E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet banka në mes të ditës, zhduken autorët



TIRANË – Një tjetër grabitje banke ndodh në kryeqytet, pavarësisht masave të paralajmëruara të Policisë së Shtetit dhe strukturave të kompanive private të sigurisë së objekteve. Është një degë e Bankës Kombëtare Greke (NBG) që është shënjestruar nga grabitësit me maska dhe armë. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Tiranës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 12:30, në Rrugën e Kavajës, pranë qendrës “Globus” në Tiranë. Autorët, ende të paidentifikuar zyrtarisht nga policia, kanë hyrë në mesditë dhe kanë marrë nga sportelet një shumë prej 300 mijë lekësh dhe më pas janë zhdukur. Kjo bankë ka rënë pre e tri grabitjeve me armë gjatë këtij viti, ndërkohë që është rritur në mënyrë drastike numri i vjedhjeve me armë të bankave në vendin tonë. Vetëm pak ditë më parë agjentët e policisë prangosën disa persona që dyshohet se janë autorë të vjedhjes së bankave në jo më pak se tre raste.

Grabitja
Në mes të ditës, disa persona me maska dhe me armë kanë hyrë në mjediset e bankës “NBG” në Rrugën e Kavajës dhe kanë marrë një sasi parash. Burimet policore të kryeqytetit bëjnë të ditur se “dyshohet që autorët kanë mundur të hyjnë në ambientet e kësaj banke dhe i kanë marrë punonjëses së bankës sasinë e parave prej 300 mijë lekësh”. Ata kanë përdorur armët dhe kanë vënë nën presion punonjësit e bankës. Ndërkaq, roja nuk ka arritur që të ndalojë grabitjen për shkak se është gjetur i papërgatitur. Menjëherë pas grabitjes, autorët janë larguar pa arritur që të identifikohen nga punonjësit e bankës.

Operacionet
Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e policisë dhe specialistë të seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe me Armë, të cilët aktualisht kanë kryer veprimet hetimore paraprake në vendngjarje. Sipas burimeve policore, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa materialet për këtë vjedhje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vjedhjes me armë”, e realizuar në bashkëpunim. Vetëm pak ditë më parë ndodhi vjedhja e një banke në Vlorë dhe një pikë e CEZ-it në Tiranë. Nga janari i vitit 2010 e deri tani janë regjistruar gjithsej 7 grabitje bankash. Gati të gjitha rastet janë të pazbardhura, ndonëse është prangosur një grup, anëtarët e të cilit kanë vjedhur një bankë dhe dyshohet se janë autorë të grabitjeve edhe të disa bankave, ndonëse nuk ka ende të dhëna.
Një fakt tjetër mjaft interesant janë edhe shumat e grabitura. Në të gjitha rastet nuk ka pasur një shumë të saktë të deklaruar nga institucionet financiare. Me përjashtim të grabitjes së Bankës Kombëtare Tregtare, në shumën 200 mijë euro, rastet e tjera kanë qenë në shuma jo të mëdha.

RASTET

Më 17 shkurt, pesë persona të armatosur dhe të maskuar mundën të rrëmbenin në filialin e Bankës Kombëtare Tregtare afro 200 mijë euro.

Më 18 mars të vitit 2010, një i ri nga Lezha, Romeo Kola, u bë personazh mediatik pasi kishte grabitur 30 milionë lekë të vjetër në Raiffeisen Bank, në hotel "Rogner"

Më 6 maj, dy persona të maskuar realizuan grabitjen e një shume parash në filialin e një banke që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës, duke marrë vetëm 350 mijë lekë të vjetër.

Më 2 korrik, një person i armatosur ka grabitur një filial të bankës NBG, që ndodhet në autostradë. Nën kërcënimin e armës ai e ka detyruar punonjësen e bankës që t’i japë shumën e parave prej 50 mijë lekësh.

Më 10 gusht, në filialin e bankës NBG në Rrugën e Kavajës, tre persona mundën të merrnin nga arka 3.5 milionë lekë të vjetër dhe u larguan me shpejtësi me një motor.

Më 13 dhjetor grabitet një bankë në Vlorë. Policia vë në dispozicion të personave që japin informacione për autorët shumën prej 30 mijë eurove.

Më 16 dhjetor grabitet filiali i bankës NBG në Rrugën e Kavajës në Tiranë, ku autorët marrin shumën e 300 mijë lekëve. Ende nuk ka të dhëna për identifikimin e autorëve.

Skandali në Burgun e Rrogozhinës, të dënuar pinë heroinë

RROGOZHINË – Një operacion i befasishëm në mjediset e Burgut të sigurisë së lartë në Rrogozhinë ka përfunduar me një skandal: në mjediset e brendshme të dënuarit konsumonin heroinë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Tiranës bëjnë të ditur se shtetasit Indrit Daja, Kujtim Popoci, Ermal Maloku dhe Arben Roshi, të gjithë të dënuar për vepra të rënda penale, janë gjetur në një prej qelive me lëndë narkotike të llojit heroinë. Sipas tyre, janë gjetur dhe sekuestruar sasi të vogla heroine, e gatshme për përdorim. “Në bashkëpunim në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë po vazhdojnë hetimet në lidhje me këtë çështje në drejtim të personave të tjerë të përfshirë, ndërsa materialet hetimore do t’i bashkëngjiten në ngarkim të tyre për veprën penale të prodhimit dhe të shitjes së lëndëve narkotike, thonë burimet zyrtare. Por kjo ngre problemin e denoncuar në disa raste, atë të trafikimit të lëndëve narkotike në mjediset e burgjeve. Ende nuk ka të dhëna për penalizmin e personelit të Burgut të Rrogozhinës. Në disa burgje janë konstatuar raste të futjes brenda në qeli të lëndëve narkotike.

TË DËNUARIT E KAPUR ME DROGË

Indrit Bujar Daja, 28 vjeç, banues në Durrës, i dënuar me 8 vjet heqje lirie për veprën penale “vjedhjes me dhune”, aktualisht vuan dënimin në Institutin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale në Rrogozhinë.

Kujtim Muharrem Popoci, 36 vjeç, banues në Durrës, i dënuar me 14 vjet heqje lirie për veprën penale “trafikim të lëndëve narkotike”, aktualisht vuan dënimin në Institutin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale në Rrogozhinë.

Ermal Enver Maloku, 23 vjeç, banues në Durrës, i dënuar me 10 vjet heqje lirie për veprën penale të “vjedhjes me dhunë”, aktualisht vuan dënimin në Institutin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale në Rrogozhinë.

Arben Pëllumb Roshi, 52 vjeç, banues në Durrës, i dënuar me 9 vjet heqje lirie për veprën penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, aktualisht vuan dënimin në Institutin e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale në Rrogozhinë.

17 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›