E Martë, 3 Nëntor 2026

Fituesit në universitete shpallen më 27 gusht, regjistrimi nga 29 gushti

Të gjithë të rinjtë, që kanë aplikuar në universitete, do të informohen nëse e kanë fituar të drejtën për të vijuar studimet e larta më 27 gusht.

Institucionet e arsimit të lartë do të realizojnë hedhjen e të dhënave në sistem më 26 gusht, ndërsa fituesit do të shpallen një ditë më vonë, të dielën.

Në listë do të përfshihen edhe aplikantët e tjerë të cilët ndodhen poshtë vijës së kuqe, por të renditur sipas pikëve të përfituara.

Nëpërmjet portalit “UAlbania“, kandidatët mund të ndjekin në kohë reale renditjen dhe shanset që kanë për t’u pozicionuar në fazat e mëvonshme, si dhe të monitorojnë të gjithë procesin e regjistrimit.

Kandidatët kanë një ditë afat për të bërë ankimimin e rezultateve, ndërkohë që më 29 gusht do të nisë regjistrimi i studentëve fitues në universitete.

Regjistrimi do të bëhet online dhe fizikisht në fakultetin ku kandidatët kanë fituar të drejtën e studimit.

Në garë janë 19 600 maturantë, ndërsa të gjitha universitetet ofrojnë 32 mijë kuota.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›