Gjirokastër, zjarri karbonizon 80- vjeçarin
Policia: I moshuari vuante nga sytë dhe nuk dëgjonte mirë dhe për këtë arsye nuk u larguar dot
GJIROKASTËR- Zjarri i shkaktuar nga një cigare i ka marrë jetën një 80-vjeçari në rrethin e Gjirokastrës. I moshuari ka qenë duke pirë duhan në bahçen e tij, e cila ka marrë flakë. Ai nuk ka mundur ti shpëtojë dot zjarrit për shkak të moshës së thyer dhe për pasojë është djegur i gjallë. Lajmi është pohuar dje nga burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës. Sipas tyre, zjarri i nisur në bahçen e Grigor Baxho ka rrezikuar të gjithë fshatin Vllaho- Goranxi.***Zjarret e ditëve të fundit kanë shënuar edhe viktimën e parë në Dropull. Ka qenë ora 16 e 30 minuta kur në Sallën Operative të Policisë së Gjirokastrës ka mbërritur një telefonatë që në fshatin Vllaho- Goranxi, të Komunës Dropulli i Poshtëm, ka rënë zjarr dhe rrezikohen banesat e këtij fshati. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, forca të shumta policie dhe një mjet zjarrfikës. Kjo pasi mjetet e tjera zjarrfikëse kanë qenë në një vatër tjetër zjarri në fshatin Radat. "Nga ana e policisë është bërë evakuimi i banorëve të këtyre banesave që rrezikoheshin nga zjarri dhe pas tre orësh është bërë e mundur shuarja e zjarrit si dhe shpëtimi i disa banesave pa u prekur nga flakët. Zjarri ka arritur deri në oborret e tyre por nuk ka hyrë brenda",- thanë burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës.***Nga deklarimet paraprake të banorëve të këtij fshati rezultoi se zjarri ka nisur nga bahçja e shtetasi Grigor Baxho, 80 vjeç. Si pasojë e erës së fortë zjarri është përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe. "Ne morëm të dhena se Grigor Manthio Baxho mund të ishte personi që kishte nisur zjarrin dhe menjëherë jemi vënë në kërkim të tij. Pas shuarjes së zjarrit rreth orës 20.00, punonjësit e policisë kanë nisur kërkimet për këtë shtetas dhe rreth orës 21.30, inspektorët e Policisë së Rendit kanë gjetur trupin e pa jetë. Ai ndodhej në bahçen e tij i djegur nga zjarri",- thanë burimet e policisë. Sipas tyre, Grigor Baxho vuante nga sytë dhe nuk dëgjonte mirë. Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se ky shtetas para se të shfaqej vatra e zjarrit ka qenë duke kullotur bagëtitë i vetëm. Gjithashtu nga hetimet rezultoi se ky shtetas ka qenë pirës i rregullt i duhanit dhe shkaku i rënies së zjarrit mund të jetë nga pakujdesia dhe për shkak të moshës së thyer, shikimit dhe dëgjimit të kufizuar nuk ka mundur dot të largohet dhe për pasojë është djegur nga zjarri. Entela Bani