Berisha uron besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit

Basha: Shumë shpejt do nisë puna për ndërtimin e xhamisë së madhe
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një vizitë në Komitetin Mysliman, për të uruar gjithë besimtarët për festën e Kurban Bajramit. Berisha e vlerësoi këtë ditë të shenjtë si një mundësi ku sakrifica e çdo besimtari shqiptar të bëhet dritë në rrugën e ndërtimit të paqes, harmonisë dhe të ardhmes së tyre. “Është rasti, këtë ditë të shenjtë, t’u dërgoj të gjithë besimtarëve myslimanë por dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, urimet e mia më të përzemërta. Uroj që në këtë ditë të hyjnizimit të sakrificës, sakrifica e çdo shqiptari apo shqiptareje, për vete, për familjen, për fëmijët, për Zotin, t’i bëhet dritë në rrugën e ndërtimit të të mirës, të paqes, të shpresës, të harmonisë dhe të të ardhmes. Uroj gjithashtu që kjo ditë t’i gjejë shqiptarët vitin e ardhshëm, më të begatë, më të lirë, më të sigurt. Pra le t’i lutemi bashkërisht Zotit që Bajrami që vjen të na gjejë edhe më mirë”- u shpreh kryeministri Berisha, në mesazhin përcjellë besimtarëve myslimanë.
Basha: Shumë shpejt do nisë puna për ndërtimin e xhamisë së madhe
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha uroi të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit, ndërsa premtoi se shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e xhamisë së madhe, që mungon në kryeqytet. Pas vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman, Basha bëri të ditur se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të miratohet komisioni për xhaminë e madhe të qytetit. “Në këtë komision do të përfshihen dhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman, pra një grup gjithëpërfshirës dhe më pas do të nisim punën për t’u dhënë besimtarëve myslimanë të Tiranës xhaminë e munguar prej shumë kohësh”- deklaroi Basha
Topalli uron besimtarët për festën e Kurban Bajramit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përcolli sot urime për të gjithë besimtarët shqiptarë myslimanë për festën e Kurban Bajramit, të cilën ajo e cilësoi si ditën e sakrificës së madhe. “Gëzuar për shumë vjet. Kjo është një festë që bazohet tek sakrifica”- deklaroi Topalli pas vizitës në selinë e Komunitetit Mysliman në Tiranë.
Znj. Topalli theksoi se qëndrimi dhe pranimi i sakrificës nga Zoti na bën t’a shohim më me optimizëm të ardhmen.