Tirane-1944 - Modë në kohë lufte
“Para se me ba vaki katastrofa e njoftun e shpërthimit të Vezuvit, ku ka hupë krejt qyteti Pompej, njerëzit tue mos ditun shka u pregatitë fati bajshin aheng si gjithmonë. E vërteta asht se zhurma e mbrëndshme e nëntokës paralajmonte diçka të jashtrendëshme, po jeta vijojshe e pandërpreme”, kështu shkruan shkrimtari Mitrush Kuteli në vitin 1944 në “Gomarët e Vezuvit”. Lufta e Dytë Botërore kishte përfshirë gjithë Evropën, e cila po pësonte çmendurinë hitleriane. Por si kurdoherë, edhe në atë kohë, edhe në atë vit jetohej... E madje... ndiqej dhe moda. Në mes të luftës, Femrat mundoheshin të visheshin, bukur, me shije, me sharm... shik, gjithnjë sipas modës së fundit. Asnjë problem se jemi në Shqipëri. Fundja rrugëve të Tiranës s’kishte vetëm ferexhe që lëviznin...