E Diel, 1 Nëntor 2026

Lexuesi i huaj: Kërkon vetëm histori me virgjëresha dhe kanune

Gazeta Shqip

Dorota HorodyskaDorota Horodyska/ Përkthyesja polake e shqipes vjen me një rrëfim për lidhjen e saj me Shqipërinë, veprat e Kadaresë dhe krizën e librit sot

Nuk shoh libra që të mund të japin panoramën e shoqërisë shqiptare të shekullit XX dhe të kapërcyellit të mijëvjeçarit, në gjithë kompleksitetin e fateve të saj, që të jenë edhe artistikisht të arrira. Si përkthyese, por dhe si një person që kërkon në tregun polak të botimeve një vend për librin shqip, Dorota Horodyska thotë se e ka të vështirë të rekomandojë titullin e një libri shqip. Nëse dhjetë vjet më parë mund të rekomandonte lirshëm emra si Ismail Kadare, Fatos Kongoli apo Ylljet Aliçka, tashmë i mungon një listë e re shkrimtarësh. Të njëjtin problem kanë dhe përkthyes të gjuhëve të tjera. Në këto 20 vite postkomunizëm, ata nuk mund të gjejnë ende një emër të ri në letrat shqipe, që mund të përcjellë te lexuesi i huaj shpirtin e fatit të këtij vendi. Dorota Horodyska, përkthyese e njohur e shqipes, dhe kryetare e Shoqatës Poloni-Shqipëri, vjen në një rrëfim për aventurën e saj shqiptare, letërsinë e Kadaresë dhe lidhjen e saj me librin…

 

Si e kujtoni vizitën tuaj të parë në Shqipëri?

libra shqipPër herë të parë kam ardhur në Shqipëri në qershor të vitit 1993. Shoqëroja asokohe një mik, Mazllum Saneja, i cili promovonte librin e tij Antologjia e poezisë shqiptare dhe polake të shekullit XX. Në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë pata rastin të njoh, ndër të tjerë, Xhevahir Spahiun, Bardhyl London, Fatos Arapin, Ilirjan Zhupën, Jorgo Bllacën, Korab Hoxhën, apo edhe Ali Podrimen, i cili gjendej në atë kohë në Tiranë. Falë bisedave me këta poetë, nisa ta shoh Shqipërinë me sytë e tyre dhe kjo ndoshta ndikoi edhe në rrugën time të ardhshme. Kuptohesha me ta në gjuhën ruse. Habia ime e parë ishte fakti që shqiptarët e flisnin shkëlqyeshëm rusishten, edhe pse nuk kishin qenë shpesh në Bashkimin Sovjetik. Më befasoi gjithashtu fakti që dinin kaq shumë për Poloninë dhe për kulturën e saj. Ndërkohë, unë nuk dija asgjë për Shqipërinë, me përjashtim të stereotipit, që atje nuk duhej shkuar, pasi mund edhe të mos kthehesha. E në njëfarë mënyre nuk u ktheva më (qesh). Ndjeva një shtysë të papërballueshme për ta njohur më mirë këtë vend e këta njerëz që më kishin mrekulluar.

Nga diçka duhet nisur, prandaj e nisa nga vetja. Vendosa të mësoj gjuhën shqipe, për të folur me shqiptarët në gjuhën e tyre. Në atë periudhë në Poloni nuk kishte një katedër të gjuhës shqipe, nuk kishte tekste shkollore, kisha vetëm një fjalor të vogël si dhe një libërth me biseda. Mësoja në mënyrë autodidakte. Më ka ndihmuar një profesoreshë e gjuhëve sllave, prof. Jolanta Mindak-Zawadzka, e cila e njihte shkëlqyeshëm gjuhën shqipe.

 

Sa ka ndryshuar Shqipëria nga ajo kohë, dhe çfarë është ky vend për ju?

Ismail KadarePo, tanimë ky nuk është vendi që kam parë para njëzet vjetësh, nuk janë më ato vende të cilat dikur i fotografoja. Mund të thuhet se në Shqipëri ka ndryshuar gjithçka. Sidoqoftë, nuk do të doja të flisja për kostot e transformimeve e për rrjedhojë të hyja në terrenin e politikës. Nuk do të doja të flisja për Shqipërinë si turiste duke lavdëruar p.sh. rrugët e bukura, Tiranën si metropol, apo njerëzit që vishen sipas modës. Nuk do të doja gjithashtu të prekja as temën e varfërisë dhe të kontrasteve. Kjo e gjitha duhet hapur me sy të lirë. Por do të doja të flisja për atë sesi gjatë këtyre njëzet vjetëve ka nisur të njihet Shqipëria nga polakët, dhe pse na nevojitet njohja e gjuhës shqipe.

Pa dyshim, një pikë kthese në historinë e re të Shqipërisë ka qenë dalja nga izolimi, që e bëri botën të kthejë sytë nga një vend praktikisht të panjohur. Kjo hapje bëri që para historianëve, politologët, gjuhëtarët, antropologët e kulturës së vendeve të tjera të hapeshin horizonte të reja studimi. Jo shumë kohë pas vitit 1990, kështjella e parë shqiptare gjuha, u arrit të pushtohej në Poloni. Ndryshe ishte e pamundur që të zhvilloje çfarëdo pune shkencore pa njohje të gjuhës shqipe. Historianët dhe politologët polakë nisën ta mësojnë shpejt këtë gjuhë në shkallën që u mundësonte atyre leximin e dokumenteve dhe bashkëbisedimin me vendasit. Që në fillim të viteve 90 dhe në vitet më pas, një njohës i shkëlqyer i çështjeve të Ballkanit, Tadeusz Czekalski, kishte shkruar disa libra për historinë e Shqipërisë, merita e të cilëve, përveç qasjes novatore, ishte pikërisht dhe mbështetja te burimet shqiptare, që mungonin tërësisht në librat mbi Shqipërinë të kohës së komunizmit, të cilat mbështeteshin kryesisht në burime serbe, apo ruse. Një tjetër politolog i brezit të ri, Przemyslaw Zukiewicz, shfrytëzon gjithashtu burimet shqiptare, në tekstet e tij që trajtojnë për shembull, udhëheqjen politike të Shqipërisë, apo evolucionin e sistemit politik që prej vitit 1985.

Në vitin 1994, u riaktivizua Shoqata Poloni-Shqipëri, nën patronazhin e së cilës nisi të botohej Revista e Përkohshme Shqiptare, kushtuar historisë dhe kulturës së Shqipërisë e Kosovës. Ndër autorët e kësaj reviste kishte si thjesht dashamirës të Shqipërisë, ashtu dhe specialistë, të cilët gjatë punës së tyre shkencore, hasin dhe problematikën shqiptare. Problematika shqiptare ishte gjithashtu një prej temave të revistës rinore, të botuar në mesin e viteve 90, me titull Polis, ku për herë të parë nisën të botoheshin përkthime të teksteve të autorëve shqiptarë, si Fatos Lubonja, Shkëlzen Maliqi, Bashkim Shehu.

Së fundi, në vitin 2000, u krijua në Torun, katedra e parë e gjuhës shqipe në Poloni (në kuadër të katedrës së gjuhëve të Ballkanit). Ky ka qenë një kapërcim cilësor, pasi përveç mësimit të gjuhës, studentët merrnin njohuri dhe për letërsinë, kulturën dhe historinë e vendeve të gadishullit Ballkanik. Leksionet më të rëndësishme mbahen atje nga vetë shqiptarët. Ky ishte një kapërcim dhe për faktin se të rinjtë e sapodiplomuar e shohin Shqipërinë ndryshe, jo përmes stereotipave, por në mënyrë më të përgjithshme. Gjuha shqipe mësohet aktualisht dhe në disa qendra të tjera. Shumë prej të diplomuarve që e përdorin këtë gjuhë në punën e tyre, janë për shembull përkthyes të licencuar, përkthyes të misioneve të dërguara në Kosovë, apo rezidentë turistikë. Gjuha shqipe duket se është e pazëvendësueshme dhe në zhvillimin e mëtejshëm të kontakteve tregtare dhe ekonomike.

Fundi i izolimit bëri gjithashtu që në Poloni të vijnë gjithnjë e më shpesh dhe rregullisht të rinj shqiptarë për të studiuar në universitetet polake, duke sjellë me vete një kulturë tjetër, një këndvështrim të ndryshëm të botës, natyrën e vet shqiptare (shqiptarizmin e tyre). Disa prej tyre, si p.sh. antropologu i kulturës, filologu dhe politologu Rigels Halili, është një prej pjesëtarëve të shkencës dhe kulturës polake.

Kontaktet polako-shqiptare kanë dhënë gjithashtu frytet e veta dhe në shumë martesa të përziera, të lidhura jo vetëm në Shqipëri dhe në Poloni, por dhe nëpër botë.

Pas më shumë se 20 vjetësh tani

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›