Leximi i klientelës që po del nga kurban-kongresi i së shtunës
Përmes Kongresit, kreu i Partisë Socialiste, usta Rama kërkoi të meremetonte plasaritjet e shumta të ngrehinës së tij politike. Këto plasaritje të ardhura si rezultat i tërmeteve me intensitet të ndryshëm brenda radhëve të saj jepnin pamjen e strukture të lënë në mëshirë të fatit. Stukimi politik i PS-së po vjen si rezultat i kthimin të rezervistëve dhe vullnetarëve të partisë dhe me klonime të reja. Në listën e re të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS-së janë rikthyer disa emra të njohur të së majtës, si mamuthët e korrupsionit apo/dhe pagatori i minatorëve, Fiqiri Xibri. Janë shtuar emra të rinj, si Dhori Sollaku, ish-Kryeprokuror i Përgjithshëm, i akuzuar prej PD-së dhe opozitës së asaj kohe se flinte mbi dosjet e korrupsionit socialist. Nëse ky nuk është një shpërblim për mos-veprim në hetime për qeveritë e korruptuara socialiste, atëherë mund të jetë për faktin që prokuroria nuk hapi asnjë prej dosjeve voluminoze të korrupsionit të tij në Bashkinë Tiranë kur e drejtonte Edi Rama. U vërtetua kështu “kapja” e prokurorisë së përgjithshme nga elementë të së majtës.
Mirëpo në listën e kandidatëve, Rama ka përjashtuar gjithashtu nga lista emra të rëndësishëm, themelues të PS, të njohur si kritikë të politikës së tij brenda partisë, duke i hapur vendin njerëzve që i kanë shërbyer interesave të tij personale. Dy ish-anëtarët e G99, Erion Veliaj dhe Arbian Mazniku, me shumë gjasa do të jenë jo vetëm anëtarët e ardhshëm të Asamblesë Kombëtare, por dhe sekretarë të kësaj partie, sipas rrjetit klientelist të Ramës. Ky i fundit ia doli të shpërfytyronte në thelb Partinë Socialiste, duke e kthyer në një parti merita dhe kontributi nuk vlerësohet, por ngritja brenda partisë ecën sipas parimit bizantin të besnikërisë së kryetarit. Çuditërisht kurbani “par excellence” i kongresit doli të ishte Rexhep Meidani, i cili u anatemua me radhë në Asamblenë socialiste vetëm sepse ky deklaroi para ca ditësh se programi i punësimit socialist, me hapjen e 300 mijë vende pune të reja, ishte një mashtrim. Analiza e Prof. Meidanit bazohej në analizë serioze dhe objektive: ngase duke përllogaritur me shifra mundësinë e punësimit në sektorin privat, Meidani thoshte se duhen të paktën 3 deri në 4 miliardë euro për të arritur një nivel të tillë punësimi, çka përfshin një buxhet të tërë vjetor të qeverisë. Sipas Meidanit, ky premtim ka ardhur pa asnjë studim shkencor apo/dhe prognozë serioze specialistësh të fushës makroekonomike.
Pushkatimin publik ndaj Meidanit e shkrepi, kreu i grupit të zjarrit, Rama e goditi pa ia përmendur emrin, “atyre që hidhen përpjetë njësoj si Saliu, megjithëse janë kësaj e jo asaj ane, u them merreni më qetë”. Grupi i zjarri përbëhej nga Ilir Beqja dhe Mimi Kodheli, të dy njerëz të afërt të Ramës. Ish-deputeti Beqja nuk e përkufizoi ish-presidentin: “Dikush e kritikoi këtë program si mashtrim sepse nuk mund të arrihet shifra e 300 mijë vendeve të reja të punës”. “Kushdo ka sot mundësinë e hapur të thotë kritikën dhe oponencën e tij, ju lutem socialistëve në të gjithë Shqipërinë. Që nesër, kushdo që thotë se këto dokumente janë mashtrime, nuk është i bashkuar me socialistët”. I fundit që hapi zjarr ndaj Meidanit ishte mrika Kodheli “Jemi akuzuar për mashtrim. U themi këtyre intelektualëve të nderuar: S’ju kishim dëgjuar ta bënit këtë akuzë për Saliun në 6 vjet. E bëtë vetëm 6 orë pasi u shpalos programi ynë”.
Sido që të jetë në çdo vend demokratik, normalisht një parti politike që synon për pushtet, pas humbjes së zgjedhjeve, analizon shkaqet e kësaj humbje dhe pasi lideri i saj jep dorëheqjen, zgjidhet një lider i ri duke paraqitur një program të ri që të jetë një alternativë bindëse për zgjedhjet e ardhshme. Tek socialistët shqiptarë gjithçka behët së prapthi. Të gjithë, edhe ata “të mendimit (kinse) ndryshe” e reduktojnë luftën e tyre politike me qëllimin “të rrëzojmë Berishën”.