E Martë, 3 Nëntor 2026

Lista e librave për bibliotekat e shkollave/ 500 tituj të autorëve shqiptarë dhe të huaj

Bibliotekat e shkollave do të pasurohen këtë vit me një seri librash të autorëve shqiptar dhe të huaj.

Ministria e Arsimit në bashkëpunim me mësuesit dhe me shoqatat e botuesve, prej disa muajsh po punojnë për hartimin e listës me titujt e librave, që do të rekomandohen për t’u përfshirë në fondin e bibliotekave të shkollave.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, njëherësh anëtare e komisionit përzgjedhës së listës së titujve në shkolla, Alda Bardhyli, sqaron se librat janë përzgjedhur në përshtatje me grupmoshat e nxënësve për të nxitur tek ta dëshirën për lexim.

“Jemi përpjekur që lista të ketë autorë dhe libra të cilët kanë një lloj konfirmimi nga kritika, nga profesionistët. Për herë të parë kjo listë është pasuruar me veprat e plota të klasikëve shqiptarë, por edhe të klasikëve botërore, si Martin Camaj, Gjergj Fishta, Faik Konica, Ismail Kadare, Dritëro Agolli,” shprehet drejtoresha Agolli.

Për herë të parë këtë vit, Ministria e Arsimit në procesin përzgjedhës të titujve ka përfshirë shumë aktorë, si botues, autorë, ekspertë dhe mësues.

“Lista është pasuruar edhe me autorë bashkëkohorë shqiptarë, por edhe me autorë bashkëkohorë të letërsisë së mendimit, shkencës, historisë botërore. Mendoj se janë një lëndë shumë e mirë orientuese për të gjithë ata të cilët duan që formimin e tyre ta kenë sa më të pasur,” shton Agolli.

Lista paraprake me 500 libra është pasqyruar në faqen e Ministrisë dhe deri në datën 5 shtator priten sugjerime për pasurimin e saj.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›