Lezhë, familja Djala hap dyert e zisë

Pamje nga përmbytja e 4 nëntorit në Xhenova
Tragjedia e ndodhur me 4 nëntor në Xhenova të Italisë ka tronditur edhe një familje shqiptare, e cila humbi 3 pjesëtarë të saj. Familja e Flamur Djalës nga fshati Shënkollë i Lezhës kishte emigruar vite më parë në Xhenova në kërkim të një shprese më të mirë si shumë emigrantë shqiptarë.
Por kjo shpresë tashmë është shuar, pasi kjo familje ka humbur 3 pjesëtarë të saj: bashkëshorten e Flamurit, Shpresën, 28 vjeçe, si edhe dy vajzat e mitura, Xhoia dhe Xhonisa, përkatësisht 9 dhe 1 vjeçe.
Familja Djala ka hapur dyert e zisë duke pritur vizita ngushëllimi, ndërkohë që trupat e pajetë pritet të mbërrijnë në orët e mbrëmjes.
Të afërm dhe banorë të zonës kanë shkuar për ngushëllime duke iu gjendur pranë kësaj familjeje.
Kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm të afërmit, por të gjithë banorët e zonës, pasi tashmë është shuar një familje e tërë.
Familja po përjeton prej tri ditësh një tragjedi të thellë, ndërkohë që lamtumira nënës 28- vjeçare dhe 2 vajzave të mitura do tu jepet të martën në orën 13:00. / Lindita Kokaj