Shpërfytyrohen “demat e kuq”
Leonard Karaj
Partizani humbet sërish, këtë herë në fushën e vet, teksa Bylis merr arratinë falë edhe disfatës së Elbasanit në Burrel. Fitore të rëndësishme edhe për Kamzën dhe Adën në transfertë. Lushnja ka marrë atë që kërkoi nga minuta e parë në “Selman Stërmasi”, ndaj Partizanit, fitoren. Lagunarët kanë shënuar dy herë në portën e “demave të kuq” duke shtuar edhe më shumë hendekun e kësaj skuadre me kreun e renditjes. Tashmë Partizani renditet në vendin e 9-të me 14 pikë, 13 më pak sesa Bylisi, i cili kryeson kampionatin. Duhet theksuar se “të kuqtë” kanë humbur edhe një penallti, me anë të Karapicit, e dyta që ky futbollist humb në takimet e fundit të Partizanit.
Skuadra e kuqe është në rënie të lirë, nga ndeshja në ndeshje, duke vuajtur mungesën e një presidenti të vërtetë, që të investojë financiarisht për skuadrën (ka vetëm për emër Xhanin, i cili prej më shumë se një viti nuk ka dhënë asnjë qindarkë për skuadrën), por edhe mungesën e një trajneri profesionist, më së paku me liçensë, pasi Bejzade, sikurse dihet, nuk ka asnjë lloj stature për të qenë i tillë. Në këto kushte, Partizani, nëse situata nuk ndryshon në merkaton e janarit, do të luftojë për mbijetesën në këtë kategori.
Ndërsa nuk ka gabuar Bylisi në fushën e vet. Goli i Hamzait ka çuar këtë skuadër +4 ndaj ndjekëses më të afërt, e cila mbetet sërish Elbasani. Verdheblutë janë mundur në Burrel nga vendasit rezultatin 2-1, një një takim të kontestuar shumë nga të dyja stafet dhe futbollistët e ekipeve. Pas përfundimit të ndeshjes trajnerët Gjoni (Burreli) e Dosti (Elbasani) kanë fajësuar kryesorin Bogdani se nuk arriti, sipas tyre, ta komandojë drejtimin e lojës. Dosti tha se nuk do të ishte ky rezultat nëse gjykimi do të kishte qenë më korrekt, ndërkaq Gjoni e shigjetoi kryesorin se i ka mohuar Burrelit dy penallti të sigurta.
Nuk kanë gabuar, madje duke fituar në transfertë, Ada e Velipojës dhe Kamza. Velipojakët kanë fituar në fushën e vështirë të Gjirokastrës, në të parën fitore jashtë. Edhe Kamza, e targuar Agustin Kola fitoi në Skrapar falë golit të Kapajt. Që të dyja këto skuadra luajnë për një vend play-offi për në Superligë.
Fitore me vlera ka marrë edhe Pogradeci, 1-0 në fushën e Sopotit të Librazhdit, duke ruajtur pozitat kryesuese dhe pretendimet serioze në këtë kampionat. Ndërsa Gramshit i ka mjaftuar një gol për të lënë në fund Memeliajn.