E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për t’i dhënë fund një tmerri pa fund

Arben Rrozhani

-Edhe pse në kuadrin e 1 prillit dhe simbolikës që kjo datë përfaqëson, reagimet për fundin e bashkëqeverisjes mes PD-së dhe LSI-së, edhe pse pa konfirmim zyrtar, ishin të vërteta. Disa figura të PS-së nuk hezituan që me gjuhë simbolike të sulmonin kalimin e partisë së Ilir Metës në kahun nga është, duke përballur 21 janarin dhe 1 prillin. Eksponentë të partive të reja, që pretendojnë të jenë i ashtuquajturi ‘Pol i Tretë” sulmuan mbi vlerat morale bashkëpunimin mes dy forcave kryesore të të majtës, edhe pse prej lindjes së tyre kanë ngulmuar se nuk do të bënin kurrë aleancë me partitë e vjetra, pra edhe me PS-në, pas zgjedhjeve të 23 qershorit, për të mos lënë sërish në pushtet partinë e kryeministrit Sali Berisha. Ndërsa pjesa fanatike e PD-së, që po shikon se me largimin e LSI nga bashkëqeverisja, i kanë larë duart me pushtetin e nesërm, prej pasdites së djeshme, nisi të hedhë online videot ku duken sulmet personale mes liderëve të partive të majta. E vërteta e Ditës së Gënjeshtrave ishte se largimi i LSI-së nga bashkëqeverisja do të thotë largim i PD-së nga pushteti dhe krijimi i mundësive, që pas 23 qershorit do të ketë rotacion politik dhe se më në fund, e majta do të ketë shansin e parë, pas 29 qershorit 1997, të rikthehet në pushtet për të nxjerrë vendin nga kolapsi piramidal, ku qeverisja e Sali Berishës ka aftësinë ta zhysë vendin, me shumë sukses. Sot kryesia e Partisë Socialiste do të vendosë zyrtarisht për këtë koalicion të ri parazgjedhor, duke ftuar LSI-në, që të kthehet në familjen e vlerave socialiste, për krijuar mundësinë reale që PS bashkë me LSI dhe partitë e tjera të të majtës të kthehen sërish në pushtet, pas tetë viteve të gjatë të qenies në opozitë. Bashkimi i votave të të majtës në një ombrellë dhe shumatorja e saj, do të ishte pikësëpari maksimalizimi i votës së elektoratit të majtë, duke mos përsëritur dramën zgjedhore të kaluar, kur populli në shumicë votonte majtas, por mandatet qeverisëse kalonin djathtas, apo kur mandate të elektoratit të majtë, bashkoheshin me atë të djathtë për të lënë të parin në opozitë. Siç pritet të ndodhë edhe sot me ftesën zyrtare të PS-së dhe përgjigjen po zyrtare të LSI, në ditët e ardhshme, e majta shqiptare do të jetë në një front përballë një të djathte të rrudhur dhe të lodhur nga mbipushteti. Ndarja e qartë dhe e natyrshme, mes të djathtës dhe të majtës, do të shërbejë pikësëpari për vetë PD-në dhe partitë e vogla të djathtës. Për kryeministrin 69-vjeçar Sali Berisha kalimi në opozitë do të jetë shansi më i mirë për të lënë më në fund, pas 23 viteve drejtimi të PD-së me dorë të hekurt, histori të errëta, politika antidemokratike, përjashtime dhe linçime oponentësh politikë, rikthimin e frymës antikomuniste dhe properëndimore, mbi të cilat kjo forcë politike ishte themeluar në 12 dhjetor 1990. Berisha do të ketë shansin personal dhe politik, që si opozitar apo në pension politik, të mos ketë shansin të dëmtojë më tej aspiratën demokratike të kombit shqiptar, i cili vijon të mbetet më problematiku, më i paragjykuari dhe më i mënjanuari ndër kombet e tjera, që së bashku dolën nga ish-blloku komunist në vitin ’90. Dalja në opozitë do të jetë një shans edhe për partitë që janë bashkuar rreth PD-së dhe që janë mbajtur në pushtet, me poste të rangut të dytë apo të fundit, për të përfituar nga benefitet qeverisëse. Ato duhet të kërkojnë më pas rrënjët e të parëve themelues, idealet mbi të cilat ishin krijuar dekada më parë, apo pas dhjetorit ’90, sepse kanë qëndruar në një aleancë, e cila nuk kishte as respektin për pronën, as për familjen dhe as për vlerat liberale perëndimore. Por shansi më i madh do të jetë për popullin shqiptar. Vota e tij nuk do të tjetërsohej, siç ka ndodhur në votimet e vitit 2005 dhe 2009, një herë më mënyrën e shpërndarjes së mandateve, duke krijuar paradoksin që partia që merrte votën popullore të rrinte në opozitë dhe partia humbëse të bënte qeverinë dhe herën tjetër të trafikohej, siç ndodhi katër vite më vonë, kur mandate të majta bashkoheshin me të djathta për të krijuar qeverisjen. Qeverisja e ardhshme nuk do të jetë një grmbull kartonësh që mezi kapërcejnë pragun minimal, duke mbajtur në këmbë qeverinë, që nuk arrin të votojë asnjë ligj me shumicë të cilësuar, që shfrytëzon një mandat tjetër 4-vjeçar për të “mbyllur” punët që ka lënë në mandatin e shkuar, që konsolidon në vend një oligarki financiare, që ka rrëmbyer të mirat materiale të vendit dhe që nuk denjon as të shohë se në çfarë derexheje e ka katandisur popullin në turravrapin dogmatik, për një “Shqipëri të zhvilluar”. Sot, një pakicë e prekur në sedër, do të thotë se ajo që do të vendosë PS-ja është një tmerr. Por ai vendim që do të merret, do të jetë jo për disa individë, por për vendin, për t’i dhënë fund një tmerri pa fund. Kaq mjafton.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›