E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ermira Mehmeti - Deputetja e dashuruar

 

blerand rexhepi

“Të gjithë e shohin se dukem bukur dhe jeta në çift më shkon për mrekulli”, fillon rrëfimin e saj deputetja Ermira Mehmeti, prej 7 vitesh krah i djathtë i liderit të BDI-së Ali Ahmetit dhe zëdhënëse e partisë. Është martuar në 3 korrik dhe ky duket të jetë shkaku i lumturisë së saj. Por, pas jetës së përbashkët në Shkup, pushimeve në Sarandë dhe në Kretë dhe disa ditëve në Tiranë, destinacion zyrtar i Shenoll Dejavës, këtyre ditëve po ndodh “ndarja” e çiftit. E tashmë, puna është shkak. “Ditët e para” rrëfen gruaja, janë të dhimbshme. Bashkëshorti i saj është emëruar qysh nga 1 gushti, zëvendës ambasador në Tiranë. E pra distanca nuk është edhe aq e vogël...

Rastësia mbret i fatit
Ermira dhe Shenolli, u takuan rastësisht. Pastaj ai i gjeti numrin dhe i niste herë pas here mesazhe apo i bënte ndonjë telefonatë. “Shkruante shumë mesazhe të bukura dhe fillova edhe ti pranoj me kënaqësi- rrëfen gruaja.- Kur fitova mandatin si deputete, më dërgoi lule dhe një kartolinë. Nuk mund të them se nuk kishin aspak ndikim”. Kështu filloi historia. “Ai ka një sharm të veçantë, në paraqitje gjithmonë është elegant, ka intelektin e të folurit shumë të pasur dhe çka është më e rëndësishmja tek ai, njeriu mund të rrëfehet, pasi di shumë mirë të dëgjojë dhe të kuptojë”, kështu e përshkruan deputetja, tashmë bashkëshortin e saj me sy që i shkëlqejnë. Kanë jo pak diferencë me njeri-tjetrin, rreth 19 vite, e megjithatë kanë shije të njëjta për muzikën, filmin... Sa për kuzhinën: Shenolli nuk ka vend aty, kurse Ermira gjendet mirë. Por edhe kjo i shkon për shtat: “Shenolli nuk përzihet në kuzhinë, dhe mua më pëlqen shumë që ka ruajtur një ves tradicional mashkullor”, thotë Ermira.

Distanca fizike
“Jeta e përbashkët është diçka e re për mua. Jam e lumtur dhe shumë e dashuruar, duhet të pranoj, ndarja jonë e parë nuk do të jetë e lehtë. Filluam të jetojmë së bashku në apartamentin e tij në Shkup. Të gjithë muajin gusht e kaluam së bashku në Shqipëri. Së pari me pushime kurse pas 1 gushtit në Tiranë, gjetëm apartamentin ku do vendosemi.  Jam shumë e vetëdijshme se tash do fillojnë udhëtimet për mua. Nuk më brengos kjo gjë aspak, pasi për një dashuri duhet të bëhet i gjithë ky mund. Kur kujtohem se në jetë kam bërë gjëra që nuk më kanë lidhur aspak direkt me veten time, ose nuk është dashur aspak të bëhen, kjo nuk më frikëson aspak. Megjithatë, do më mungojë prania e Tim shoqi”, rrëfen Ermira.
Vendimi për martesë
“Ishim duke shëtitur në pjesën tjetër të Stambollit, andej nga Bosfori dhe ishim ulur në një restorant për darkë. Filloi të bjerë shi, ishte shumë freskët... dhe pikërisht aty mbaroi gjithë ajo bisedë e nxehtë”, tregon e buzëqeshur deputetja. E ka fjalën për vendimin e martesës. Vendimi, në fakt i ka habitur të gjithë, më shumë familjarët e saj, pasi sipas tyre Ermira gjithmonë ka pasur si synim karrierën politike dhe asnjëherë nuk ka biseduar për çështje martese. Por, u mor vesh shpejt se bëhej fjalë për diçka serioze. Por, u pa, edhe karriera vazhdonte të mbetej një qëllim serioz i Ermirës...

Familja & puna
Shenolli është shumë krenar për angazhimin profesional të së shoqes dhe e përkrah. Por nuk duan ta ngatërrojnë politikën me jetën private. Për tu distancuar nga politika, ata kanë bërë një dasmë të vogël me familjarët e tyre. Nuk e zgjeruan rrethin pasi deshën që të gjithë të pranishmit të dëfrehen maksimalisht. Tashmë, Shenolli është shpërngulur në detyrë të re në Tiranë, dhe kjo nënkupton një fazë të re marrëdhënieje të ndërtuar mbi rrugëtimin Shkup-Tiranë. E meqë do të ketë edhe më shumë kohë, Ermira planifikon të mbrojë doktoraturën. Por... çifti planifikon të zgjerojë edhe familjen... së shpejti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›