E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, adoleshentët bastisin gjashtë dyqane

LEZHË- Hajdutët adoleshentë "bastisin" brenda natës qytetin e Lezhës. Gjashtë dyqane janë gdhirë në mëngjes të boshatisur nga sendet me vlerë dhe pronarët e tyre kanë rendur në polici për të bërë denoncimet përkatëse. Burimet zyrtare të policisë së Lezhës pohuan se janë njoftuar në orët e para të mëngjesit nga pronaret e disa lokaleve dhe dyqaneve për grabitjet e ndodhura. "Më konkretisht janë grabitur dyqanet Bar Restorant "Kelmendi"; Bar Restorant "Klaudi"; Bar restorant "Verona"; Dyqan riparim celularësh; Dyqan pajisjesh bujqësore dhe një dyqan ushqimor",- thanë dje burimet zyrtare të policisë së Lezhës. Sipas tyre, verifikimet e para kanë treguar se të gjashtë vjedhjet janë kryer nga të njëjtët njerëz, të cilët kanë përdorur thyerjen e dyerve. Por policia ka mundur të gjejë disa dëshmitarë okularë, të cilët i kanë drejtuar tek tre adoleshentët me inicialet F.D, J.A dhe T.T. Pak minuta më pas hetuesit kanë bërë ndalimin e adoleshentëve dhe verifikimi i gjurmëve të gishtërinjve ka treguar se ata ishin autorët e gjashtë vjedhjeve të kryera gjatë natës. Më pas është ushtruar edhe një kontroll në banesat e tyre dhe aty janë gjetur disa nga sendet e vjedhura. "Përveç sasive të konsiderueshme të parave janë gjetur edhe kompjuterë laptop, telefona të ndryshëm celularë si dhe disa steka me cigare. Këto sende do u kthehen pronarëve të ligjshëm",- thanë dje burimet e policisë. Sipas tyre, dy prej personave të arrestuar dje kanë qenë përsëritës në veprën penale të vjedhjes, ku njëri prej tyre ka qenë me masë sigurimi të dhënë nga gjykata e të miturve në Shkodër me arrest shtëpie. I arrestuari i tretë është lënë sërish i lirë për shkak të moshës së mitur. E. J

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›