Historia, mësuese e jetës apo libër i paragjykimeve drejt konflikteve”
Ndryshimi i historisë në librat shkollorë për ta ndrequr të kaluarën dhe pastruar nga mëkatet është një sipërmarrje e rrezikshme, që më shumë se tentim për të ndrequr gjuhën, mund të ketë implikime serioze për identitetin tonë. Këto përpjekje vetëm do të dëmtojnë raportet e shqiptarëve me Turqinë, duke krijuar ndarje të reja. Në Kinën e lashtë, një perandor kishte vendosur dënimin kapital për ata që përdornin të kaluarën për të kritikuar të tashmen. Në Ballkan, kjo mund të jetë një mallkim për historinë në vazhdim...
"Historia është mësuese e jetës", është një prej maksimave të mëdha të trashëguara nga periudha latine. Për Hannah Arendt, historia, deri në një farë mase, është një libër për të mësuar nga gabimet e kaluara. Po ashtu historia është më shumë një regjistër i gabimeve, luftërave, dhe triumfeve. Është një testament i identitetit politik, kulturor dhe social të një populli. Mirëpo, në kontekst të argumentit të Arendt, e rëndësishme është të mësojmë prej gabimeve në të kaluarën dhe jo t`i korrigjojmë ato në mënyrë që të mos dalim të gabuar. Një kërkesë nga qeveria turke për të ndryshuar referencat për Perandorinë Otomane në librat e historiografisë shqiptare, ka nxitur një debat gjithëpërfshirës rreth asaj se cili në fakt ka qenë raporti reale ndërmjet shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane. Rasti me librin e Edukatës Qytetare, ku muzika rok cilësohet veprimtari kriminale, dëshmoi se është më se i nevojshëm rishikimi i teksteve shkollore për t`i pastruar nga gjuha e nxitjes së urrejtjes dhe diferencimit. Ndikimi i historisë respektivisht gjuhës së urrejtjes në librat e tillë më së miri është argumentuar nga Howard Clark, i cili argumenton se antagonizmi në mes grupeve etnike është inkurajuar nga tekstet e historisë që dokumentonin mosmarrëveshjet nacionaliste midis etnive në Ballkan, dhe në këtë mënyrë këto tekste prodhuan Millosheviqin (Clark, 2000).
Kërkesa për eliminimin e gjuhës së urrejtjes prej librave shkollore, jo vetëm historisë dhe jo vetëm për Turqinë, në thelb dhe parimisht është plotësisht legjitime. Sepse historia zbulon veten për ne si diçka e ngjashme me "një libër-adresë të armiqve". Mirëpo, çështja qëndron në atë se deri në cilën pikë ky ndryshim mund të bëhet pa dëmtuar vërtetësinë e ngjarjes historike. Për shembull, përmes emigrimit me dhunë gjatë viteve 1948-1962 rreth 300 mijë shqiptarë nga Jugosllavia e atëhershme u larguan për në Turqi (Blumi, 2005). Për bindjen time të thellë ky është projekt i pastrimit etnik, ndaj përdorimi i ndonjë termi eufemik do të ishte gjë e pamoralshme dhe një padrejtësi tjetër ndaj viktimave. Një konceptim interesant i historisë vjen nga Chris Harman, i cili konsideron se historia është tërësi copëzash e ngjarjesh që çuan deri në krijimin e jetës që jetojmë sot (Harman, 2008). Prandaj, nisur nga kjo premisë, rikthimi në histori krijon kokëçarje në përballje me realitetin, i cili sido që të jetë është etabluar qoftë nga faktet historike, po aq edhe nga rrethanat e reja gjeo-politike të krijuara në këtë cep të Ballkanit.
Turqia moderne, në vazhdimësi ka insistuar në atë që nuk është trashëgimtare e Perandorisë Otomane dhe tani përpjekjet e sajë për të rikthyer ndikimin në ish-hapësirën Otomane duhet parë me skepticizëm. Kjo për faktin se qëllimi për ndryshim të teksteve të historisë është vetëm për shkak të eliminimit të gjuhës së urrejtjes. Mbase më shumë se gjithçka tjetër, problemi kryesor me të cilën po ballafaqohemi aktualisht është kahja jonë si shoqëri dhe shtet. Në vitet ‘90, sikur nuk kishte dilema rreth kësaj. Kosova shikonte kah perëndimi dhe kjo ju shpagua me ndërhyrjen e parë humanitare të NATO-së për të parandaluar gjenocidin. Tani duhet të thuhet një e ‘vërtet e papërshtatshme’, sa më shumë që Kosova do të afrohet me Turqinë, aq më larg do të jetë me Evropën. Më shumë se me vullnetin tonë, afrimi me Turqinë sigurisht që është edhe rezultat i dështimit të Bashkimit Evropian për ta plotësuar ëndrrën evropiane për kosovarët. Mbyllja e BE-së ndaj Kosovës, do të ndikojë në fuqizimin dhe rritjen e ndikimit joevropian në Kosovë. Është shumë e rëndësishme që Kosova të avancojë raportet e mira me Turqinë e cila ka qenë dhe është një mbështetëse e shtetit të Kosovës, por këto raporte duhet të jenë raporte miqësore ndërmjet dy shteteve, pa nevojë të futjes së romantizmit të tepruar. Këto raporte nuk duhet të synojnë shndërrimin e Kosovës në një shtet-klient, por të ndihmojnë në fuqizimin e shtyllave të shtetësisë së Kosovës, siç është edhe sekularizimi. Ndryshimi i historisë në librat shkollorë për ta ndrequr të kaluarën dhe pastruar nga mëkatet është një sipërmarrje e rrezikshme, që më shumë se tentim për të ndrequr gjuhën, mund të ketë implikime serioze për identitetin tonë. Këto përpjekje vetëm do të dëmtojnë raportet e shqiptarëve me Turqinë, duke krijuar ndarje të reja. Në Kinën e lashtë, një perandor kishte vendosur dënimin kapital për ata që përdornin të kaluarën për të kritikuar të tashmen. Në Ballkan, kjo mund të jetë një mallkim për historinë në vazhdim...
Autori është bashkëthemelues i Institutit Kosovar të Paqes