Lezhë/ Forcat e Armatosura fushatë rekrutimi për ushtarë detarë

Një grup pune i Qendrës së Personel-Rekrutimit ka zbritur në Lezhë me synimin për të rekrutuar vullnetarisht kandidatë për Ushtarë Detarë Aktivë në Forcat e Armatosura.
Nënkolonelja Rudina Kadriu bën të ditur se në Lezhë funksionon edhe një zyrë informacioni për kriteret dhe dokumentacionin që duhet të kenë shtetasit e interesuar.
“Në kuadrin e rekrutimit për Ushtarë Detarë Aktivë në Forcat e Armatosura si dhe për studentë pasuniversitarë, kemi ardhur për të reklamuar këto vlera në këtë qytet me vlera edhe për FA-në.
Për informacione të mëtejshme ne kemi edhe një zyrë seksion-rekrutimi për zonën e Lezhës, ku shtetasit që janë të interesuar për t’u rekrutuar marrin informacionin e nevojshëm si dhe njohuritë që atyre u nevojiten për FA-në,” thotë nënkolonelja Kadriu.
Afati i kësaj fushate për regjistrimin e kandidatëve të interesuar për t’u rekrutuar ushtarë detarë aktivë në Forcat e Armatosura do të zgjatë deri më 4 shtator të këtij viti.
Gazetare: Megi Mëhilli
/rtsh.al/