Lëvizjet në horizontin e pushtetit
Nasho Bakalli- Çdo betejë kundër pushtetit zhvillohet nën horizontin e pushtetit. Ne, kjo luftë na kujton kaosin e vitit 1997 kur njerëzit si të çmendur, me armë në duar, qëllonin jo vetëm qiellin: digjnin institucionet dhe plaçkitnin depot, dyqanet, spitalet etj. Ose, në një kohë akoma më të afërt na kujton vjedhjen e votave - nga të gjithë dhe në dëm të të gjithëve - në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, dhe 8 majit 2011 për kreun e Bashkisë së Tiranës. Në të tre rastet Sali Berisha përdori mjete jo politike (dhunën) për qëllime politike! Dhe nëpërmjet dhunës ai mbolli në popull pasigurinë. Emocioni që e karakterizon këtë konflikt është frika. Frika është lentja jonë kryesore me anën së cilës ne soditim mjedisin tonë material dhe social-politik. Lentja me të cilën ne sodisim sot prishjen e aleancës qeverisëse PD-LSI, dhe ftesën e PS për aleancë parazgjedhore me LSI. Ka apo nuk ka kjo frikë një bazë të vërtetë? Ndjehemi të pasigurt, sepse edhe vetë pasiguria luan në dy nivele: unë e shoh pasigurinë time politike, ekonomike, sociale si një kërcënim ndaj personit tim – por edhe personi im duke qenë “a personhood” është gjithashtu një kërcënim ndaj qeverisë. E fundit, ndjehemi të pasigurt sepse: marrëdhëniet e pushteti janë edhe “lojëra strategjike”, midis individëve në pushtet, në të cilat “njëri përpiqet të udhëheqë sjelljen e tjetrit, gjë që nënkupton se loja mbetet e hapur. Kasta e të korruptuarve vepron në rrugë të arsyeshme ngaqë sheh me interes çështjen e ruajtjes së rendit, dhe të mbrojtjes së institucioneve (bankave, hipotekave, bursave), të cilat janë të nevojshme për mbarëvajtjen e punëve të tyre. Mbase edhe për këtë arsye PD dhe LSI menduan që ta prishin bashkëjetesën qeverisëse, por pa humbur besimin reciprok se çdo betejë kundër pushtetit zhvillohet nën horizontin e pushtetit. Sidoqoftë, këtë behar do të thyhen frika dhe pasiguria. Sepse populli, që deri dje dukej i ndrojtur ndaj fatit të vet, sot duket qartë se është hapur i tëri. Atëherë, mbetet të besojmë se po ia dalim të futemi në rrugën e qartësimit.