Lëvizjet në KQZ, ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, Moore në Tiranë
Rama për Bibën: Me aktin e tij ka afirmuar të gjithë integritetin moral dhe profesional
Lëvizjet e fundit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Tiranë kanë vënë në lëvizje Departamentin Amerikan të Shtetit, duke sjellë në mënyrë urgjente në Tiranë, ndihmëssekretarin Amerikan të Shtetit për Euroazinë Jonathan Moore. Gjatë vizitës së tij në kryeqytet, Moore zhvilloi takime me Edi Ramën, Ilir Metën dhe Aldo Buçin. Ndërkohë që sot takon edhe kryeministrin Berisha.
Takimi me Ramën
Moore e zhvilloi takimin me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama në ambientet e selisë rozë. Për 50 minuta Moore dhe Rama kanë folur mes tyre ndërsa pas përfundimit të takimit, ndihmëssekretari amerikan nuk ka dhënë asnjë prononcim për mediat në lidhje me temën e diskutimit me kreun e opozitës Rama.
Edi Rama
Pas largimit të Moore, kreu i selisë rozë, Rama zbardhi për mediat një pjesë të takimit mes tij dhe zyrtarit amerikan. Patëm një shkëmbim të hapur dhe të frytshëm opinionesh, lidhur me gjendjen paraelektorale, duke u përqendruar tek çështja më e nxehtë, ajo e rrëmbimit të KQZ-së dhe praktikisht rrënimit të këtij institucioni që duhet të jetë i pavarur dhe i paprekur nga vullnetet politike, theksuam domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të institucionit kryesor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri”, tha Rama. Duke folur para mediave, Rama komentoi edhe dorëheqjen e nënkryetarit të KQZ-së, Denar Biba. Sipas Ramës, vendimi i Bibës afirmon integritetin e tij moral dhe profesional, në kundërshtim me atë që socialistët e konsiderojnë si cënim të institucionit kryesor të administrimit të zgjedhjeve. Unë ushqej respekt të plotë për Denar Bibën, i cili nuk vjen nga radhët e Partisë Socialiste. Nuk është propozuar prej nesh për të qenë një ushtar partie Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe me aktin e tij ka afirmuar të gjithë integritetin moral dhe profesional në kundërshtim të hapur me cenimin flagrant të integritetit moral dhe profesional të KQZ dhe të anëtarëve të KQZ, deklaroi, Edi Rama. I pyetur mbi ndonjë emër të mundshëm për të zëvendësuar Denar Bibën, kreu i PS-së tha se çështja nuk është tek zëvendësimi i personave por tek kthimi në ligjshmëri i KQZ-së.
Meta: Pseudomazhoranca të reflektojë urgjentisht
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta priti në një takim Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore. Gjatë takimit të dy përfaqësuesit kanë biseduar për situatën parazgjedhore në Shqipëri, duke ju referuar kryesisht lëvizjeve të ndodhura në ditët e fundit në KQZ. Në këtë pikë, kreu i LSI-së bëri përgjegjëse mazhorancës qeverisëse ndërsa i bëri apel asaj që të reflektoj për situatën në të cilën po e fut vendin, në prag të zgjedhjeve parlamentare. Pseudomaxhoranca duhet të reflektojë urgjentisht përndryshe do të mbajë të gjitha pasojat dhe të gjitha për përgjegjësitë për çdo problem dhe përshkallëzim të tensionit në vend. Vendi ka nevojë për procese konstruktive, transparente, kushtetuese, të ligjshme. Nuk mendoj se është dorëheqja e anëtarëve të KQZ-së ajo që e ka futur në ngërç institucionin. Kjo është situata më e pamerituar politikisht që po kalon vendi, aq më tepër në prag të një evenimenti kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, sikurse është ai që ka të bëjë me realizimin e zgjedhjeve të 23 qershorit”, deklaroi Meta.