mirel: “Komisioni Europian do të monitorojë udhëtimin pa viza”

Drejtori për Ballkanin në KE, Pier Mirel, ka deklaruar dje se Komisioni Europian do të monitorojë respektimin e detyrimeve nga ana e shtetasve shqiptarë që udhëtojnë pa viza në zonën “Shengen”. “Nëse do të abuzohej me detyrimet, kjo mund të lindë idenë te disa vende anëtare që në fund të fundit, nuk e bëmë mirë me këtë liberalizim. Ndaj është e rëndësishme që kushtet të respektohen. Kështu, të gjithë qytetarët të mund të përfitojnë nga ky sistem, në mënyrë që të mos ketë rrezik ndonjë ditë e që disa vende anëtare të thonë se duhet ta pezullojmë”, - është shprehur Mirel. Siapas tij, i gjithë procesi do të monitorohet. I pyetur nëse Shqipëria mund t’i plotësojë kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat në BE brenda një viti, Mirel ka bërë të ditur se kjo varet nga qeveria dhe Parlamenti shqiptar. “Varet nga Shqipëria, Parlamenti e qeveria, të cilët duhet të punojnë fort për të siguruar se kushtet do të përmbushen. Topi është në fushën e Shqipërisë, siç është në fushën e Malit te Zi e siç do të jetë në atë të Serbisë vitin e ardhshëm, kur ne do të japim opinionin tonë”, - është shprehur Mirel.
Ndërsa komisionerja për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, Sesilia Malmstrom, gjatë një takimi që ka zhvilluar dje në Bruksel me një grup studentësh shqiptarë që shoqëroheshin nga ministri Basha i ka sugjeruar ata që të kërkojnë më shumë nga politika shqiptare. “Shqiptarët kanë bërë shumë përpjekje dhe shumë reforma. Shpresoj se një ditë do t’ju mirëpresim si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian. Por mos hezitoni që t’u kërkoni më shumë politikanëve tuaj, që ata të vazhdojnë reformat që janë shumë të rëndësishme për juve, për vendin tuaj, por gjithashtu edhe për zgjerimin. Ky është dhe mesazhi im për ju sot. Mos jini të turpshëm, por jini kërkues për të ardhmen tuaj”, - është shprehur Malmstrom.

17 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›