Lezha e bllokuar nga trafiku/ Fluksi i lartë i automjeteve vështirëson lëvizjen

Trafiku i makinave është pamje e zakontë në Lezhë përgjatë verës.
Ndonëse kemi hyrë në javën e fundit të muajit gusht, trafiku vijon të jetë i rënduar. Fluksi i lartë i automjeteve që përshkojnë superstradën shkakton kaos në lëvizje.
Segmentet më problematike janë superstrada Milot–Balldre.
Janë afro 20 kilometra rrugë, që drejtuesit e mjeteve detyrohen ta bëjnë për mbi dy orë e gjysmë.
Trafiku i rënduar vijon të jetë prezent edhe në rrugët e brendshme të qytetit të Lezhës, ndërsa më problematike janë orët e para të mëngjesit dhe ato të pasdites.
I gjithë qyteti bllokohet nga fluksi i lartë i automjeteve.
Nga ana tjetër, policia rrugore vijon të jetë prezente në kryqëzimet më problematike, duke orientuar drejtuesit e automjeteve, që të përdorin dhe rrugët dytësore me qëllim lehtësimin sadopak të qarkullimit rrugor.
Kjo situatë pritet t’i shoqërojë rrugët e rajonit të Lezhës deri në ditët e para të muajit shtator kur dhe nis largimi emigrantëve dhe pushuesve, që kanë zgjedhur plazhet e Lezhës për të pushuar.
Gazetare: Megi Mëhilli /rtsh.al/