E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lezhë, vidhet kambana shekullore

Kisha e Shën Gjon Kryepremit në Mërqi të Lezhës ka rënë pre e grabitjes. Ky nuk është vetëm një objekt kulti, por edhe një monument kulture, pasi pikërisht në këtë kishë, më 14 janar 1703, nën drejtimin e Papa Klementit XI, është mbajtur Kuvendi i Arbrit, ngjarja më e rëndësishme historike jo vetëm në Lezhë, por në të gjithë Shqipërinë, pas Kuvendit të Besëlidhjes.

Gjatë orëve të mbrëmjes është grabitur kambana shekullore e kësaj kishe si dhe pllakati i vendosur me 14 janar 2003, në përkujtim të 300-vjetorit të mbajtjes së Kuvendit të Arbrit. Kambana e kishës së lashtë kishte një vlerë të madhe historike që i ka rezistuar pushtimit turk, por edhe sistemit komunist, por në vitin 2012 nuk u rezistoi dot grabitjeve. Ajo ishte me material bronzi dhe kishte një peshë prej 300 kg.

Këmbana është grabitur gjatë orëve të natës dhe në momentin e grabitjes ka rënë nga kupola e kishës në sheshin para hyrjes kryesore, ku ka lënë gjurmët e saj, pasi për shkak të peshës dhe rënies ka krijuar një gropë me perimetër të madh.

Sipas pohimeve të banorëve, kjo kambanë ishte tepër e lashtë, pasi ajo dëgjohej nga Mërqia deri në Shkodër, pavarësisht distancës së largët. Sipas gojëdhënave, në kohën e pushtimit turk, banorët e fshatit e kishin groposur atë në dhe, për të mos u marrë nga pushtuesit osmanë. Për tre vite, kambana ka qëndruar e varrosur duke shpëtuar nga osmanët. Ndërsa në kohën e sistemit komunist, kjo kambanë mendohet të jetë ruajtur në Gjadër në bazën e aviacionit dhe në vitet e demokracisë, me rihapjen e kishave, i është kthyer kishës së Mërqisë.

Ky objekt me kaq vlera historike ka rënë pre e grabitjeve në vitin 2012 dhe nuk dihet se ku ka përfunduar, për shkrirje apo në ndonjë pikë skrapi. Burime nga Drejtoria e Policisë së Lezhës deklaruan se po hetohet për këtë rast të paprecedentë. / Lindita Kokaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›