Reformimi i PD-së domosdoshmëri për demokracinë
Niqifor Doda/Qytetar
-Komunisti Sali Berisha, mjeshtër i vjedhjes së votës së lirë, i ka qëndruar dhe i qëndron akoma besnik betimit që bëri më 1968 kur mori teserën e Partisë së Puës. Zërat demokratikë në gjirin e partisë së tij i mbyt që në gjenezë, “kundërshtarët” i syrgjynos...Vetëbesimi i tij se do ta dorëzojë pushtetin në vitin 2035 duke e mbajtur atë me çdo mjet, e që ia ka marrë mirë dorën, e ka burimin tek ky betim dhe te konsekuenca e zbatimit të politikës që Mësuesi i tij, E. Hoxha ia mësoi mjaft mirë. Pra, me pak fjalë, e keqja e sistemeve tona të kaluara dhe këtij të sotëm, i thënçim demokratik, ka konsistuar dhe vazhdon në faktin se udhëheqësit tanë qeverisen pa i zgjedhur kush dhe vitet e fundit madje, pa respektuar votën e lirë. Sot, cilësitë “e fituara” për të qenë i zgjedhur janë shumë larg atyre që duhen për të qeverisur. Përzgjedhja e politikanëve për të qeverisur vendin nuk mund të jetë një Marathonë sportive apo një show mediatik, por një test mbi kapacitetet për ushtrimin e pushtetit. E rëndësishme është që vetë jeta politike dhe aktorët e saj, të mundin të seleksionojnë udhëheqësin e ardhshëm në raport me kapacitetet dhe aftësitë e tij konstruktive. Fatkeqësisht, sidomos në vendin tonë, shumë herë, ata që dëshirojnë të udhëheqin popullin nuk janë njerëzit më të aftë. Përkundrazi, shumica e politikanëve tanë nuk janë më të përgjegjshëm për premtimet e tyre elektorale, me t’u ulur në kolltukun pushtetar. Sido që të jetë, këta politikanë përbëjnë grupe presioni që nuk i pengon asnjë skrupull dhe e duan demokracinë jo për të dëgjuar vullnetin e popullit, por të fabrikojnë një opinion publik dhe një terren shfrytëzimi konform dëshirave të tyre dhe të oligarkisë biznesmene që i mbështet në fushatën elektorale. Zgjedhjet nuk janë larg. Çfarë do bëjë populli shqiptar atë ditë? Do të bëjë shumën aritmetike të zërave të elektoratit në përgjithësi për të zgjedhur më të përshtatshmit, për t’i shërbyer interesit të përbashkët, veprim që është absolutisht i pamundur të realizojë, apo do marrë për shembull sjelljen e popullit francez në prill të 1969 që detyroi themeluesin e Republikës së V-të, udhëheqësin e lavdishëm të tij Charles de Gaulle të japë dorëheqjen edhe pse sapo e kishte fituar mandatin e tretë? Do të mandatojë për herë të tretë radhazi rrezikun më të madh të kombit shqiptar, njeriun që tallet me patriotët shqiptarë, me dëshmorët e Lirisë, që Jugun e Shqipërisë e konsideron Greqi, duke e lënë në harresë të plotë, që i bie gjoksit për përfundimin e veprave të papërfunduara, që premton dhe vetëm premton pa bërë asgjë realitet, që ka detyruar gjithë Botën të merret me zgjedhjet shqiptare? Mjaft më! Le t’i tregojmë kancerit maligne të Shqipërisë se i kemi gjetur shërimin. Kur do të marrë fund paradoksi shqiptar i kopjuar nga ai grek, ku një popull me 70% përkatësi të majtë, qeveriset nga një kryetar ekstremist i djathte? E keqja e këtij vendi nuk është Partia Demokratike, por kryetari autarkik dhe autoritar i saj. Është koha më e volitshme që kjo Parti të gjejë vetveten dhe të dërgojë në azilin e politikës kryetarin e saj; kjo gjë do të jetë rilindja e saj dhe prova e vërtetë se i dhimbsen Shqipëria dhe shqiptarët. Jemi populli më i durueshëm në Europë; do të durojmë deri në zgjedhje, por atje duhet ta themi fjalën tone me gojën plot. AMIN!