Lezhë, ekzekutim pas daljes nga burgu
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
Ekzekutohet 50-vjeçari 4 ditë pas daljes nga burgu. Krimi i ndodhur në rrugën kryesore që lidh Lezhën me Laçin, ka pasur pasoja më të rënda se vdekja e Gjon Përvathit. I biri 14 vjeç dhe një kushëri i tij u plagosën nga autori, ndërsa e shoqja e viktimës u vetëhelmua pasi mësoi atë çka kishte ndodhur. Duke kujtuar se veç të shoqit kishte vdekur dhe i biri i vetëm, 40-vjeçarja Martine Përvathi i dha fund jetës me fostoksinë, duke lënë jetimë brenda ditës 4 fëmijët.
Duket se autori, Ndue Lekgjonaj e ka ruajtur Përvathin e pak ditë pasi ka lënë qelinë e ka qëlluar për vdekje. Një konflikt i hershëm mes viktimës dhe fqinjëve të tij, në fshatin Grykë-Manati të Lezhës, u bë shkak për ngjarjen e rëndë. Për policinë ishin të njohura konfliktet e pronësisë dhe kanosja me armë që Përvathi i kishte bërë fqinjëve, prandaj ai ishte burgosur e dënuar që nga maji i vitit të shkuar e deri javën e kaluar. Mesditën e djeshme, një person me makinë i ka ndjekur tre udhëtarët, Gjon Përvathin, të birin, Danielin, si dhe kushëririn Gjergj Përvathi. Në hyrje të Lezhës, e shumë pranë vendbanimit, që nga makina autori Lekgjonaj, rreth 50 vjeç, ka qëlluar me breshëri automatiku. Dy plumba i morën jetën shënjestrës së tij, ndërsa një tjetër aksidentalisht dhe kushëririt të viktimës. Përballë kësaj skene, djali vetëm 14 vjeç është sulur drejt makinës së autorit për ta nxjerrë jashtë, por në tentativë për t’u larguar ai e përplasi fuqishëm. Të dy personat përfunduan në spital, pa rrezik për jetën, ndërsa autori u zhduk me shpejtësi. Për policinë ka qenë e lehtë identifikimi i vrasësit dhe forca të shumta policie u vunë në ndjekje të tij, duke ngritur postblloqe në të gjithë akset që lidhin qarkun e Lezhës me zonat përreth, Gjithashtu kërkime po kryhen dhe në fshatrat e thellë të Lezhës.
Por, tragjedia e familjes Përvathi nuk përfundoi këtu. Katër fëmijët e çiftit kanë mbetur jetimë, pasi vrasja e të atit pasoi dhe atë të së ëmës. Burime të policisë së Lezhës bënë të ditur dje, se Martine Përvathi ka ndërruar jetë pak orë pas vrasjes së të shoqit. Nga të afërm e dëshmitarë që panë skenën e krimit, 40-vjeçarja ka mësuar se veç të shoqit, kishte vdekur dhe i biri i vetëm, pas 3 vajzave. E rënduar nga ky lajm, gruaja ka kaluar në gjendje të rëndë depresive, duke gëlltitur një sasi fostoksine, e cila ka qenë fatale për jetën.
Jo më larg se një vit e gjysmë më parë, Gjon Përvathi ishte bërë protagonist i një sherri me armë me fqinjët e tij, Lekgjonajt. Ata shpeshherë ishin konfliktuar për kufirin e pronave që kishin dy familjet, derisa vjet autori kapi një nga delet e fqinjit që kishin hyrë në tokën e tij, duke u therur. Pas debatit, viktima e djeshme kishte nxjerrë një armë zjarri, duke kërkuar nga komshiu të largohej, ndryshe do ta qëllonte. Ai u arrestua pas më shumë se 12 orësh rezistencë, pasi u mbyll bashkë me armën e zjarrit në banesë. U desh ndërhyrja e forcave speciale RENEA që Gjon Përvathi të linte armën e të dorëzohej pa shkaktuar viktima. Për këtë ngjarje ai u dënua, duke kryer rreth 18 muaj burg.
bilanci
Viktimat
Gjon Përvathi, 50 vjeç
Martine Përvathi, 40 vjeçe
Të plagosur
Daniel Përvathi, 14 vjeç
Gjergj Përvathi